PUSI (I)

Terri binte nga pullazet, futej nëpër dritare, i mbushte dhomat, i mbulonte pullazet, i mbështillte pemët, i fshihte lulet, e shtynte ditën matanë malit kah perëndimi dhe i hapte dyert e mëdha natës. Ngadalë dhe padiktueshëm e shtrinin mbretërinë e tyre frika e pasiguria. Ishte luftë. Gjithë ditën e lume policia, paramilitarët dhe ushtria bashibozuke e granatonin fshatin. Pastaj një heshtje e rëndë…

Nata filloi të thyehej dhe të lëvaret kah gjysma e saj e dytë dhe vazhdonte njëfarë ndërprerje e zjarrit pa marrëveshje. Nëna e shkretë me dy djemtë e saj ishte vonuar dhe ishte lodhur nga udhëtimi i gjatë nga qyteti në fshat ku ishte nisur t’i strehojë dy djemtë e saj të mitur, njëri dhjetë vjeç e tjetri katërmbëshjetë. Një udhëtim nëpër nëpër male, nëpër xina, xingona e udhë dhish. Shkonte nëna drejt fshatit ku ishte rritur dhe ku e njihnin edhe shkëmbinjtë, shkonte e mbushur me bindje se atje ishte siguria. Jo për vete, s’e kishte për vete, por për djemtë. Po deshi perëndia para mëngjesit do të arrinte në shtëpinë ku ishte lindur e ku ishte rritur. Në shtëpinë nga e cila shkoi nuse në qytet katër a pesë orë larg. Djemtë po i dorëzoheshin Hypnosit, i cili e kishte ftuar në ndihmë dajmonin e ëndrrës Oneirin, i cili si një frymë e lehtë kapërceu nëpër gjethet e lisave të malit dhe në pamjen e të Bukurës së Dheut doli e buzëqeshur para djemve. Pastaj e hapi një derë të argjendtë duke shfaqur para njërit, të voglit – një shtrat me pupla dhe nënën e cila po o thoshte “bjer tash, biri i nënës! Jemi në shtëpinë e gjyshit”, kurse tjetrit Oneiri, ky pronar i ëndrrave i tregoi një rresht burrash të cilët ecnin malit përpjetë të rrethuar me paramilitarë të armatosur. “Babi”! bërtiti djali i madh dhe i fërkoi sytë, kurse nëna u drodh. “Edhe pak, bir, edhe pak… Do të arrijmë. Do të vijë në fshat edhe babi”! Djali u ygjua, ndërkaq i vogli që e mbante nënën për dore, njëherë u ul e pastaj u shtri.Nëna e shkretë e shkundi për supesh, e puthi, pastaj e stërpiku me pikat e fundit të ujit të matares që e kishte marrë me vete. Dhe, ëndrra u tërhoq para vullnetit të nënës. Në vazhdim nëna mendonte: “Vallë ku është tash im shoq”? Ai kishte shkuar në UÇK, si shumë burra të tjerë, mirëpo shumica e burrave të tjerë kishin çuar një lajm se janë gjallë, kurse i shoqi i saj – jo. Pastaj i dëgjonte hapat e tij se si nga e kaluara e afërt vinin duke kumbuar korridorit e përfundonin në veshët e saj. Gjithmonë kjo grua fisnike e kishte pritur të shoqin dhe rehatohej atëherë kur hapat e tij kumbonin në korridor ose kur kur vringllonte ngadalë çelësi i derës. Kurrë nuk kishte fjetur pa ardhur ai dhe kur vinte ajo e priste me një gotë tambël. E ndizte llambën dhe i pëshpëriste: “Pije”, i thoshte, “të bën mirë”.

Ecte nëna me hapa të sigurt bashkë me djemtë e saj, të madhin që tash ecte i frikësuar për të jatin dhe me të voglin i cili luftonte me pronarin e gjumit dhe me dajmonin e ëndrrave.

Më në fund u dëgjua të pëlliste një lopë. “Jemi në shtëpi”, tha nëna dhe pas disa hapash u gjetën para derës së madhe, të cilën e gjetën të hapur. Atëherë në lindje e ngriti kokën dhe e tregoi ballin e saj të artë aurora dhe djali i madh e pa lopën të lidhur e të uritur. Barku i kafshës së gjorë ishte ngjitur. Djali vrapoi e shkoi ta zgjidhë, të kulloste e lirë. Atëherë fryu një erë e lehtë dhe lart në katin e parë u hap një derë e vajtoi nga era që herë e mbyllte e herë e hapte.

Nëna  dhe dy djemtë e saj u ngjitën shkallëve. Tashmë dielli ishte ngjitu një osten mbi malin e lindjes. Të gjitha dyert i gjetën të hapura, tri sa ishin. Hynë në njërën – s’kishte njeri, hynë në të dytën – as aty s’gjetën kënd. Edhe e treta ishte e zbrazur. Ishte e qartë: diçka kishte ndodhur! “Ku kanë shkuar gjyshi dhe të tjerët nënë”? pyeti djali i madh, kurse i vogli u lëshua mbi qilim dhe iu dorëzuan Hypnosit. Djali i madh e ndjeu njëfarë frymëzimi, njëfarë force e cila i thoshte se është rritur, pastaj iu hodh nënës në përqafim dhe i tha: “Mos u mërzit, nënë! Do t’i gjejmë! Gjyshin. Dajët, babin… Dhe, nuk je vetëm. Më ke mua! Ulu tash, nënë”! Nëna u ul, kurse djali e mori një shtambë dhe doli të marrë ujë te pusi që gjendej në fund të kopshtit të madh të shtëpisë. E pa lopën që kulloste si e trentë, ngase do të kishte qenë gjatë kohë e lidhur dhe i erdhi keq. Pastaj iu afrua pusit. Për fat të keq pusi as çekrek kishte, as kofë. Djali e zgjati kokën përmbi pus, por nuk e pa ujin si dikur, por në thellësi ishte paluar errësira e dendur. U kthye në dhomë dhe i tregoi nënës. “Nënë” i tha. “Pusi s’ka as çekrek, as kovë, asgjë. E as uji nuk duket. Brenda e ka kapluar errësira.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button