“Teoria e Dominove”, historia interesante, si u krijuan dy Koretë?

Gadishulli Korean – me veriun malor dhe të industrializuar, i pasur me minerale dhe potencial të madh hidroelektrik si dhe një bazë të fuqishme bujqësie në jug – ishte lakmuar prej kohësh nga fqinjët e Koresë, Rusia, Japonia dhe Kina, të cilët kishin luftuar në disa luftëra për ta fituar. Japonia e aneksoi gadishullin në vitin 1910 dhe shtypi, në mënyrë brutale, kulturën koreane në favor të asaj japoneze.

Kur Lufta e Dytë Botërore përfundoi me humbjen e Japonisë në vitin 1945, Bashkimi Sovjetik dërgoi trupat në Kore nga veriu, dhe SHBA dërgoi trupat e veta nga jugu. Ata ranë dakrod ta ndajnë vendin më dysh, përgjatë Paralelit 38.
Ndarja supozohej që duhej të zgjaste deri kur të ishte eleminuar ndikimi japonez. Por në vitin 1948, nacionalistët koreanë në veri të udhëhequr nga Kim Il Sung, një guerilas me bindje komuniste, shpallën krijimin e Republikës Popullore Demokratike. Me ndihmën e sovjetikëve, Kim ndërtoi një ushtri të fuqishme dhe mori kompetenca diktatoriale.

Korea e Jugut mbajti zgjedhjet e mbështetur nga Kombet e Bashkuara dhe Syngman Rhee u bë presidenti i parë i vendit; ai nxiti në mënyrë agresive sulmimin e Koresë së Veriut dhe përdori trupat për të kontrolluar trazirat civile në vend. Në po të njëjtën kohë, po nxehej lufta e Ftohtë, që pa të vihen përballë SHBA dhe aleatët e saj në perëndim, kundër armiqve të tyre në Europë, Azi etj. Në vitin 1949, Kina ra nën ushtrinë e Mao Ce Dunit. Në Europë, SHBA dërgonte nga ajri furnizime për në Berlinin perëndimor për të mos lejuar që të binte nën kontrollin sovjetik, dhe lufta civile në Greqi i bëri udhëheqësit amerikanë që të besonin se Greqia dhe Turqia mund të bëheshin shtete komunistë. Presidenti Harry S. Truman kishte deklaruar se si lidere e botës, SHBA kishte përgjegjësi të mbronte shtetet që u kanosej komunizmi; frika ishte se nëse një komb binte nën komunizmin, të tjerë do ta pasonin, e kështu me radhë, si domino. (Kjo u bë e njohur si “Teoria e Dominove”).

Kështu që, kur trupat e Koresë së Veriut kaluan Paralelin 38 në 25 qershor 1950, duke pretenduar se po kundërvepronin pas një sulmi të koreano- jugorëve, këto kushte “ia bënë të pamundur presidentit Truman që të mos vepronte”, thotë Paul Edwards, themelues i Qendrës për Studime mbi Luftën Koreane, në Missouri. Trupat koreano veriore përparuan me shpejtësi deri 25 kilometra pranë Seulit, kryeqytet i Koresë së Jugut. Nën thirrjen e Gjeneralit Douglas MacArthur, një hero i Luftës së Dytë Botërore që ishte i ngarkuar me pushtimin e Japonisë, SHBA dërgoi trupa dhe pajisje për të mbështetur koreano jugorët, nën flamurin e OKB. Por deri në fillim të shtatorit, Korea e Veriut kontrollonte pothuajse të gjithë gadishullin.

MacArthur mendoi për një sulm të befasishëm: 40 mijë ushtarë dhe marinsa zbarkuan në bregun shkëmbor të Inchon në brigjet perëndimorë, prapa vijave të armikut, me qëllimin që të ndërpriste linjat e furnizimit dhe të zinte në kurth trupat koreano veriore. Basti e shpërbleu. MacArthur dhe trupat e tij morën pjesën më të madhe të jugut dhe rikthyen qeverinë e Rhee në Seul. Lufta mund të kish marrë fund aty po të mos kish qenë për “të Kuqtë”. I frymëzuar nga suksesi i tij si dhe nga urrejtja për komunizmin, MacArthur shkoi përtej Paralelit 38. Presidenti Truman, duke shpresuar të mbante Bashkimin Sovjetik dhe Kinën jashtë luftës, preferoi diplomacinë dhe jo një ofensivë të re. Por MacArthur këmbënguli, duke siguruar Trumanin se forcat kineze dhe sovjetike nuk do të ndërhynin. Gabohej: Teksa trupat e aleatëve morën Phenianin në fillim të nëntorit dhe lëvizën në drejtim të kufirit të Koresë së Veriut me Kinën, 300 mijë trupa kinezë sulmuan, të pasuar nga gjysmë milionë trupa shtesë në fund të vitit, duke e ndryshuar tërësisht aritmetikën e luftës. Me sulmin e Kinës, mbështetja e amerikanëve për luftën nisi të bjerë. Sjellja e MacArthur nuk ndihmoi aspak. Në mars të vitit 1951, pa u konsultuar me Uashingtonin, ai dërgoi një ultimatum, me anë të të cilit urdhëronte kinezët që të dorëzoheshin. Në prill, Truman e largoi MacArthurin. Por deri në qershor 1951 lufta kish hyrë në një qorrsokak atje ku kish nisur, në Paralelin 38. Betejat dhe negociatat për paqe zgjatën më shumë se një vit.

