fbpx

Rasti “Monstra”, harrohet ligji për dëshmitarët!

Me dymbëdhjetë shtator sërish do të ketë seancë për rastin Monstra, mirëpo kësaj radhe familjarët dhe avokati i të akuzuarve nuk mbajnë shumë shpresa se do të zgjidhet diçka, duke qenë që ende nuk u miratua ligji për dëshmitarët i cili do të ishte kyç për zbardhjen e rastit në fjalë.

Ejup Alimi nga BDI dhe Hari Llokvenec nga LSDM bëjnë të ditur se për momentin nuk po punohet në një ligj të tillë.

“Ende nuk ka asgjë të re, jemi në pritje”, tha për Portalb, Alimi. “Ende nuk është diskutuar për këtë ligj, për momentin gjëra tjera janë prioritare”, tha për Portalb, Llokvenec.

Ndërkaq nga PSP, Ljubomir Llape thotë për Portalb, se nuk ka asgjë të re sa i përket këtij rasti.

Nga ana tjetër Bedri Ajdari familjari i të akuzuarve për rastin “Monstra”, thotë për Portalb.mk se shpresat kanë qenë të mëdha që qeveria e re të bëjë diçka lidhur me zbardhjen e rastit, por ja që ende madje as edhe ligji për dëshmitarët nuk është aprovuar.

“Shpresa është një gjë ndërsa mendimi është tjetër. Unë kam menduar dhe kam prit që do të bëhet rishikimi apo rihapja e rastit Monstra, si dhe ndryshimi i ligjit për dëshmitarët sepse na e lehtëson punën, më lehtë do të vinim deri ta zbardhja e rastit, mirëpo kjo nuk u bë. Gjërat po vonohen, njerëzit po vazhdojnë ta vuajnë dënimin pa faj dhe nuk shkoj ndonjë logjik të shëndoshë këtu, por çfarë mund të bëjmë ne në këtë rast? Shpresat u bënë të kota, nuk ka nga ato asgjë. Pa i parë gjërat që kanë filluar të funksionojnë drejt, nuk mund të themi asgjë. Tërë kohë shpresojmë që do bëhet diçka por nuk po bëhet”, tha për Portalb, Ajdari.

Ai shtoi se e kupton që PSP i janë grumbulluar shumë probleme dhe çështje që duhet të zgjidhen mirëpo që disa duhet të kenë prioritet.

“E kuptojmë që problemet me vite janë grumbulluar mirëpo Prokuroria speciale duhet të ju jep përparësi disa gjërave që me të vërtetë kanë prioritet”, shtoi Ajdari.

Avokati mbrojtës Naser Raufi thotë për Portalb.mk se rasti “Monstra” bazohet në dëshminë e dëshmitarit të koduar, dhe po të mos e bllokonte radhës kaluar BDI miratimin e ligjit për dëshmitarët, ky rast tani më do ishte zbardhur.

“Vetë prokurorja speciale Katica Janeva ishte ajo që tha se na duhet ligji për dëshmitarin e koduar që të zbardhet rasti i Monstres konkretisht, edhe raste tjera. Rasti jonë bazohet në dëshmitë e këtij dëshmitari të koduar i cili ka dhënë gjashtë deklarata të ndryshme deri tani që nënkuptojmë që nuk e tregon të vërtetën. Këtë ligj radhën e parë e bllokoi BDI-ja, por të mos ndodhte një gjë e tillë ne ishim duke e zbardh këtë rast, por këtë vonesë e krijuan këta që mos të kalojë ky ligj. Sa kam informacione unë tani për tani nuk punohet asgjë sa i përket këtij ligji, nuk ka prioritet, por mendoj që pa këtë ligj shumë është rënd të zbardhet ky rast pasi që i gjithë montimi është të ky dëshmitari i koduar”, tha për Portalb, Raufi.

Ai shtoi se nuk mjaftonte mos të miratoj ligji, po gjithashtu këshilli i seancës së 12 shtatorit është i montuar dhe do të vështirësojë zbardhjen e rastit.

“Ta shohim deri me 12 shtator a do ketë diçka, së paku provat që i premtoi prokuroria speciale të jepen të prokuroria e shtetit ë mendoj se mund ta kompensojmë në njëfarë mënyrë mungesën e ligjit. Për seancën e 12 shtatorit ne nuk kemi ndonjë shpresë konkrete, sepse dëgjuam se këshilli është i montuar dhe do të mundohen që të mbulojnë dhe të mos del montimi i rastit. Përveç të ligjit që nuk u aprovua tani kemi problem edhe me këshillin e montuar”, tha për Portalb, Raufi.

Ndërkaq Prokuroria Speciale në fund të afatit për paraqitjen e padive për shpërdorime të ndryshme, nuk nisi hetime edhe për këtë ngjarje që vazhdon të jetë aktuale në vend./Portalb

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close