Mynih, 5 Shtator 1972 kur terrori zbret në Olimpiadë, terroristët vranë 11 atletë izraelitë

. Që nga pengmarrja në Fshatin Olimpik, tek operacioni i dështuar

60 Jahre Bundesrepublik - Olympia-Attentat

Si qytetar i një vendi të mbërthyer në të kaluarën e tij, Dr. Georg Sieber kish një aftësi të spikatur për të parashikuar të ardhmen. Në muajt para Olimpiadës 1972 në Mynih, organizatorët i kërkuan Sieberit, atëherë një psikolog 39-vjeçar, që të parashtronte atë që ekspertë të sigurisë e quajnë skenari më i keqi mundshëm. Duke studiuar grupet më të pamëshirshëm të epokës, që nga IRA irlandeze tek OÇL palestineze dhe separtatistët baskë të ETA, si dhe Bandën Baader-Meinhof të RFGJ, ai parashtroi 26 raste, secili i imagjinuar deri në deaje apokaliptikë. Shumica e skenarëve fokusoheshin në Fshatin Olimpik, komuniteti simbolik global i Lojërave; njëri që nuk parashikonte këtë fshat – një avion i rrëmbyer nga një grup suedez i ekstremit të djathtë i përplasur në një stadium olimpik – ishte kumti për një ditë shtatori, në një tjetër qytet, shumë vite më vonë.
Por në 5 shtator 1972, në Lojërat Olimpike të Mynihut, historia nuk priste.

Mynih-1972
Ajo kopjoi tmerr pas tmerri një prej skenarëve të Sieberit. Psikologu u kishte dorëzuar organizatorëve Situatën Nr. 21, e cila kish këto detaje: Një mëngjes, në orën 5.00, dhjetëra palestinezë do të hynin nga gardhi që rrethonte Fshatin. Ata do të pushtonin ndërtsën ku ndodhej delegacioni izraelit, do të vrisnin një apo dy pengje, më pas do të kërkonin lirimin e të burgosurve që mbaheshin në burgjet izraelitë, si dhe një avion për të fluturuar bashkë me disa prej tyre në një kryeqytet arab. Edhe nëse nuk arrinin të çlironin shokët, parashikoi Sieberi, ata “do të kthenin Lojërat në një demonstrim politik dhe do të përgatiteshin për të vdekur… Në asnjë mënyrë nuk duhet pritur që ata të dorëzohen”. “KONSIDEROHUNI TË VDEKUR”
Me sa duket, Sieberi parashikoi ngjarjet e 5 shtatorit që përpara se “Shtatori i Zi” t’i kishte planifikuar. Plani nuk ish përpiluar deri në 15 korrik, kur Abu Daoud dhe Abu Iyad u bënë bashkë me një jetër lider të “Shtatorit të Zi”, Abu Mohammed në një kafene në Piazza della Rottonda, në Romë. Në një artikull, në një qoshe gazete, ata lexuan se Komiteti Olimpik as nuk i ish përgjigjur Federatës Palestineze të të Rinjve për të marë pjesë me një ekip të vetin në Olimpiadë. “Nëse refuzojnë të na pranojnë, përse të mos penetrojmë në Lojërat sipas mënyrës tonë?” pyeti Abu Mohammed.
Dy ditë më vonë, Abu Daoud ishte në Mynih për të studiuar terrenin në Fshatin Olimpik. Në 7 gusht, ai u kthye, këtë herë bashkë me një ndihmës, Tonin. Të dy konkluduan se komandot mund të kapërcenin gardhin me tela duke hipur në shpinën e njëri-tjetrit. “Por pastaj, një prej nesh do të mbetet pas”, vërejti Toni. “Do jem unë aty për të ndihmuar të fundit”, tha Abu Daoud.
Në 24 gusht, Abu Iyad fluturoi nga Algjeri në Frankfurt bashkë me një mashkull dhe një femër që e shoqëronin dhe pesë valixhe identike “Samsonite”. N ë doganë hapën vetëm valixhen e femrës – ku nuk kishte asgjë përveç veshjeve të brendshme. Abu Daoud u takua me Abu Ilyad në një hotel në qendër të Frankfurtit, ku mblodhën armët e pesë valixheve në vetëm dy të tilla. Ditën tjetër, i trasportuan me tren në Mynih, ku i vendosën në sirtarët me kyç në stacionin e trenit.


