Spanjë, mbi 700 kryebashkiakë nën hetim

Në Spanjë ka nisur një hetim për më shumë se 700 kryebashkiakë në qeverinë autonome të Katalunjës për shkak se kanë deklaruar se do të bashkëpunojnë për realizimin e referendumit të pavarësisë më 1 tetor, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeprokurori i Spanjës, Jose Manuel Maza në një udhëzim të dërguar prokurorive në Barcelonë, Tarragona, Lerida dhe Girona në Katalunjë, ka kërkuar që të hapen hetime për të gjithë kryebashkiakët të cilët kanë deklaruar se do të bashkëpunojnë me qeverinë autonome të Katalunjës dhe të cilët kanë bërë përgatitje për zhvillimin e referendumit më 1 tetor.

Në një deklaratë të bërë nga kryeprokuroria rikujtohet se Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin e qeverisë autonome të Katalunjës për “mbajtjen e referendumit të pavarësisë më 1 tetor”.

Ndër të tjera thuhet se në situatën aktuale 712 bashki nga 948 në Katalunjë kanë deklaruar mbështetjen e tyre për referendumin e 1 tetorit. Nga kryeprokuroria thonë se do të arrestohen kryebashkiakët të cilët nuk do të shkojnë për të dhënë deklaratat e tyre në prokurori.

“Të gjithë punonjësit dhe zyrtarët e institucioneve zyrtare që do të japin kontribut për organizimin e referendumit në fjalë i cili dihet nga të gjithë që është i jashtëligjshëm, do të bëjnë krim dhe keqpërdorim të pronave dhe parave publike, mosbindje ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe keqpërdorim të detyrës, vepra për të cilat dënohen nga 8 vite burg deri në 20 vite privim nga detyrat publike”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa njoftohet se me një vendim gjykatës është ndaluar protesta e disa organizatave të shoqërisë civile të cilët do ta mbanin në Madrid më 19 shtator në mbështetje të referendumit.

Zyrtarët e organizatave të shoqërisë civile në një konferencë për media thanë se pavarësisht vendimit të gjykatës protesta do të mbahet ditën e dielë në ora 12 sipas kohës lokale ashtu siç është njoftuar, vetëm se do të ndryshojnë vendin ku do të mbahet protesta.

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve pas daljes nga kuvendi u bëri thirrje katalunjasve që “Edhe sikur t’u thërrasin për të votuar ju mos shkoni sepse ky është një veprim i jashtëligjshëm”.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button