Thaçi: Referendum për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mbrëmë në një intervistë për Radio Kosovën, konfirmoi se qytetarët do të kenë mundësinë që të deklarohen në referendum për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo marrëveshje duhet që të jetë me vullnetin e qytetarëve. Në vazhdim të dialogut në mënyrë të drejtpërdrejtë do të marrin pjesë edhe SHBA-ja, që do të paraqesë garanci të fuqishme për marrjen e masave dhe vendimeve të shpejta, të duhura, afatgjatë dhe funksionale”, theksoi Thaçi.

Thaçi, gjithashtu, ka deklaruar se kanë mbetur shumë çështje të hapura, por, siç ka thënë ai, nuk mund të negociohet deri në pafundësi, pasi që procesi i dialogut duhet të përmbyllet njëherë e përgjithmonë.

“Paqja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është paqe edhe për rajonin, por edhe siguri e garanci për investimet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne nuk kemi kohë për të humbur, duhet të lëvizim më shpejt sepse duam të jemi sa më parë pjesë e Organizatë së Kombeve të Bashkuara, natyrisht edhe e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Sigurisht se Serbia ka objektivat e veta që të jetë pjesë e Familjes Evropian. Por, ne si dy vende mund të lëvizim përpara vetëm duke pasur bashkëpunim, duke ndërtuar fqinjësi të mirë dhe në asnjë rrethanë duke jetuar në një status-kuo”, tha ai duke shprehur besim se do të lëvizet drejt një marrëveshje përfundimtare që do të nënkuptonte pajtimin e dy vendeve dhe natyrisht një bashkëpunim ndërfqinjësor të mirë.

Sipas Thaçit në këtë drejtim Bashkimi Evropian duhet të marrë rolin që i takon, të udhëheqësit të procesit, nën mbështetjen dhe involvimin direkt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti i Kosovës në intervistë paralajmëroi se së shpejti niset për në SHBA dhe konfirmoi se do të realizojë takim me homologun amerikan Donald Tramp.

Lidhur me situatën politike në vend Thaçi ka deklaruar se pret nga spektri politik sa më shpejt të arrijnë një marrëveshje dhe t’i krijojnë institucionet e vendit.

“Definitivisht bota nuk pret, bota po na sheh. Pres themelimin e institucioneve të reja dhe që spektri politik të përmbyllë këtë proces sa më shpejt që është e mundur, për çka edhe kam besim se kështu do të jetë”, shprehet Thaçi në intervistën për Radio Kosovën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button