Dhe u rikthye edhe një herë në Fshatin Olimpik, këtë herë me një grua siriane. Teksa grupi i atletëve brazilianë po hynte në dyert e Fshatit, ajo i tha një rojes në gjermanisht: “Miku im është brazilian dhe sapo njohu një shok shkolle. A mund ta përshëndesim? Vetëm 10 minuta”. Roja i lejoi. Dy ditë më vonë, Daoud iu afrua të njëjtit roje. “Miqtë e mi janë zemëruar me mua”, i tha. “U thashë dje se do të isha në gjendje të hyja në Fshat dhe takoja atletët tanë”. Roja i lejoi sërish 3 “brazilianët” që të hyjnë. Në kujtimet e tij Abu Daoud shkruan: “Nuk mund të kish nisur më mirë – por më e mira ende s’kish ardhur. Pesë minuta më vonë mbërritëm përpara 31 Connollystrasse dhe papritur pashë një grua të re, zeshkane që doli nga dera”. Ajo qe atashuar pranë delegacionit izraelit. Hynë në bisedë me të, i thanë që janë brazilianë që kishin dashur gjithmonë të vizitonin Izraelin. Ajo i shoqëroi brenda në vilë, u tregoi gjithçka, duke shtuar se të gjithë katet e delegacionit izraelit qenë të tilla. Brenda, palestinezët mbajtën shënime për detajet e secilës dhomë, përfshirë vendndodhjen e telefonëve dhe televizorëve. “Ajo s’mund ta dinte sa shumë na e kish lehtësuar punën”, shkruan Abu Daoud. “Tani e dinim se misioni ynë i parë do të qe të merrnim kontrollin e këtij apartamenti në katin përdhes. Kish shumicën e daljeve dhe akses në katet e mësipërm, si dhe bodrumin. Pasi të ish marrë nën kontroll ndërtesa, komandot do të rigrupoheshin këtu bashkë me izraelitët e kapur”.

… Në orën 9 të mbrëmjes, palestinezët u grumbulluan në një restorant pranë stacionit të trenit për udhëzimet finale. Kur të ishin marrë peng izraelitët, askush nuk do të lejohej në ndërtesë, përveç ndonjë zyrtari të lartë gjerman, që ndoshta do të kërkonte të shihte gjendjen e pengjeve. Abu Daoud thotë se u kërkoi fedajinëve të tregohen të përmbajtur: “Operacioni për të cilin jeni përzgjedhur është në thelb politik… të kapen këta izraelitë të gjallë… Askush nuk mund t’ju mohojë ju të drejtën për të përdorur armët për vetëmbrojtje. Sidoqoftë, do të qëlloni vetëm nëse nuk keni rrugë tjetër… Nuk është puna tek likuidimi i armiqve, por kapja e tyre si të burgosur për shkëmbime në të ardhmen. Granatat janë për më vonë, për t’u vetëmbrojtur deri në vdekje”. Issa, njeriu më i afërt i tij shtoi: “Nga ky moment, konsiderohuni të vdekur. Si të vrarë në aksion për kauzën palestineze”.

Diku afër orës 3.30 të mëngjesit, të gjithë u nisën me taksi në drejtim të fshatit. Teksa i afroheshin gardhit, vërejtën një tjetër grup me pajisje nxemjeje: atletë amerikanë që ktheheshin nga një natë në qytet, duke qeshur zhurmshëm dhe të shkujdesur. Daoud u kërkoi shokëve të tij të bashkoheshin me ta, të përdornin amerikanët si mbulesë. “Jo vetëm që njerëzit e mi u përzien me amerikanët, por ne edhe i ndihmuam”, kujton ai. “Dhe ata na ndihmuan ne. ‘Hej, mor burrë, ma jep të ta mbaj unë çantën’. Ishte surreale – të shihje amerikanët, që as nuk u shkonte në mendje që po ndihmonin “Shtatorin e Zi” të hynte në Fshat”. Edhe pjesa më e madhe e delegacionit izraelit kish qenë jashtë në qytet atë natë – në një shfaqje të “Violinisti mbi çati”.
“Rrezik, djema! Terroristë!”


