Barcelonë-Madrid, përballje edhe në politikë

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy tha se do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të anulojë një ligj të miratuar nga Parlamenti rajonal katalanas për të mbajtur një referendum për pavarësinë e kësaj krahine, transmeton Top Channel. 

Referendumin e planifikuar për më 1 tetor, Rajoy e cilësoi të jashtëligjshëm. Aktualisht, krahina e Katalunjës gëzon autonomi, por qeveria rajonale thotë se ka mbështetjen popullore për ndarjen e plotë.

“Çfarë s’është e ligjshme, është edhe antidemokratike. Ligji i miratuar nga Katalunja është një akt i papranueshëm mosbindjeje dhe do t’i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese ta anulojë”, tha Mariano Rajoy, kryeministër i Spanjës.

Rajoy shtoi se të gjithë këshillave lokale do t’u kujtohet detyra e tyre për të penguar ose paralizuar referendumin.

Më herët, kryeprokurori spanjoll Jose Manuel Maz tha se do të padisë deputetët katalanas dhe anëtarët e qeverisë katalanase për firmosjen e ligjit, ndërsa shtoi se i ka kërkuar forcave të sigurisë të marrin vesh se çfarë përgatitjesh kanë bërë autoritetet në Katalunjë për referendumin.

Parlamenti rajonal i Katalunjës miratoi të mërkurën vonë ligjin për referendumin, duke bërë gati fushëbetejën e radhës me Madridin zyrtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button