Vrasja e gjyqtares nga ish- bashkëshorti në Tiranë, frika që zgjaste prej vitesh

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditen  e sotme në zonën e Xhamllikut, ku burri ka vrarë ish- gruan e tij.

Viktima është identifikuar si Fildes Hafizi, 39 vjeç me profesion gjyqtare në Gjykatën Administrative në Shkodër. Siç njofton policia, ish- bashkëshorti Fadil Kasemi e ka mbajtur në vëzhgim për disa orë 39- vjeçaren, dhe më pas e ka qëlluar me dy plumba teksa ajo ndodhej në makinë.

Dëshmitarët e shumtë në vendin e ngjarjes tregojnë se Kasemi nuk ka tentuar të largohet, por është vetëdorëzuar në polici. Menjëherë kanë mbërritur uniformat blu të cilët kanë bërë arrestimin në flagrancë të autorit.

Pas divorcit, gjyqtarja kishte marrë urdhër mbrojtje nga Gjykata, e megjithatë kjo nuk e ka ndalur atë t’i afrohet. Kasemi kishte tentuar ta vriste ish- gruan e tij edhe më parë, konkretisht më 20 korrik të vitit 2015 në plazhin e Golemit ku Hafizi po pushonte së bashku me djalit.

Siç rrëfejnë dëshmitarët për Shqiptarja.com, pas një konflikti të ashpër, Kasemi e ka goditur disa herë me grushte në fytyrë ish-gruan, e më pas ka nxjerrë pistoletën nga një çantë që mbante në dorë duke kërcënuar se do ta vrasë.

Ka qenë ndërhyrja e pushuesve dhe djalit të vogël i cili i është lutur babait që të mos ta vriste që i kanë shpëtuar jetën gjyqtares.

Fadil Kasemi kishte 8 muaj që kishte dalë nga burgu pasi ishte dënuar me 4 vite burgim për veprat penale ‘Dhunë në familje’ dhe “Armëmbajtje pa leje’, por ai bëri vetëm dy vite pasi përfitoi nga amnistia.

Përgjatë gjithë këtyre viteve gjyqtarja ka jetuar me frikën se ish- bashkëshorti do ta vriste.

Ajo kishte kërkuar ndihmën e Gjykatës, Policisë madje i kishte shkruar një letër ambasadorit të SHBA ku i kërkonte ndihmë pasi nuk i kishte mbetur asnjë tjetër që t’i drejtohej, e megjithatë këto nuk kanë mjaftuar për të parandaluar atë që gjyqtarja i druhej.

Ish- bashkëshorti i saj e vrau sot në mesin e ditës në një nga zonat më të populluara në Tiranë me dy plumba duke e lënë të vdekur në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button