Veteranët e UÇK’së ‘ultimatum’ Qeverisë

Deklaratat e shefit të FMN’së, Ruud Vermeulen, se buxheti s’i përballon pensionet e veteranëve të UÇK’së nuk po u bëjnë shumë përshtypje këtyre të fundit. Madje, Hysni Gucati, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK’së thotë se FMN s’ka as arsye të merret me ta, pasi sipas tij, vetëm qeveria e Kosovës duhet tu bëjë zgjedhje.

Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë Ruud Vermeulen, gjatë ditës së djeshme në një intervistë për Express ka thënë se buxheti i shtetit të Kosovës s’i përballon pensionet e veteranëve të UÇK’së.

Ai ka thënë se kompletimi i reformave në pensionet e veteranëve të luftës se UÇK duhet të bëhet urgjentisht

“Ligji për buxhetin e vitit 2017 përfshin një kufizim të hollësishëm për shpenzimet në pensionet e veteranëve të luftës për t’u siguruar se shpenzimet e tilla nuk do ta vënë në rrezik qëndrueshmërinë fiskale. Thirrja për riklasifikimin e veteranëve të luftës në ligjin e ndryshuar për veteranët e luftës pritej t’i ulte shpenzimet në një nivel të qëndrueshëm, por një gjë e tillë ende nuk ka filluar. Prandaj, në mungesë të përshtatjeve në nivelet e pensionit apo numrit të përfituesve, buxheti nuk mund t’i mbulojë kostot e kësaj skeme”, ka thënë Vermeulen.

Shefi i FMN ka bërë me dije se nuk merren me ata se kush ka kontribuar e kush jo në luftë.

“Me lejoni të jem i qartë, nuk na takon neve të vendosim se kush ka kontribuar e kush jo në luftë, por kompletimi i reformave në pensionet e veteranëve të luftës është diçka që duhet të bëhet urgjentisht për t’u siguruar se veteranët, të cilët kanë nevojë dhe i meritojnë ato, t’i marrin pensionet e tyre”.

Por, me deklaratat e shefit të FMN’së nuk po pajtohet  Hysni Gucati kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK’së. Ai në një deklaratë për Express ka thënë se FMN nuk ka pse të merret me ata. Sipas tij, me veteranët duhet të merret vetëm Qeveria e Kosovës.

“Ne kemi pasur edhe më herët takime me drejtuesit e FMN’së, edhe atyre ua kemi bërë të qartë se s’kanë pse merren me ne. Edhe sot me po them se FMN nuk ka arsye të merret me veteranët. Ata mund të flasin me qeverinë për ne dhe të bëjnë zgjedhje, por jo të merren me neve”, thotë ai.

Gucati bënë me dije edhe këtë herë se nëse qeveria nuk e rregullona çështje e pensioneve te tyre, mund te dalin në rrugë.

“Rrugën nuk është që e preferojë, por nëse s’ka zgjidhje ne do te dalim edhe në protesta. Unë besoj që qeveria duhet ti sigurojë paratë për veteranët edhe kjo çështje të përfundoj njëherë e mirë”, thotë Gucati.

Ndërkaq, rishikimi i buxhetit të këtij viti ishte paraparë të bëhet në Kuvend gjatë muajit gusht mirëpo kjo nuk ka ndodhur për shkak se Kuvendi nuk është konstituuar ende pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa ditë më parë ka deklaruar se, për shkak të pamundësisë së rishikimit të buxhetit, si pasojë e moskonstituimit të institucioneve, pagesat e pensioneve për veteranët mund të shtyhen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button