Ndoshta Yossef Gutfreund ndodhej në Lojëra për të ofruar siguri për izraelitët. Ndoshta jo. Gutfreund dëgjoi kërcitjen e derës në pragun e atij dupleksi. Kur dera u hap në errësirë, ai vërejti tytat e disa armëve. Lëshoi trupin e tij prej 132 kilogramë përkundër derës dhe thirri: “Rrezik, djema! Terroristë!” Për disa sekonda Gutfreund arriti të pengojë hyrjen e tyre, duke lejuar shokun e dhomës, trainerin e peshëngritjes Tuvia Sokolovski që të thyejë një dritare anësore dhe të largohet nga oborri i pasëm. Por terroristët, duke përdorur tytat e armëve të tyre si leva, shumë shpejtë arritën të shtrijnë përdhe Gutfreundin. Ata kapën trainerin e atletikës Amitzur Shapira dhe trainerin e qitjes Kehar Shorr nga një dhomë në katin përdhes. Kur Issa hapi derën për në dhomën tjetër, traineri i mundjes Moshe Weinberg u hodh drejt tij me një thikë kuzhine. Issa u hoq mënjanë, i palënduar, ndërkohë që një tjetër terrorist qëlloi një plumb me AK-47 e tij duke ia shpuar pjesën anësore të gojës.

Terroristët tërhoqën zvarrë në katet e sipërm pengjet e paarmatosur dhe arritën të nënshtrojnë edhe dy banorët e dhomës atje, Springer dhe trainerin e skermës, Andre Spitzer. Duke lënë pas grupin e parë të pengjeve, Toni dhe pesë fedajinë të tjerë shtynë Weinberg – që mbante një shall në gojën që rridhte gjak – jashtë në Connollystrasse dhe dy dyer më poshtë, ku një tjetër apartament i mbushur me izraelitë ndodhej mu buzë rrugës. Atje kapën David Berger dhe një peshëngritës nga Shaker Heights, Ohio, që kish imigruar kohët e fundit në Izrael; një tjetër peshëngritës, Yossef Romano që ishte me paterica për shkak të një dëmtimi; si dhe mundësit Eliezer Halfin, Mark Slavin dhe Gad Tsabari. Shumica kishin dëgjuar të shtënën që plagosi Weinberg, dhe kuriozë, ishin larguar nga dhoma për të rënë në duart e terroristëve. Fedajinët morën pesë pengjet e rinj dhe i bashkuan me të parët.


Sapo grupi ishte rikthyer ne holl, Tsabari lëvizi me shpejtësi poshtë shkallëve dhe në garazhin poshtë, ku me zig-zage dhe duke u fshehur pas shtyllave të betonta nga plumbat e palestinezëve u largua. Weinberg u përpoq të përfitojë nga kaosi. A kapi një prej terroristëve duke ia hequr armën – një tjetër terrorist, pasi hoqi dorë nga Tsabari, që mundi të arratiset, i dha fund Weinbergut.
Komandot i mblodhën pengjet në katin e dytë të apartamentit të parë dupleks. Romano, një peshëngritës i lindur në Libi dhe veteran i Luftës së Gjashtë ditëve eci përpara, por rrugës ai hodhi tej patericat dhe rrëmbeu një Ak-47 nga një prej terroristëve. Një tjetër palestinez e qëlloi për vdekje.
Një pastruese që ishte rrugës për në punë i kishte telefonuar zyrës së sigurisë të Olimpiadës në 4:47 për të raportuar se kish dëgjuar të shtëna. Një polic i paarmatosur shkoi në 31 Connollystrasse dhe gjeti një komando me kapuç tek dera. “Cfarë do të thotë kjo?” pyeti ai. Komando e injoroi, por qëllimet e Shtatorit të Zi – një grup që e mori emrin nga vdekja në Shtator të 1970 e 4000 fedajinëve që luftonin kundër ushtrisë jordaneze të Mbretit Husein – do të bëheshin të qartë shumë shpejt. Fedajinët rrokullisën kufomën e Weinberg në rrugë, si shenjë e seriozitetit të tyre.

