THIRRJA E VONUAR..!

Thënia “Më mirë vonë se kurrë “, jo gjithmonë duhet kuptuar si një thënie kuptimplotë dhe të destinuar për qëllim të mirë dhe fisnik. Varësisht nga veprimi konkret dhe dhe destinimi i tij , kjo thënie merr  kuptimin dhe trajtën e plotë. Nëpërmjet këtyre veprimeve, në rrethana dhe momente të caktuara, shpeshherë kjo thënie (keq)përdoret dhe  (keq)interpretohet për arritjen e qëllimeve dhe interesave të caktuara personale dhe grupore.

Së këndejmi, në prag të zgjedhjeve Lokale të 15 tetorit, na shfaqen rishtazi individë , të cilët varësisht nga rrethanat ndryshojnë titujt dhe rolet e tyre nga persona partiakë në intelektual të pavarur. Të njëjtit, në emër të thënies së lartëpërmendur dhe në emër të “shqiptarizmit” ,bëjnë thirrje për unifikim të faktorit shqiptarë me kandidatë dhe lista të përbashkëta për këshilltarë.

Ata iu referohen si shembull unifikues platformës  (deklaratës )së përbashkët të partive politike shqiptare të nënshkruar pas zgjedhjeve të fundit Parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar, e cila duheshka të zbresë edhe në nivel lokal si një e mirë që ndodhi ndër shqiptarët e Maqedonisë.

Është mëse e natyrshme dhe logjike të bëhet thirrje për një unifikim të tillë, por individët, partitë si dhe momenti kur kjo thirrje bëhet, lënë shumë për të dëshiruar për sinqeritetin dhe qëllimin e kësaj iniciative.

“Në  botë do të kishte shumë më pak vend e keqja, në qoftë se do të ishte e pamudur të kryhej nën petkun e së mirës “.

Meqë u referohen platformës së përbashkët të partive politike shqiptare, është mirë që këtyre personave dhe kësaj partie , e cila më tepër se një dekadë ndau pushtetin me një parti maqedonase antishqiptare, t’ua rikujtojmë se nuk ishin ata dhe vullneti i mirë i tyre që rezultuan me nënshkrimin e kësaj deklarate. Ishin partitë e vogla opozitare me të cilat asokohe po këta njerëz dhe po kjo parti tallej duke i quajtur “iniciativa të vogla qytetare “ , ato të cilat në zgjedhjet e fundit Parlamentare i përgjysmuan rezultatin dhe pushtetin kësaj partie.

Si rezultat u nënshkrua deklarata e përbashkët, të cilën kjo parti deshi t’a përvetësojë si meritë të saj, por që në fakt paraqet humbjen e turpshme dhe dështimin e  qeverisjes së tyre disavjeçare dhe fitoren morale të partive të reja politike (iniciativave qytetare ).

Në këtë drejtim, të frikësuar se të njëtin fat do t’a ketë kjo parti edhe në zgjedhjet Lokale të 15 Tetorit, dëshirojnë që kësaj radhe të jenë “një hap përpara humbjes “. Në këtë mënyrë nuk do të kishin nevojë të mundoheshin pas zgjedhjeve për të përvetësuar meritat e të tjerëve, por do t’a shpallnin veten “herojë të shqiptarizmit “, ngaqë nisma ishte e tyre.

Por, vallë, janë të denjë këta njerëz dhe kjo parti për të bërë një thirrje të tillë për unifikim të faktorit shqiptarë?

A nuk ishin këta persona dhe kjo parti që bashkëqeverisën në mënyrë të përkryer me një parti maqedonase e cila me ndihmën e tyre përbuzën çdogjë shqiptare?

Pse në dy ciklet e fundit të zgjedhjeve Lokale përsëritet rezultati i partnerëve qeveritarë, pavarësisht se standardi jetësor i nivelit etnik shënonte të rënie?

Si ka mundësi që këta njerëz dhe kjo parti gjatë gjithë asaj qeverisje me një partner aspak “të kulturuar” ,të mos kenë mësuar kulturën politike që do të krijonte një listë e përbashkët e të gjitha partive shqiptare e për të cilën aq shumë trumbetojnë sot?

Si mund që këta njerëz dhe kjo parti politike që me vite kanë kontribuar në përbuzjen e çdo vlere kombëtare, përbuzjen e inteligjencës qytetare, me një fjalë, kanë qenë shkaktarët kryesorë të një anomije të përgjithshme, të na shfaqen si shpëtimtarë?

