fbpx

Zgjedhjet lokale, testi kryesor i partive në Maqedoni

Zgjedhjet lokale të 15 tetorit shihen si një nga testet kryesore për partitë politike pas zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, që nxorën një rezultat thuajse të barabartë mes partive maqedonase por edhe partive shqiptare në pushtet dhe opozitë, shkruan REL.

Kjo ka bërë që në zgjedhjet për pushtetin lokal, partitë të garojnë me kandidatët e tyre më të fuqishëm, që sipas tyre, mund të arrijnë rezultatin e pritur nga elektorati i tyre.

Në garën do të futen të paktën dy liderë të partive shqiptare opozitare, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, për komunën e Tetovës dhe Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët për komunën e Strugës.

Partitë kanë nominuar, gjithashtu, edhe anëtarë të kabinetit qeveritar si ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravarin për Gostivarin, si kandidat i Aleancës për Shqiptarët, ndërsa nga BDI-ja, ministri Ramiz Merko për Strugën dhe zv.ministrin e Arsimit, Visar Ganiu, për komunën e Çairit.

Nuk janë të paktën as deputetët që do të marrin pjesë në garë, si Petre Shilegov nga LSDM-ja për qytetin e Shkupit dhe Zeqirija Ibrahimi nga Lëvizja Besa për komunën e Çairit, përballë kandidatit të BDI-së. Forcat më 15 tetor do t’i masin edhe shumë personalitete tjera të larta të partive politike shqiptare dhe maqedonase.

Njohësit e çështjeve politike thonë se për dy blloqet politike gara do të jetë e pa kompromis për sigurimin e legjitimitetit të humbur apo për forcimin e tij nga zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit.

“Këto zgjedhje nuk janë vetëm se lokale, por këto zgjedhje janë edhe njëfarë matje forcash edhe në nivel shtetëror. Kanë të bëjnë me atë se cila parti ka legjitimitet për të përfaqësuar etni të ndryshme në Maqedoni. LSDM-ja do të tentojë të dëshmojë se ka legjitimitetin për të qeverisur vendin me atë që do t’i futet garës që të fitojë sa më shumë komuna në raport me VMRO DPMNE-në. Ndërkohë, VMRO-ja do të tentojë të dëshmojë se LSDM-ja nuk ka legjitimitet të qeverisë vendin duke bërë përpjekje për të fituar sa më shumë vota dhe me këtë, edhe legjitimitet për të vazhduar qeverisjen me vendin”, thotë Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për gazetari hulumtuese.

Ai vlerëson se garë e njëjtë do të zhvillohen edhe në bllokun e partive politike shqiptare.

“Të gjitha partitë e reja që dolën në zgjedhjet e fundit parlamentare me numër të caktuar deputetësh do të tentojnë të dëshmojnë se kanë një rritje të votave nga ajo periudhë. Ndërkohë që partitë e vjetra, kushtimisht thënë, BDI-ja dhe PDSH-ja kanë për qëllim që të dëshmojnë para opinionit shqiptar se ishte kriza ajo që i dëmtoi në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe se pas këtyre zgjedhjeve, ka filluar rikuperimi i tyre. Mendoj se do të jetë një garë e ashpër, do të jetë një garë ku shumë figura politike mund të përfundojnë karrierat e tyre”, vlerëson Neziri.

Sikur edhe në ciklet e kaluara zgjedhore, edhe për zgjedhjet lokale në tetor ka shumë pak kandidatë që mund të vlerësohen si profesionistë për drejtimin e pushtetit vendor.

Pra, në vend të tyre, garës i futen figurat e njëjta politike apo drejtuesit më të njohur të partisë. Bashkim Selmani, opinionist dhe profesor në Universitetin e Tetovës, thotë se është për të ardhur keq që partitë nuk marrin në konsideratë njerëz të dëshmuar apo të aftë që t’i zgjidhin problemet e shumta të qytetarëve në pushtetin lokal.

Ai thotë se me këtë edhe një herë dëshmohet se partitë më shumë janë të interesuara për mbrojtjen e subjektit politik se sa zhvillimin e komunës.

“Fatkeqësia e radhës është se me këtë politikë të gabuar në zgjedhjen e kandidaturave, këta njerëz japin një shenjë demoralizimi te gjeneratat e reja për arsye se nuk ua japin rastin. Kjo nënkupton se përzgjedhja është e pastër kriminale dhe me këtë rast humbet kuptimi i gjeneratave të reja. Prandaj, është një mangësi dhe një vërtetim i mbrojtjes së interesit partiak para atij kombëtar”, vlerëson Selmani.

Në zgjedhjet e 15 tetorit, qytetarët e Maqedonisë duhet të zgjedhin kryetarët në 80 komuna dhe Shkupin, si njësi e veçantë e administrimit lokal, që në përbërjen e tij ka dhjetë komuna urbane.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close