Në orën 5:08, dy copa letre u hodhën nga balkoni, dhe ranë në duart e një polici. Komunikata rendiste emrat e 234 të burgosurve që mbaheshin në burgje izraelitë, plus, në një përpjekje për të fituar simpatinë e të majtëve, Andreas Baader dhe Ulrike Meinhof, guerilasit më të njohur urbanë në Gjermani. Nëse këta nuk liroheshin deri në orën 9.00, do të vritej një peng. “Një në çdo orë”, i tha Issa policit. “Dhe do të hedhim kufomat e tyre në rrugë”.

Tension
Fedajinët e dinin që në fillim se izraelitët nuk kish gjasa të bënin lëshime ndaj kërkesave të tyre. Megjithatë, ata e shtynë afatin përfundimtar. Issa dilte herë pas here nga godina për të diskutuar me zyrtarë gjermanë, zakonisht me një granatë në xhepin e këmishës. Ekipi i krizës u vu në kërkim të një plani. Në fillim terroristëve iu ofrua një sasi e pakufishme parash. Genscher, që më vonë do të bëhej kryeministër i bëri thirrje Issait që të mos shaktonte sërish vdekje hebrenjsh në tokë gjermane, më pas u vetëofrua si një zëvendësues pengjesh. Edhe të tjerë zyrtarë u vetëofruan në këtë ofertë, por Issa refuzoi sërish. Avery Brundage, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar tha se kujtonte që në 1920, policia e Cikagos kish futur gaz në ndërtesa për të mposhtur gangsterët. Por autoritetet braktisën idenë e Brunages. Ata u përpoqën të veshin policë si kuzhinierë, dhe këta të sulmonin terroristët kur të çonin ushqimet. Por fedajinët nuk mund ta hanin këtë; ata urdhëruan që furnizimet të liheshin tek pragu.
Terroristët e shtynë edhe dy herë afatin e ultimatumit, në 3 dhe më pas në 5, duke ditur se çdo vonesë vetëm e dyfishonte audiencën televizive. “Kërkesa për të liruar vëllezërit tanë të burgosur kish vetëm vlerë simbolike”, do të thoshte më vonë Al Gashey. “I vetmi qëllim i aksionit ishte të frikësohej publiku botëror gjatë ‘Olimpiadës së lumtur’ si dhe të ndërgjegjësohej ky për fatin e palestinezëve.
Një tjetër plan, ai për të futur 13 policë përmes kanaleve të sistemit të ngrohjes dështoi. Kamerat televizive të TV-ve që transmetonin gjithë kohën ofruan pamje të policëve civilë në veprim, gjë që u pa nga i gjithë publiku dhe nga vetë terroristët. Pak para orës 5 të pasdites, terroristët bënë një kërkesë tjetër. Ata kërkuan një avion për të transportuar ata dhe pengjet drejt Kairos. “Nuk besoja se izraelitët do të negocionin me ne në Gjermani, prandaj bëmë një plan për të marrë një avion dhe pengjet drejt një tjetër vendi arab”, thotë Abu Daoud. Që atje, besoja se ata do të negocionin lirimin e të burgosurve tanë”. Palestinezët e liruar duhej të prisnin në pistë në Kairo në orën 8 të ditës tjetër. Nëse nuk ndodhte, u tha Issa gjermanëve, Shtatori i Zi do të ekzekutonte pengjet para se të nisej avioni. “Këta janë njerëz të pafajshëm”, protestoi Genscher.

“Unë jam ushtar. Jemi në luftë”, ia priti Issa.

