Bayern, Ancelotti: Nuk ia garantoj vendin e titullarit askujt

Çështja “Mueller” ka pushtuar prej kohësh Gjermaninë, e veçanërisht botën e futbollit. Por Carlo Ancelotti duket se nuk ndihet rehat teksa i ka bërë bisht disa herë reagimeve të mundshme, e një të tillë e ka bërë së fundi, transmeton Top Channel. 

“Mueller është lojtar i mirë, është në formë dhe nesër (e shtunë) mund të luajë. Falënderoj të gjithë për opinionet e tyre, por nuk kam nevojë për këshilla”, është shprehur tekniku italian i Bayern Munchen.

Sulmuesi 27-vjeçar gjerman nuk rezulton më titullar i padiskutueshëm te bavarezët, aq sa “SportBild” ka shkruar se Liverpool, Chelsea dhe Arsenal janë duke shqyrtuar terrenin e mundshëm për të siguruar shërbimet e tij. E deri më tani nuk është përjashtuar fakti që edhe lojtari mund të marrë në konsideratë interesimin e tyre.

“Flas çdo ditë me Thomasin, – shpjegon Ancelotti. Fakti që një futbollist nuk ndihet mirë kur ulet në pankinë është mëse normal, më ndodhte edhe mua vet kur isha lojtar. Çdo futbollist duhet të japë më të mirën e tij. I njoh mirë cilësitë e Thomasit, por nuk mund t’i garantoj askujt vendin e titullarit, e kjo vlen edhe për të. Kemi shumë futbollistë të rëndësishëm dhe është thuajse e pamundur që të zhvillojmë të gjithë sezonin me vetëm 11 elementë. Do të ketë rotacione, shpesh Mueller do të luajë, por disa herë edhe jo. Në momentin kur janë që të gjithë futbollistët në dispozicion, është normale që dikush të përfundojë…edhe në tribunë. Do të doja t’i aktivizoja të gjithë në fushë, por detyra ime është të përzgjedh 11 më të mirët. Gjithsesi dua të them se të gjithë futbollistët e mi te Bayern janë të rëndësishëm, edhe kur ata nuk luajnë”, vijon Ancelotti.

Megjithatë, sipas Ancelottit nuk është e drejtë të thuhet se Mueller nuk po gjen hapësira. “Ka luajtur 73% të ndeshjeve që kur unë jam trajner i Bayernit. Bierhoff ka thënë se ai duhet të luajë gjithmonë? E përsëris, e di shumë mirë se çfarë po bëj dhe nuk kam nevojë për këshilla”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button