Një shef mafioz italian është arrestuar pas 23 viteve arrati

Njëri prej njerëzve më të shumëkërkuar të Italisë, është arrestuar në Uruguaj pas 23 vitesh arrati, për t’i shpëtuar dënimeve për organizata mafioze, trafikim lëndësh narkotike dhe krime të tjera serioze.

Lajmi njoftohet nga Ministria e Brendshme italiane këtë të hënë, teksa shton se Roco Morabito konsiderohej anëtari më i kërkuar në arrati i grupit mafioz kalabrez, ‘Ndrangheta, më e fuqishmja e krimit të organizuar në Itali dhe importuesja më e madhe e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë.

Morabito, 50-vjeçar u arrestua në qytetin resort bregdetar, Punta del Este, pasi policia uruguajane dhe autoritetet italiane bashkëpunuan për të përcaktuar identitetin e tij real.

I mbiquajtur edhe si “mbreti i kokainës së Milanos”, Morabito ka qenë në kërkim prej vitit 1994, kur u zbulua se kishte paguar 13 miliardë lireta (8 milionë dollarë) për të importuar rreth një ton drogë, raporton gazeta “Korriere dela Sera”.

Një urdhërarrest ndërkombëtar u lëshua në vitin 1995, me synimin për ta kapur Morabiton dhe për ta ekstraduar atë në Itali, ku rezulton i dënuar me 30 vite burg. Arrestimi i tij heq në këtë mënyrë njërin prej pjesëtarëve të listës me 5 kriminelët më të kërkuar të Italisë, mes të cilëve edhe bosi siçilian Mateo Mesina Denaro. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button