Gjysma e popullatës së Maqedonisë janë duhanpirës, sipas ligjit duhet të paguajnë 100 euro gjobë në vendngjarje

Gati gjysma, gjegjësisht 45 deri 50 për qind e popullatës në Maqedoni janë duhanpirës. Sipas analizave të Institutit për sëmundje të mushkërive, në vend janë regjistruar 700 mijë duhanpirës, që në vit harxhojnë 11 tonë cigare, apo në mesatare 5.5 kilogram duhan për kokë banori, shkruan gazeta KOHA. Analiza të tjera tregojnë se qytetarët e Maqedonisë harxhojnë çdo ditë nga 240 mijë euro për cigare, apo 80 milionë euro në vit.

Analiza e Institutit për shëndet publik vërteton se viteve të fundit është rritur numri i duhanpirësve. Nëse në vitin 2002 42 për qind e popullatës ishte duhanpirëse, tani kemi një rritje në 46 për qind. Pra, të dhënat tregojnë se përkundër masave rigoroze të Ligjit anti-duhan, që e ndalon tërësisht pirjen e duhanit në objektet e mbyllura hotelerike, megjithatë në rritje është numri i duhanpirësve.

Një grup deputetësh nga mazhoranca propozoi ndryshime në ligjin anti-duhan. Propozimi, sipas tyre, bëhet për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike në shtet si dhe uljes drastike të punës së objekteve të ndryshme hotelerike.

Një nga ndryshimet kyçe që parashikohen me ndryshimet ligjore është t’u jepet mundësi hotelierëve që të përcaktojnë hapësirë të veçantë për duhanpirësit, ndërsa në të gjithë pjesët e tjera të përcaktohen si të ndaluara për konsumin e cigareve. Ndryshimet në ligjin aktual u japin mundësinë pronarëve për të caktuar një dhomë të veçantë për duhanpirësit dhe të gjitha pjesët e tjera të lokalit të vendosin etiketa që tregojnë në mënyrë të qartë ndalimin e pirjes së duhanit.  Pirja e duhanit është e lejuar vetëm jashtë objektit të biznesit (tarracë, kopsht, etj), vetëm në qoftë se hapësira është e mbuluar dhe e hapur së paku në tri anët e së cilës nuk ka pengesa (xhami, fletë metalike, plastike, etj) ose në hapësira të hapura që nuk janë të mbuluara.

Sipas Ligjit që ndalon konsumimin e duhanit nëpër ambientet e mbyllura hotelerike, duhanpirësit për mosrespektim të Ligjit duhet të paguajnë 100 euro gjobë në vetë vendin e ngjarjes, ndërsa dënimet për mosrespektim nga hotelierët dhe bizneset janë prej 2.500 deri 4.500 euro, ndërsa për personat përgjegjës është prej 100 deri 300 euro. Sipas Ligjit për veprimtarinë hotelierike është parashikuar edhe mbyllja e objektit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button