Koreja e Veriut konfirmoi se ka kryer test me bombë hidrogjenike

Autoritetet verikoreane kumtuan se është kryer test i suksesshëm me bombë hidrogjeni e cila është më e fuqishme se bomba atomike dhe mund të përdoret si mbushje ushtarake për raketat balistike interkontinentale.

Në kumtesën e publikuar përmes televizionit shtetëror, autoritetet e Phenianit tregojnë se lideri Kim Xhong-un ka theksuar se “testi ka qenë sukses perfekt”.

Aktivitete sizmike janë regjistruar sot në Korenë e Veriut dhe sipas mediave perëndimore, ato kanë qenë pesë deri në gjashtë herë më të fuqishme se ato të mëparshme gjatë zbatimit të testimit të pestë bërthamor në Korenë e Veriut.

Sizmologët thonë se është regjistruar tërmet me intensitet prej 6,3 ballësh sipas Shkallës së Rihterit dhe dhjetë minuta më vonë në lokacionin e njëjtë dhe një i ri me intensitet prej 4,6 ballësh.

Gjatë testimit paraprak bërthamor të zbatuar në shtator të vitit 2016, goditja ka qenë me intensitet prej 5,3 ballëve.

Seuli në një reagim, kërkoi “përgjigjen më rigoroze të mundshme” duke përfshirë edhe sanksione të reja nga Këshilli i Sigurimit të KB-së që të izolohet në tërësi ky shtet.

Mediat amerikane njoftojnë se Seuli dhe Uashingtoni sot kanë biseduar për zhvendosjen e kapaciteteve strategjike amerikane në Gadishullin korean.

Niveli i radiacionit në lindjen e largët në Federatën ruse është në nivel normal pasi Koreja e Veriut testoi, bombën hidrogjenike.

Pekini e dënoi ashpër testimin e ri bërthamor të Koresë së Veriut dhe ju bëri thirrje autoriteteve në Phenian të “ndalojnë me ashpërsimin e situatës me hapa të cilat nuk janë në interesin e tyre”.

“Koreja e Veriut e anashkaloi kundërshtimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe kreu testim të ri raketor. Qeveria kineze është kundër kësaj dhe shpreh dënim rigoroz për këto veprime”, thuhet në kumtesën e MPJ-së kineze.

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë japoneze, Joshihide Suga deklaroi sot se variantet për sanksione ndaj Koresë së Veriut përfshinë edhe kufizimin e tregtisë me naftë.

Disa aeroplanë të FAU japoneze janë duke e kontrolluar atmosferën për nivelin eventual të rritur të radiacionit, njoftojnë mediat japoneze.

Aeroplanët e armatës janë dërguar në rajonin e Detit japonez ku po kryhen analizat. Qeveria japoneze konfirmoi se Koreja e Veriut ka kryer testim të ri bërthamor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button