Tmerr në Rusi: Nga të shtënat e 15 vjeçarit në shkollë u plagosën katër vetë

Katër vetë, një mësuese dhe tre nxënës, janë dërguar në spital pas të shtënave të një 15 vjeçari me një pushkë ajrore dhe hedhjes së një granate dore tymosëse, në një shkollë në pjesën verilindore nga Moska.

Zyra e prokurorit për rajonin e Moskës ka njoftuar se nxënësi i klasës së nëntë është arrestuar pas incidentit të sotëm në qytetin Ivantejevka.

Zëdhënësja e Komitetit Hetues për rajonin e Moskës, Varvara Yayeva, tha se është plagosur mësuesja e informatikës, e cila duket se ishte cak i këtij sulmi.

Tre nxënësit e tjerë janë lënduar pasi kishin kërcyer nga dritaret e klasës, për shkak se ishin frikësuar për jetë.

Kanë filluar hetimet lidhur me këtë sulm.

Incidentet e këtij lloji janë të rralla në Rusi dhe në përgjithësi në shtetet, që dikur ishin në kuadër të ish-Bashkimit Sovjetik.

Shumica e shkollave ruse e kanë filluar vitin e ri shkollor më 1 shtator.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button