U hap Unaza e Madhe e Tiranës, Veliaj e Majko bëjnë xhiron e parë

Në prag të vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës hapi sot për automjetet segmentin e Unazës së Madhe që lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën.

Në këtë mënyrë pritet të  zgjidhet problemi i trafikut të makinave që vijnë nga sheshi “Shqiponja” dhe Kombinati në drejtim të qendrës, si dhe të atyre që udhëtojnë drejt juglindjes.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Pandeli Majko, në mënyrë simbolike hoqi barrierat kufizuese, duke i hapur rrugë qarkullimit të automjeteve.

Parashikohet se hapja e Unazës së Madhe do të lehtësojë trafikun në kryeqytet.

Erion Veliaj: “Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që vijnë nga zona të tjera të Shqipërisë, që nëse hyjnë nga autostrada e Durrësit në drejtim Elbasanit, Librazhdit, Pogradecit, Korçës, të mos futen më në Tiranë, pasi mjafton të përdorin këtë segment të Unazës së Madhe për të dalë në Farkë e për të vazhduar me autostradën Tiranë-Elbasan.  

Anasjelltas, kush vjen nga juglindja drejt veriut e këshilloj të mos kalojë nga Rruga e Elbasanit, por të përdorë sërish këtë by-pass për të dalë menjëherë në autostradën tjetër”.

Kreu i bashkisë i kërkoi mirëkuptimin e banorëve të zonave përreth që të kalojnë në mbikalimet e vendosura përgjatë gjithë këtij segmenti në mënyrë që të shmangen aksidentet.

Erion Veliaj: Është një rrugë e cila lidh njerëzit, është një mjet pune. Nuk është një kënd lodrash për të xhiruar gomat apo për të ngritur motorin në rrotë të parë. Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake do të monitorojnë që rruga t’i shërbejë qëllimit për të cilin është krijuar dhe jo qëllimeve të tjera. Ndaj u kërkoj të gjithë qytetarëve të ecin brenda kufirit të lejuar

Deputeti i PS, Pandeli Majko e cilësoi hapjen e segmentit të ri të Unazës së Madhe një ditë të shënuar.

Mendoj se është një nga arteriet më të rëndësishme të Tiranës dhe nga pikëpamja e veprave që janë kryer pas zgjedhjeve të fundit të Bashkisë, nuk gaboj të them që pas Bulevardit të Ri, kjo arterie është e dyta më e rëndësishme që Tirana dhe qytetarët e Tiranës do ta gëzojnë. Pres me padurim të shoh makinat e para të cilat do të kalojnë këtej dhe do të jetë një lehtësim shumë i madh edhe për rrugët e tjera”

Me një gjatësi prej 2.1 km, segmenti Komuna e Parisit-Shkolla Teknologjike është e kategorisë A2 e përshtatur për zona urbane me rrugë kryesore, rrugë paralele dhe e konceptuar si rrugë shpejtësie me 12 hyrje-dalje të disiplinuara.

Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe për të rritur sigurinë e qytetarëve, janë ndërtuar dhe katër mbikalime automjetesh në disnivel, mbikalime këmbësorësh të pajisura dhe me ashensor për PAK, si dhe në të dy senset e lëvizjes janë ndërtuar trotuarë si dhe korsi biçikletash.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button