fbpx

Dimensioni metafizik i kurbanit

Shkruan: Dr. Husein Rizai

Nevoja e njeriut për Krijuesin është edhe falenderim për tërë atë që Ai e ka krijuar. Nevoja e njeriut për Krijuesin është edhe shenjë mirënjohjeje për vetë ekzistencën e tij dhe për çdo gjë përreth tij. Njeriu gjithnjë ka ndjerë nevojë që Allahut absolut t’i drejtohet për ndihmë dhe mbrojtje gjatë ballafaqimit me fenomenet që e rrethojnë, ka pasur nevojë për kurajo, përkrahje, guxim, ngushëllim dhe mbështetje të tjera tipike për njeriun. Këtë nevojë të tij, sipas udhëzimeve hyjnore, njeriu e ka manifestuar në forma dhe mënyra të ndryshme. Njëra nga format e komunikimit ndërmjet Krijuesit dhe krijesës është edhe flijimi, sakrifica, e cila në gjuhën fetare islame njihet si kurban.

Kurbani nuk komentohet me mendje, por me dashuri – me ashk. Njerëzit që zemrat i kanë të ngurta assesi nuk kanë mundësi ta kuptojnë kurbanin. Ata që janë të kapluar nga lukset e kësaj bote nuk kanë mundësi ta kuptojnë as kurbanin, por as Ibrahimin a.s. dhe Ismailin a.s. Në rrethin ku jetojmë, pothuajse çdokush është kurban i diçkaje! Dikush është kurban i pasurisë, tjetri i postit, ndërsa shumë të tjerë janë kurban të pasioneve. Ka prej tyrë që thonë ne asnjëherë nuk bëjmë e as nuk bëhemi kurban i askujt, e në fakt ata janë kurbanë të vetvetes, krenarisë, egos, postit, pasioneve, dhe mu këta jënë të gjorët. Këta njerëz, nuk kanë mundësi të flijojnë asgjë në rrugë të Allahut, sepse janë bërë robër të vetëvetes. Ata që nuk e kuptojnë këtë flijim dhe janë robërit e pasioneve të tyre, Bajramin e kuptojnë si hare, ndërsa Kurbanin si kafshë të thjeshtë.

Në realitet Kurbani është një akt adhurimi dhe një prej treguesve të afrimit te Allahu i Plotfuqishëm. Synim i therrjes së kurbanit është humanizmi dhe bujaria ndaj atyre që nuk mund t’u sigurojnë fëmijëve në sofrat e tyre qoftë edhe një copë mish gjatë kësaj feste. Kafsha që pritet gjatë ditëve të Kurban Bajramit nga ana e muslimanëve, në gjuhën arabe emërohet me fjalën “kurban” apo “ud’hijje”. Në përkthim të fjalëpërfjalshëm, fjala kurban do të thotë t’i afrohesh dikujt apo diçkaje. Prandaj, ai që therr kurban në emër të Allahut, me këtë vepër synon t’i afrohet Zotit të botëve.

Në përgjithësi, në ibadetet e fesë islame kërkohen 3 gjëra apo segmente që e bëjnë ibadetin kuptimplotë dhe nevojën për ibadet adhurim. 1. Motivi ose shkaku. 2. Dobija ose interesi 3. Hikmeti ose urtësia. Në përgjithësi, te të gjitha ibadetet, e në veçanti te kurbani, shkaku, interesi dhe urtësia janë të ndërlidhura me parimin – Lima Hulika Lehu- qëllimin e krijimit të gjërave. Allahu fuqiplotë në Kur’anin Fisnik thotë: “Te Allahu nuk arrin as mishi as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja e juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni All-llahu për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve jepu myzhde.” (Haxh, 37)  Si rrjedhojë, qëllimi, shkaku dhe hikmeti janë se kafsha duhet të pritet, kurse zëvendësimi i kësaj është në kundërshtim me qëllimin e krijimit dhe kjo është padrejtësia më e madhe që mund t’i bëhet Allahut fuqiplotë.

Nënshtrimi ndaj ligjeve të Allahut xh.sh. është nevojë e çdo individi, për arsye se vetëm në këtë mënyrë mund të jetohet një jetë e qetë dhe e lumtur. Në të kundërtën, mospërfillja e ligjeve të Allahut xh.sh. të çon t’u nënshtrohesh interesave të ndryshme, pasioneve, gjërave negative e destruktive.