Prandaj, të nderuar bashkëqytetarë të mi të Kumanovës, parti politike, shoqata civile dhe çfarëdo qofte forme tjetër organizative, mos u ndikoni dhe mos bini në kurthe dhe lajthitje të këtyre njerëzve dhe këtyre partive të cilat dëshirojnë të kompensojnë humbjen dhe të ndajnë turpin e tyre me të tjerët!

Është e vërtetë që Kumanova ka dhe ka pasur gjithmonë kuadro kualitativë dhe të denjë për të kryer me sukses çdo detyrë që do t’u besohej siç është e vërtetë edhe ajo se frika nga konkurrenca ka qenë gjithmonë prezente, por kjo aspak nuk i amneston këta persona dhe këto parti politike nga përgjegjësia dhe fajësia për bashkëpjesëmarrje në ngulfatjen dhe obstruksionet e bëra këtyre kuadrove kualitativë dhe punëtor.

Kë fajësojnë këta persona derisa gjatë gjithë kohës kanë heshtur dhe nuk kanë dashur të prishin rehatinë dhe të rrezikojnë benefitet nga bashkëpartiakët? Kë përfaqësojnë dhe në emër të kujt këta persona kërkojnë unifikim të faktorit shqiptarë?

Nuk e dimë me saktësi, por një gjë është e qartë : ata mund të përfaqësojnë gjithçka tjetër, por jo edhe qytetarët e Kumanovës dhe ineresat e tyre.

Tërë kohës derisa përbuzen dhe u bëhen padrejtësi qytetarëve heshtin dhe na shfaqen papritmas si persona të cilët nuk paskan ndonjë ineres apo ambicie personale .

Ju lutem!  Nuk është turp të kesh ambicie për të kryer me nder dhe përkushtim çfarëdo pune e cila u besohet dhe për të cilën jeni të kualifikuar për t’a kryer me sukses. Por, shfrytëzimi i një paraqitje të tillë si mburojë për të fshehur ambiciet destruktive dhe të sëmura të personave apo ndonjë grupi të caktuar, a nuk ju duket kjo edhe një përbuzje e inteligjencës suaj, gjë të cilën e kanë bërë vite me radhë?

Riorganizimi dhe uniteti i shqiptarëve tashmë ka filluar dhe ai ka shënuar rezultatet e para në zgjedhjet e fundit Parlamentare, nuk ka nevojë për një thirrje “të vonuar” ,aq më tepër jo nga persona dhe parti politike të cilat duhet të turpërohen të dalin para qytetarëve e lëre më të jenë të denjë për të kërkuar unifikim.

Vërtetë, këto zgjedhje do të vulosin shumë çështje të standardit të etnisë dhe të qytetërimit. Kjo do të ndodhë pa dyshim me unifikimin e vlerave në radhë të parë njerëzore dhe morale, pastaj atyre kombëtare, profesionale, qytetare, kadrovike,pse jo edhe kulturës partiake dhe politike, por duke përjashtuar në çdo mënyrë të qenurit pjesë e këtij unifikimi edhe të atyre personave dhe atyre partive të cilat do të duhet të marrin dënimin e merituar nga qytetarët edhe në këto zgjedhje për dëmin e shkaktuar më shumë se një dekadë qeverisje.

Prandaj, bashkëqytetarë të Kumanovës!

Nuk besoj që edhe njëherë do të lejoni që t’u përbuzet iteligjenca juaj me këso lloj thirrje të vonuara në emër të “shqiptarizmit “ !

Në mënyrë të veçantë u drejtohem juve, intelektual të mirëfilltë dhe të dëshmuar për të cilët kam një respekt të veçantë !

Mos bini në kurthe të tilla dhe të ndërmerrni hapa të gabuar, ngaqë ju do të jeni më përgjegjësit për shmangien e rinisë dhe të ardhmes së Kumanovës nga rruga tashmë e definuar e vlerave dhe perspektivës shpresëdhënëse !

Nuk guxon që një thirrje dhe paraqitje në dukje e çiltër të abuzojë me perspektivën e rinisë Kumanovare!

“Çiltërsia nuk mund të merret si provë e së vërtetës dhe dëshmi e sjelljes së drejtë; ju mund të pini helmin duke besuar se po pini ilaçin e duhur, por, a do ju shpëtonte nga vdekja ky besim?”

*Autorja është kryetare e degës së Unitetit-Kumanovë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button