VMRO vazhdon me ksenofobi, sërish luan me kartën e nacionalizmit

Protestat e paralajmëruara nga organizatat e ashtuquajtura joqeveritare të afërta me VMRO-në, kundër Ligjit për gjuhët, nga njohësit e çështjeve politike vlerësohen si lojë e ngjashme me atë të zgjedhjeve të kaluara, ku partia e lartpërmendur përdori kartën e nacionalitetit për pikë politike.

Juristi Osman Kadriu thotë për Portalb.mk se protestat janë të kota dhe se Ligji për gjuhët pritet që të kalojë leximin e parë.

“Nesër sipas agjendës së Parlamentit duhet të kalon leximi i parë i Ligjit për gjuhët, me qenë se paraprakisht për këtë ligj kishte diskutim të hovshëm para një komisioni të veçantë të çështjeve të integrimeve të Maqedonisë, ku mora pjesë edhe unë si ekspert dhe aty deputetët e VMRO-së shprehën mllef kundër ligjit me këto kualifikime që ligji është antikushtetues, se me këtë cenohen të drejtat nacionale të maqedonasve, gjuha maqedonase e kështu me radhë. Nesër do të ketë diskutime, por edhe këtë filtër do ta kalojë ky ligj. Në protestat e paralajmërua e dimë që prapavija është VMRO-ja, se si mendon t’i organizojë ato protesta, si do sillen, çfarë veprime do bëjnë ngelet të vërehet nesër, por mendoj se nuk mund të përsëritet ndodhia e prillit të kobshëm”, tha për Portalb Kadriu.

Ai shtoi se protestat nuk mund të eskalojnë si në prill, pasi që tani kanë ndryshuar punët dhe se ka më shumë siguri dhe policia kryen punën si duhet.

“Ajo nuk do të ndodh sepse në atë drejtim ka pasur ndryshime dhe tani ka siguri dhe funksionim të rregullt të policisë. Por prapavija është shumë e qartë, VMRO-ja ka synim dhe tendencë që nëpërmjet këtyre protestave të tregohen se ata janë të vetmit që luftojnë kauzën për Maqedoninë dhe maqedonasit dhe kjo do të thotë se ato mendojnë se kështu do të fitojnë pika politike dhe vota në zgjedhjet lokale. Unë mendoj se është e kotë kjo përpjekje meqenëse tash edhe qytetarët maqedonas që janë të përgjegjshëm nuk do të luajnë me letrën e VMRO-së, atë nacionalisten. Kjo lojë që po luan VMRO do të ketë efekte negative dhe të kundërta nga ato që presin ata”, shtoi Kadriu.

Gjithashtu analisti politik Petar Arsovski thotë për Portalb.mk, se ksenofobia e VMRO-së nuk do të bëj gjë tjetër përveç armiqësisë të kësaj partie me ndërkombëtarët dhe partnerët shqiptarë.

“Edhe radhës së kaluar kur VMRO u mundua që këtë ksenofobi përfundoi më 27 prill që ishte rënia më e madhe e kësaj partie. Edhe tani përpjekjet kundër Ligjit të gjuhëve, nuk do t’i sjellin asgje të mirë kësaj partie, përkundrazi ajo do të krijojë edhe më shumë armiq si te ndërkombëtarët ashtu edhe tek partnerët shqiptarë”, tha për Portalb, Arsovski.

Ndërkaq, Organizatat e lartpërmendura bëjnë thirrje siç thonë ata deri te maqedonasit që të bashkëngjiten në protestën e qetë me 13,14 dhe 15 shtator në orën 18 para Parlamentit, dhe kanë përgatitur parulla në gjuhën maqedonase dhe angleze të tipit : “Tradhtia nuk është demokraci!, “Ligji për gjuhët është antikushtetues”, “Ligji për gjuhët nuk është ligj evropian”, “Një shtet-një gjuhë, në shtëpi dhe në botë”, “Jo federalizmit gjuhësor”, “Atë që duan shqiptarët në Maqedoni, ta bëjnë për Maqedonasit në Shqipëri”, “Reciprocitet mes Maqedonisë dhe Shqipërisë” dhe “Maqedonia-shtet unitar”./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button