Allahu fuqiplotë gjithçka na ka nënshtruar neve – diellin, hënën, lumenjtë, kafshët, ndërsa ne duhet t’i nënshtrohemi Allahut. Kjo është natyra dhe obligimi që kërkon Zoti nga njerëzit, e kundërta e kësaj është në kundërshtim me natyrën dhe me besimin. Në qoftë se atyre ua ndryshon vendin dhe qasjen, atëherë, fillimisht karshi këtyre dukurive do të ndjehesh i paaftë, e dalëngadalë paaftësia do ta marrë vendin e frikës, e më pas frika do të zëvendësohet me nder, pastak nderi kalon në shenjtëri dhe në fund arrin deri në besim. Shembulli më i mirë është me egjiptasit e vjetër, të cilët i besonin diellit dhe lumit Nil, dhe i sakrifikonin vajzat e tyre duke i hedhur në lumin Nil. E njëjta ndodhë me popullin indian, për ta lopa është e shenjtë, dhe kjo shenjtëri erdhi duke e kundërshtuar urdhërin e Allahut që të sakrifikojnë atë për Zotin. Zoti kërkon që të sakrifikohet lopa, mirëpo ata e bënë të kundërtën dhe kjo është padrejtësi ose shirk, e në fakt shirku/padrejtësia është prishja e hierarkisë.

Me rastin e prerjes së kurbanit, nga besimtarët kërkohet që të sakrifikojnë kurban që është pa të meta, sepse kjo reflektohet në imanin që e tyre, nëse sakrifikohet kafshë me të meta kjo tregon se edhe besimi është me të meta. Si rrjedhojë, imani/besimi bëhet i verbër, dhe nuk ka mundësi të shihet e vërteta ose të shijohet kënaqësia, por çdo gjë që do të përjetohet, do të jetë pa besim dhe iman.

Zoti nga besimtarët kërkon që të kenë besim të plotë, e këtë më së miri e tregon në Kuranin Fisnik, ku thotë: “O ju që besuat, hyni në islamizmin e tërësishëm (Përqafoni fenë islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik i juaji i hapët.” (Bekare, 208)

Si i bëhet Kurban Allahut – kafshët me thikë ndërsa, njeriu me dorëzim siç u dorëzuan pejgamberët e Allahut. Gjithsesi, kurbani pritet në emër të Allahut duke e madhëruar dhe duke e lartësuar Atë. Përpos kësaj, prej besimtarit kërkohet që çdo veprim ta bëjë me emrin e Allahut: çdo punë të mirë dhe të hajrit ta fillojë me Bismil-lah (me emrin e Allahut); kur të kërkojë ndihmë kundër shejtanit të thotë: Eudhubil-lah (kërkoj mbrojtjen e Allahut); atëherë kur mahnitet dhe kur habitet thotë Mashallah (shumë mirë); në rast të pendesës/teubes thotë: Estagfirullah (kërkoj falje nga Allahu); në çdo gëzim dhe hare thotë: Allahu Ekber (Allahu është më i madhi); në raste mërzie dhe dëshpërimi thotë: Inna Lil-lah (të Allahut jemi); gjatë shqetësimeve të ndryshme thotë: Fe subhanallah (çdo lavdërim i takon Allahut); në çdo fitore apo ngadhnjim thotë: Nasrun minallah (fitorja vjen nga Allahu); në rast të përfitimit të pasurisë apo të ardhurave materiale thotë: Er-rrizku al-Allah (furnizimi është nga Allahu); për çdo dëshirë dhe kërkesë nga Zoti thotë: Inshallah (nëse do Allahu); pas kryerjes apo përfundimit të ndonjë pune të rëndësishme të thotë: Bi-idhnil-lah (me lejen e Allahut); në ballafaqimet me problemet dhe vështirësitë e jetës të thotë: La havle ve la kuvvete il-la bil-lah (Nuk ka forcë dhe fuqi që mund të ndodhë pa lejen dhe caktimin e Allahut) dhe në çdo premtim thotë Vallah-Bil-lah (pasha Allahun, për Allahun)!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close