Sidoqoftë, këtu më në fund gjermanët panë një hapësirë. Nëse kriza ndërronte vendndodhje, do të kish autobusë, helikopterë dhe avionë, sheshi i një piste aeroporti – ndoshta një shans për të rrethuar fedajinët. Por përpara se të procedohej, gjermanët donin të siguroheshin për dy gjëra: që pengjet ishin ende gjallë dhe që ata ishin të gatshëm të fluturonin drejt Kairos.
Genscher dhe Triger u shoqëruan në katin e dytë të Apartamentit 1. Pengjet u thanë se nëse liria e tyre kalonte nga një kryeqytet arab, ata ishin të gatshëm. Por zëdhënësi i pengjeve, Shorr, më i moshuari në delegaconin si dhe një luftëtar i rezistencës gjatë Luftës së Dytë, shtoi se në një rast të tillë ata supozonin se “qeveria jonë do të përmbushë kërkesat e terroristëve. Përndryshe, ne do të na vrasin”. “Me fjalë të tjera”, tha Genscher, “nëse qeveria juaj nuk bie dakord për shkëmbimin e të burgosurve, ju nuk do të ishit të gatshëm të largoheni nga territori gjerman”.

“Nuk do të kish kuptim”, tha Shorr. Të jesh izraelit, do të thotë të njohësh mirë politikën e vendit tënd ndaj terroristëve. Sigurisht, secili peng duhet të ketë dyshuar se fati i tij ishte në duart e gjermanëve – që episodi do të përfundote në Mynih, jo në Kairo, për mirë apo për keq.

Issa vendosi një ultimatum tjetër, për në orën 9 të darkës dhe përsëriti premtimin për të vrarë një peng në çdo orë, deri kur gjermanët të ofronin avionin. Qeveria izraelite nuk do të miratonte kurrë rrëmbimin e qytetarëve të vet në një destinacion armik. Sigurisht, Gjermania, duke patur parasysh historinë e vet, nuk mund të miratonte në heshtje këtë gjë. Ndoshta një avion mund t’u ofrohej terroristëve, por nuk duhej në asnjë mënyrë të lejohej të ngrihej. Egjipti nuk kish thënë asgjë nëse do të lejonte avionin të ulej.

Gjermanët shqyrtuan një plan të fundit për të liruar pengjet përpara se të transportoheshin me helikopter nga Fshati për tek avioni. Schreiber propozoi të vendoseshin policë të armatosur në shtyllat e betonit në garazhdin nëntokësor. Policët do të shënjestronin fedajinët teksa këta shoqëronin pengjet. Por Issa, gjithnjë dyshues kërkoi që transferimi i shkurtër të bëhej me autobus. Pak momente më vonë, në sheshin e fshatit, 17 pengmarrës dhe pengjet hipën në dy helikopterë Iroquois. Ekipi i krizës kishte tashmë shumë pak shpresë se pengjet do të mbijetonin. “Ishim 99 % të sigurtë se nuk do të ishim në gjendje të arrinim objektivin që kishim”, do të thoshte më vonë Shcreiber. “Ndiheshim si doktorët që përpiqen të risjellin në jetë të vdekurit”.

Asnjë izraelit nuk ka mbijetuar ta kundërshtojë, por nëse beson Al Gayshein, gjendja shpirtërore në bordin e helikopterit që i transportonte nga Fshati Olimpik për në Fuerstenfeldbruck ishte e mirë, qoftë edhe për ndryshimin e pamjes. “Të gjithë dukeshin të relaksuar, edhe pengjet madje”, ka thënë ai. “Ne në ajër kishim ndjesinë se në një farë mënyre kishim arritur atë që donim. Për herë të parë mendova për pengjet që ishin ulur aq pranë – në kontakt fizik. Kujtova urdhërat që kishim për të vrarë pengjet nëse do të ndodheshim në një situatë ushtarake të pashpresë. Por mendova gjithashtu se askush nuk na kish stëvitur për të vrarë njerëz të paarmatosur”.