Në ndërkohë, Trumani kishte vendosur të mos kandidonte përe një mandat të tretë. Zgjedhjet e nëntorit 1952 u fituan me shumicë nga Gjenerali Eisenhower, republikan dhe një tjetër hero i Luftës së Dytë. Ndonëse ai kërkonte të tregohej më shumë forcë në negociata, ato gjithësesi u zvarritën, të ndërprera prej ofensivave nga të dy palët, duke përfshirë një betejë shumë të ashpër në prill 1953 për një copë toke relativisht të pavlerë, ku gjetën vdekjen 100 amerikanë. Më në fund, në 27 korrik 1953, u firmos një marrëveshje armëpushimi në Panmunjom, Korenë e Veriut, e cila krijonte një zonë të demilitarizuar dy milje të gjerë përreth paralelit 38. Por pas vdekjes së 34 mijë amerikanëve, 500 mijë trupave dhe civilëve koreano jugorë dhe deri në 1.4 milionë koreano veriorë e kinezë, si dhe disa mijëra ushtarë nga trupat aleate, kufiri mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut ishte praktikisht po aty ku kish qenë në kohën kur kish nisur lufta. Gjenerali Mark Clark, komandant i forcave të OKB, më vonë do të shkruante se ishte “i pari komandant i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që firmoste një armëpushim pa fitore”. Rhee, presidenti koreano jugor refuzoi të firmosë. Veriu dhe Jugu mbetën teknikisht në luftë.

Për pothuajse 40 vite pas kësaj, Korea e Veriut luhatej mes demokracisë dhe autoritarianizmit, duke shkuar nëpër një seri grushtesh shteti, zgjedhjesh, protestash, dhe vrasjesh, edhe në një kohë kur ekonomia e saj vazhdoi të zhvillohet. Zgjedhjet e vitit 1988 sollën prosperitetin që shohim sot në jug si dhe shfaqjen e Koresë së Jugut si një fuqi prodhuese, me ekonominë e 15 më të madhe në botë. Në Korenë e Veriut, Kim Jong Il edhe ai solli industrializim, por ai besonte tek mbështetja në forcat e veta, që praktikisht do të thoshte izolim. Përreth tij erdhi e u formua një kult personaliteti, dhe njerëzit e thërrisnin “Udhëheqësi i Madh”.

Kim ndërtoi një ushtri me një milion ushtarë dhe ndërkohë që pati herë pas here kriza – në vitin 1968, koreano veriorët kapën një anije të zbulimit amerikan, “Pueblo”, dhe burgosën për 11 muaj ekuipazhin – pati edhe disa herë përpjekje për të bërë paqe me Korenë e Jugut. Por shumë shtete nuk do të bënin tregti apo nuk do t’i jepnin ndihmë Koresë së Veriut, duke e zhytur edhe më shumë në izolim. Si rezultat, Korea e Veriut nuk përfitoi nga ndryshimet teknologjikë që i mundësuan Koresë së Jugut, Japonisë, Taivanit dhe Kinës të prosperonin. Dhe “shembja e bllokut komunist në fillimin e viteve nëntëdhjetë e la Korenë e Veriut me shumë pak miq”, shkruante Times. “Që atëherë, Korea e Veriut, një diktaturë e armatosur deri në dhëmbë por e paaftë të ushqejë popullin e vet pa ndihmën e huaj, është specializuar në provokimin e komunitetit ndërkombëtar për të siguruar mbijetesën”.

Kim nisi të përpiqet të ndërtojë një bombë atomike. Teksa perëndimi i ushtronte presion që të ndërpriste programin bërthamor, ai dukej sikur tërhiqej pas premtimeve për ndihmë. Tensioni qe shumë i madh në maj 1994, kur Kim ra dakord për samitin e parë me liderët e Koresë së Jugut. Por ai vdiq 17 ditë para se të niste samiti. Djali i tij i madh, Kim Jong Il që tashmë kishi nisur të thirrej ‘Udhëheqësi i Shtrenjtë” mori pushtetin. Times shkruante: “Njeriu që pritet të jetë lideri i ardhshëm i Koresë së Veriut është përshkruar si një terrorist i pamëshirshëm, një playboy i llastuar dhe një drejtues problematik që do të ketë telashe në kontrollimin e vendit të tij”.

Kim e vazhdoi programin bërthamor të Koresë së Veriut, edhe teksa vendi i tij merrte tatëpjetën. Përmbytjet katastrofike në mesin e viteve nëntëdhjetë shkaktuan një zi të madhe buke dhe e detyruan të rishohë izolimin total. Më në fund, në vitin 2000 u organizua një samit mes Veriut dhe Jugut. Familje të ndara nga lufta për më shumë se 40 vjet u lejuan të takohen për një kohë të shkurtër. Por Veriu dhe Jugu janë ende teknikisht në gjendje lufte sot, dhe tensioni vazhdon të jetë u lartë. 28 mijë trupa të ShBA janë të vendosura në jug. “Shkaku kryesor i luftës mbetet i pazgjidhur: problemi i bashkimit”, thotë Edwards i Qendrës për Studime të Luftës Koreane. Dhe vitet e izolimit të Koresë së Veriut “e kanë vendosur në një pozicion ku nuk ka asgjë për të humbur”.

HT – Bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button