Zaev: Nuk ka konflikt të interesave me “Feroinvest”, Angjushev nuk është drejtues i firmës

Kryeministri Zoran Zaev sot deklaroi se nuk ka përplasje të interesave në rastin me firmën “Feroinvest” pronar i së cilës është zëvendëskryeministri Koço Angjushev, ndërsa e cila merr pjesë në tenderin e ELEM-it për rripa gome për nevojat e REK Manastir.

“Nuk shoh konflikt të interesave sepse ai nuk është drejtues i firmës. Firma ‘Feroinvest’ duhet të vazhdojë të punojë. Nëse ka vendosur Zaev t’i japë përmes mandatit të tij vendi i zëvendëskryeministrit të zotëri Angjushevit, duke e thirrur si përfaqësues të odave ekonomike, atëherë për mua është e rëndësishme që sipas Ligjit ka kufizim dhe të kuptohet kur ka përplasje të interesave dhe kur nuk ka përplasje të interesave”, tha kryeministri Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vizitës në burgun në Idrizovë.

Ai theksoi se firmat në Maqedoni duhet të punojnë, por është e rëndësishme të kufizohet të mos ketë ndikim gjatë vendosjes.

Lidhur me atë se nëse zëvendëskryeministri Angjushev duhet të dorëzojë fletëparaqitje deri te Qeveria dhe deri te Komisioni i antikorrupsionit se firma e tij do të marrë pjesë në tender, por që ai nuk do të ndikojë mbi procedurën e tenderit, kryeministri Zaev theksoi se procedura për këtë tender të ELEM-it ka filluar shumë më parë para se Angjushev të bëhet zëvendëskryeministër.

“E di se procedura ka filluar shumë më parë para se ai të bëhet nënkryetar i Qeverisë, ndërsa e di se procedurat e këtilla dorëzohen në momentin e vendimit të konkurrimit ose publikimit të vetë tenderëve, kështu që ajo që është e rëndësishme është se ligji duhet të vlejë në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe të respektohen dispozitat në mënyrë të njëjtë për të gjithë, pa dallim se nëse bëhet fjalë për kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër, drejtor ose çfarëdo lloj ushtruesi të funksionit publik”, theksoi Zaev.

Duke i komentuar mendimet se nga pozita e zëvendëskryeministrit, Angjushev mund të ndikojë që firma e tij të zgjidhet në tender, kryeministri Zaev theksoi se vendimi për punët e këtilla qëndron tek transparenca.

“Transparencë deri në fund që të kuptohet se nëse dikush mund të ndikojë ose jo. Ekziston Ligj për përplasje të interesave, Ligj për veprim antikorruptues ose ngjashëm dhe përmes udhëheqjes së procedurave të këtilla transparente kjo dëshmohet. Në fakt shoh se personin në fjalë e keni tërësisht të hapur për deklarata. Ua jep të gjithë qëndrimet e tij dhe besoj se deri në fund procedurat e këtilla do të mund të zgjidhen” potencoi kryeministri Zaev.

LEXO: Tanturovski: Nuk ka përplasje interesash në rastin “Feroinvest”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button