“Të dënuar për të dështuar”
Schreiber ia kish besuar operacionin në Fuerstenfeldbruck zëvendësit të tij, Georg Wolf, i cili kish një plan. Dy helikopterët do të uleshin 100 metra larg një “Lufthansa 727”, që gjoja po priste i gatshëm për të fluturuar drejt Kairos. Pasi terroristët do të sillnin pengjet tek avioni, 17 policë, disa të maskuar si pjesë ekuipazhi do t’i sulmonin – gjithmonë nëse snajperët e policisë nuk do të kishin pamje të mirë teksa grupi ecte nëpër pistë.
Por në avion, 15 minuta para se helikopterët të zbrisnin në tokë, policët ishin rebeluar ndaj atij që e shihnin si një mision vetëvrasës. Shumica ndodheshin në pjesën e pasme të avionit, ku besonin se vetëm një granatë terroristësh do të mjaftonte për t’i asgjësuar. Sa për ata që luanin rolin e pilotëve, ata do të ishin në vijën e zjarrit të policisë prapa avionit – dhe veç kësaj ishin maskuar keqas, pasi nuk u ishin dhënë uniforma të plota të Lufthansas. Pasi i dëgjoi, oficeri i ngakuar, Reinhold Reich u kërkoi të votojnë njerëzve të tij, dhe këta vendosën unanimisht të braktisin misionin. Ishte një rebelim i pakonceptueshëm për një izraelit. Por Gjermania Perëndimore, të cilës nuk i duhej besuar me ushtarë dhe armë, nuk kish njësi të forcave speciale, asgjë si Sayeret Matkali izraelit apo SAS-i britanik. Me helikopterët që po uleshin, plani i Wolf mbetej tashmë vetëm tek snajperët – pesë të tillë. Pilotët e helikopterëve ishin vërdallosur në ajër për t’u dhënë kohë gjermanëve të përgatiteshin për sulmin dhe për të lejuar një helikopter të tretë, ku ndodhej Schreiber, Genscher dhe Merk, që të ulej para të tjerëve.
“Sa gjë e ndyrë që ndodh në minutën e fundit”, i tha Schreiber Wolfit kur e takoi.

“Çfarë?” e pyet Wolf.
“Që ata janë tetë”.
“Çfarë? Do të thuash që janë tetë arabë?”
“Çfarë po më thua, tani po e merr vesh ti, nga unë?”

Kështu ishte. Për arsye që nuk dihen, ai kish menduar se ishin vetëm pesë terroristë. Por tani, snajperët nuk e dinin që ishin më të paktë në numër. Tashmë plani varej nga saktësia e pesë snajperëve, asnjëri prej të cilëve nuk kish kryer stërvitje speciale. Të gjithë ishin zgjedhur thjeshtë sepse stërviteshin në konkurencë me njëri-tjetrin gjatë fundjavave. Megjithatë, tre zunë pozicion në tarracën e kullës së kontrollit. I katërti u shtri në pistë, prapa një parapeti të betontë. I pesti zuri vend pas një kamioni.

Helikopterët u ulën në orën 10:35 të natës. Në fillim dolën katër pilotët dhe pesë fedajinë. Ndërkohë që pjesëtarë të tjerë të “Shtatori i zi” u mbanin armët tek koka pilotëve, Issa dhe Toni dolin të kontrollonin avionin. Dyshimet e tyre, që kishin nisur tashmë nga zgjatja e udhëtimit me helikopter, duhet të jenë shtuar shumë kur gjetën avionin të boshatisur. Teksa rendën prapa drejt helikopterëve, Wolf dha urdhër të hapej zjarr.

Ngjarjet që pasuan janë edhe sot e kësaj dite një mjegull kaosi, gjakderdhjeje dhe kontradiktash. Sidoqoftë, ja skenari me më shumë gjasa: të shtënat mbushën ajrin në katër minutat e para. Me gjashtë terroristë të dukshëm, snajperët vranë dy dhe plagosën për vdekje një të tretë. Por tre të tjerët, përfshirë Issa dhe Toni, mundën të shpëtojnë. Teksa pilotët rendën të fshihen, të mbijetuarit palestinezë dolën prapa helikopterëve, prej ku goditën sa më shumë drita aeroporti që të mundeshin.
Ato të shtëna fillestare u pasuan nga një orë tension gjatë të cilës asnjë palë nuk qëlloi më shumë se disa herë. Në këtë moment, një lloj skuadre elitë duhet të ketë sulmuar pozicionet e palestinezvëe. Por një njësi seciale sulmi e policisë që erdhi me helikopter afro gjysmë ore pasi nisën të shtënat, zbriti në anën tjetër, afro 2 km larg vendit ku ndodhnin ngjarjet. “Dështimi më i madh ishte që nuk kishim aq snajperë sa nevojiteshin”, thotë Ulrich Weneger, lejtnant kolonel në ushtrinë gjermane që shërbeu si këshilltar në terren për Genscherin atë ditë, si dhe njeriu që drejtoi GSG-9, njësinë e forcave speciale që qeveria gjermano-perëndimore krijoi dy javë pas kësaj fiaskoje. “Dështimi i dytë ishte që nuk kishin forca speciale për të sulmuar helikopterët”.


