Vizita e Koxias në Shkup, shenjë që Greqia mund të bëjë kompromis për Maqedoninë

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare konsiderojnë se bisedimet e drejtpërdrejta mes Shkupit dhe Athinës zyrtare, nuk paraqesin kthesa radikale që do të çonin kah zgjidhja e kontestit për çështjen e emrit, megjithëse thonë se marrëdhëniet e ngushta në frymë pozitive mes dy vendeve fqinje, i hapin rrugë zhbllokimit të procesit të integrimit të Maqedonisë në strukturat e aleancës veri-atlantike, shkruan REL.

Këto komente vijnë pas mesazheve të së enjtes në Shkup nga ana e shefave të diplomacive mes dy vendeve, Nikola Dimitrov të Maqedonisë dhe Nikos Kozias të Greqisë, se janë diskutuar modalitet që do të çonin kah zgjidhja e kontestit të çështjes së emrit.

Bekim Kadriu, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se edhe kundrejt faktit të shprehur zyrtarisht nga Athina zyrtare se pa e zgjidhur çështjen e emrit, Maqedonia nuk mund të anëtarësohet në NATO, duke intensifikuar takimet në një nivel mirëbesimi, ky qëndrim mund të modifikohet duke zhbllokuar procesin e integrimit në strukturat veri-atlantike për Maqedoninë.

Këto kontakte dhe ky vullnet i mirë që ekziston për momentin nga ana e të dyja palëve mund të çojë kah arritja e një kompromisi që do t’i mundësonte Maqedonisë të anëtarësohet në NATO. Për këtë nevojitet pëlqimi i Greqisë ngase anëtarësimi në strukturat veri-atlantike bëhet me konsensus nga ana e të gjitha shteteve anëtare”.

Pra mund të bëjë një lëshim Greqia që Maqedonia të anëtarësohet në NATO me referencën e përkohshme, dhe në të njëjtën kohë Maqedonia të premtojë përkatësisht të japë garanci se do të futet në negociatat më të thella lidhur me ndryshimin e emrit dhe zgjidhjes së këtij kontesti që zgjatë tanimë dy dekada”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bekim Kadriu, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës.

Mitko Gaxhovski, njohës i çështjeve politike, për Radion Evropa e lirë thotë se për dallim nga Qeveria e kaluar është e dukshme angazhimi i Qeverisë së re të Maqedonisë, për të tejkaluar dallimet mes Athinës dhe Shkupit zyrtar rreth kontestit për çështjen e emrit, duke demonstruar gatishmëri për kompromis.

Ai, si shumë të rëndësishme e sheh komunikimin e drejtpërdrejtë të shefave të diplomacive të dy vendeve fqinje.

Me qëllim që të absorbohen problemet që kanë për bazë kontestin për çështjen e emrit, nëse ndjekim me vëmendje gjuhën diplomatike është evidente se përmirësohet dukshëm klima e raporteve mes dy vendeve, që çon kah debllokomi i procesit integrues për Maqedoninë”.

Kontaktet e drejtpërdrejta mes dy vendeve kontribuojnë në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, raporte këto që dukshëm ishin acaruar si rrjedhojë e politikave të Qeverisë së kaluar. Megjithatë, më duhet të theksoj për zgjidhjen problemit që ka Maqedonia me Greqinë, duhet që Maqedonia të pranohet si partner i barabartë nga Greqia”, thotë Gaxhovski

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ditë më parë tha se nga negociatori ndërkombëtar për çështjen e emrit Metju Nimic, pret propozime të reja që do të çonin kah një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët, ajo maqedonase dhe greke.

Përderisa, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare megjithatë theksojnë se për të arritur deri tek pika që dy vendet të arrijnë për çfarëdo ujdie për të tejkaluar kontestin për çështjen e emrit, përpos krijimit të marrëdhënieve të mira diplomatike mes dy vendeve fqinje, nevojitet dhe një angazhim i drejtpërdrejtë i faktorit ndërkombëtar, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button