Viti i ri shkollor, masa të rrepta të policisë

Masat për garantimin e sigurisë publike në shkolla me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor do të përfshihen në një plan të rreptë e të detajuar drejtuar të gjitha strukturave, të firmosur nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe që do të zgjasin përtej ditës së parë të mësimit, shkruan Top Channel.

Sipas këtij urdhëri, drejtuesit e drejtorive, komisariateve dhe stacioneve të policisë duhet të studiojnë dhe vlerësojnë situatën kriminale dhe të vendosin shërbime policore për kontrollin e territorit, ku sipas një plani të detajuar, do të caktohen punonjësit e policisë që do të ruajnë sigurinë në zonat e shkollave 9-vjeçare, të mesme dhe të larta.

Urdhri i Haki Çakos parashikon masa edhe për parandalimin e sulmeve terroriste në vend. Për këtë, urdhërohen forcat e policisë që krahas shkollave në përgjithësi, t’u japin një vëmendje edhe shkollave të huaja.

Në orët e pikut të lëvizjes, policia do të jetë e pranishme pranë shkollave për të kontrolluar territorin dhe gjithashtu do të mbajë kontakt edhe me ato institucione arsimore që ruhen nga policitë private.

Një detyrë të veçantë policia do ta ketë për identifikimin e personave të dyshuar për tendenca kriminale me qëllim parandalimin e ngjarjeve të mundshme.

Policët janë urdhëruar që të kenë kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e shkollave dhe gjithashtu policia rrugore do të kufizojë vendet e parkimit, qëndrimin apo lëvizjet e automjeteve në zonat e shkollave.

Ndërkohë, drejtuesi i policisë ka urdhëruar që në ditët në vijim, specialistët e krimeve të marrin pjesë edhe në takimet e bordeve të shkollave dhe atyre me prindër, të shoqëruar edhe nga efektivët e policimit në komunitet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button