Përndryshe, forcat gjermane mund të kishin sulmuar me autoblinda. Por gjashtë të tilla që u urdhëruan të shkonin në vendngjarje kishin ngecur në trafik, kryesisht i shkaktuar nga njerëz kuriozë që nxitonin drejt Fuerstenfeldbruck, a thua këtu po zhvillohej një tjetër Olimpiadë. Një prej tyre ishte drejtuar për në Riem, aeroporti civil i Mynihut. Në një tjetër moment, një shofer i një makine policie kish dëgjuar në radio vendndodhjen e vërtetë, kish shkelur në moment frenat, duke shaktuar një tjetër kaos trafiku.

Pak para mesnate, blindat më në fund arritën të shkojnë tek helikopterët. Pikërisht këtu humbën jetën pengjet, po të gjykosh nga ajo që mund të bëhet bashkë prej raportit te kryeprokurorit bavarez, të mbajtur fshehur shume gjatë. Një terrorist ekzekutoi katër pengjet brenda njërit helikopter, duke vrarë Springer, Halfin, Friedman si dhe plagosur Berger. Më pas ai u shtri përtokë, u rrotullua dhe hodhi një granatë në kabinën e helikopterit, përpara se të qëllohej edhe vetë për vdekje. Përpara se zjarri nga ai shpërthim të mbërrinte në serbator dhe të shndërronte në ferr helikopterin, Issa doli nga poshtë helikopterit tjetër duke qëlluar me AK-47 e tij gjermanët. Policia e vrau atë dhe një fedajin tjetër. Më tej, një tjetër komando ekzekutoi pengjet e tjerë – Gutfreund, Schorr, Slavin, Spitzer dhe Shapira.

Berger ishte pengu i fundit që vdiq. Ai kish marrë dy plumba jo vdekjeprurës në gjymtyrët e poshtëm, por vdiq për shkak të asfiksimit nga tymi. Tre fedajinë, të gjallë e të paplagosur u shtrinë përtokë, dy duke bërë gjoja si të vdekur. Policia i kapi dhe 40 minuta më vonë, me ndihmën e qenve dhe gazit lotsjellës, policia gjeti Tonyn të fshehur poshtë një vagoni treni në kufi të pistës, duke e vrarë gjatë një shkëmbimi të shkurtër zjarri.

E shtëna e fundit, në orën 12:30 i dha fund një operacioni pothuajse tre orësh që, siç ka thënë më vonë një zyrtar që mori pjesë “ishte i dënuar të dështonte që në fillim”. Edhe sot, gjermanët nuk kanë shpjeguar asnjëherë në mënyrë të pranueshme përse nuk kishin vendosur dy apo tre snajperë për çdo terrorist. Terroristët nuk kishin as armë të preçizionit të lartë dhe as jelekë antiplumb. Aeroporti ushtarak ishte i ndriçuar pak, policia kish ngritur tre kulla ndriçimi, por në atë natë pa hënë kullat shkaktonin hije të mëdha ashtu si edhe helikat e helikopterëve, dhe asnje prej snajperëve nuk ishte pajisur me syze për të parë natën. Disa netë më vonë, gjatë një stërvitje për të rindërtuar ngjarjen, pjesëtarë të një skuadre nga zyra e kryeprokurorit të Bavarisë u vendosën pikërisht aty ku kishin qenë pesë snajperët e policisë. Me pajisje për të parë natën, secili ishte në gjendje të dallonte figurat brenda helikopterëve. / Përgatiti: Bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button