Dimitrov: Dëshirojmë që Maqedoninë ta nxjerrim nga pasiguria

Ekzistojnë çështje në rajon të cilat akoma nuk janë zgjidhur në tërësi dhe dëshirojmë që Maqedoninë ta nxjerrim nga pasiguria, ndërsa së dyti, dëshirojmë të jemi si shumica e vendeve-anëtare të BE-së të kemi shoqëri demokratike në të cilën mbisundon e drejta. Vetëm ky drejtim mund të na çojë drejt prosperitetit më të madh, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në një intervistë për “Dojçe Velen”.

I pyetur për aspiratat për hyrje në BE dhe NATO, Dimitrov tha se është prioritet absolut, pasi që me pozitë gjeografike i takojmë Evropës, gjithsesi se dëshirojmë të jemi pjesë e BE-së dhe NATO-s dhe se kjo është strategji mjaft e rëndësishme për stabilitetin tonë.

“Gjatë vizitës së ministrit grek Koxijas, të mërkurën e kaluar në Shkup, i diskutuam masat për ndërtimin e besimit. Akoma nuk i kemi filluar negociatat. Ato definitivisht do të fillojnë para fundit të vitit. Unë e bëj atë që mendoj se duhet të jetë punë e diplomatëve: zgjidhjen e problemeve, hapjen e dyerve dhe krijimin e miqve. Ndoshta nuk do të mund ta ndryshojmë historinë, por me siguri mund të tentojmë të ndikojmë në të ardhmen dhe ta bëjmë jetën më të mirë për qytetarët tanë sot. Ky është qëllimi ynë”, deklaroi Dimitrov, në përgjigjen e pyetjes për marrëveshjen me Greqinë.

I pyetur nëse pret nga Athina të ndalojë me bllokimin e anëtarësisë në BE dhe nëse Maqedonia është e gatshme për Kompromis për çështjen rreth emrit, Dimitrov, tha se në esencë, kontesti rreth emrit nuk duhet të jetë pengesë për integrimin tonë.

“Kemi Marrëveshje të përkohshme me Greqinë, e cila u pajtua që të mos e pengojë integrimin tonë. Kemi aktgjykim nga Gjykata Ndërkombëtare. Por, qëllimi ynë nuk është të akuzojmë. Besojmë se nëse duhet të jemi aleatë, pasi që hyrja në NATO dhe BE do të thotë të jemi aleatë me Greqinë, atëherë keqkuptimet duhet t’i zgjidhim përmes dialogut. Është koha e fundit që rajoni të bëhet mjaft i guximshëm që të dalë prej llogoreve të historisë dhe të garojë në atë që është me të vërtetë e rëndësishme për qytetarët: me mbrojtjen më të mirë shëndetësore, arsimin më cilësor dhe prosperitetin më të madh. Ky është këndvështrimi ynë i gjërave”, deklaroi Dimitrov.

Dimitrov, lidhur me Rutën ballkanike, tha se duhet të bëjmë gjithçka që ajo të mbete e mbyllur, pasi që, të gjithë ne, duke i përfshirë edhe refugjatët, kemi interes për ndihmë të organizuar dhe duhet të luftojmë kundër migrimit ilegal.

I pyetur, nëse Maqedonia nëse bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, do të pajtohet t’i pranojë refugjatët, Dimitrov tha se para së gjithash, në interes të qytetarëve të Maqedonisë është që Maqedonia të hyjë në BE, dhe kur të jemi pjesë e BE-së, atëherë definitivisht do të jemi të gatshëm që barrën ta ndajmë me BE-në. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button