Uragani “Irma” pritet të dërrmojë Shtetet e Bashkuara

Uragani “Irma” do të jetë shkatërrimtar për Floridën, apo shtetet fqinje të saj në jug të Shteteve të Bashkuara.

Mjaft i frikshëm dhe i drejtpërdrejtë ishte paralajmërimi i Brock Long, kreu i Agjencisë federale të Emergjencave, ndërsa stuhia kolosale, që la pas një vazhdë shkatërrimi e viktimash në Karaibe, u është drejtuar Shteteve të Bashkuara, transmeton Top Channel.

Duke konsideruar fuqinë e stuhisë, Long tha se disa pjesë të Floridës mund të mbesin pa energji elektrike për ditë të tëra, e më shumë se 100 mijë njerëzve mund t’u duhet strehim. E ndërsa Florida është zbrazur nga turistët, banorët e saj vazhdojnë ethshëm të marrin masa sa më mirë që munden, për t’u përballur me stuhinë.

Meteorologët paralajmërojnë se “Irma” do të godasë Floridën me erëra me shpejtësi 275 km/h dhe më shumë se 500 mijë njerëz janë këshilluar të braktisin jugun e këtij shteti. Urdhrat e evakuimit të detyrueshëm kanë ardhur për ata që banojnë në zonat bregdetare, por edhe shumë njerëz të tjerë i janë bashkuar eksodit, duke shkaktuar kaos në trafik dhe radhë të gjata në autostrada.

Ndërsa Florida pret më të keqen, zona të mëdha të Karaibeve po përballen me pasojat katastrofike të kalimit të “Irmës”, e cila ka rrafshuar ndërtesa të tëra, e bilanci provizor i viktimave ka arritur në 18.

Ishulli i Shën Martinit, i ndarë mes Francës dhe Holandës, është ai më i dëmtuari, ku janë shfaqur edhe skenat e para të plaçkitjeve mes rrënojave, ndërsa shumica e banorëve janë të pastrehë. Pas raporteve për banda me armë dhe hanxharë në rrugë, autoritetet holandeze thanë se do të dërgojnë ushtarë dhe policë në ishull, ku duket se veç katastrofës natyrore, “Irma” solli edhe fundin e sundimit të ligjit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button