Përfundoi takimi Thaçi- Vuçiq në Bruksel, ja çfarë komenton Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit të sotëm në Bruksel me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq, tha se dy vendet kanë nevojë për një marrëveshje “të re e përfundimtare” e cila, sipas tij, do t’i rregullonte raportet mes dy vendeve për të ardhmen.

“Edhe Kosova edhe Serbia, qytetarët e dyja vendeve, kanë nevojë për një marrëveshje përfundimtare që i hap perspektivë dy vendeve tona drejt integrimit europian”, tha Thaçi pas takimit.

Thaçi tha se deri më 17 tetor, sistemi i drejtësisë i Kosovës do të shtrihet në tërë territorin e vendit.

“Vetëm dialogu, mirëkuptimi e pajtimi janë rruga e së ardhmes për të dyja vendet dhe unë shpresoj se do të punojmë për një marrëveshje përfundimtare”, shtoi ai.

“Ne jemi dy shtete të pavarura e sovrane. Kemi nevojë për komunikim, kemi nevojë për marrëveshje që do të jetë përmbyllëse mes Kosovës e Serbisë prandaj kjo fazë e re e dialogut është e nevojshme të fillojë e të kryhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të jetë marrëveshje e standardeve dhe kritereve europiane”, tha ai.

Thaçi u shpreh se edhe në këtë fazë, do të ketë nevojë për ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Duhet t’i japim fund armiqësisë shekullore dhe ta arroijmë marrëveshjen e normalizimit e pajtimit… Sot mes Kosovës dhe Serbisë kemi një komunikim më normal se që ka qenë më herët por është një status kuo”, tha Thaçi.

Por Thaçi përjashtoi mundësinë që pavarësia e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, të dalë në rinegocim.

“E gjithë bota e di që Kosova është vend sovran i njohur nga 114 vende. Procesi i pavarësisë është i pakthyeshëm. Diskutimi po bëhet se si Kosova e Serbia do të funksionojnë si dy vende të pavarura.

Sipas tij, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton marrëveshje për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Thaçi përsëriti idenë e tij për një ekip uniteti të Kosovës në procesin që pritet të vijë ndërsa i bëri thirrje spektrit politik në Kosovë që t’i japin fund bllokadës politike dhe t’i formojnë institucionet e dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.

Ndërsa Vuçiq, pas takimit tha se rregullimi i marrëdhënieve “ndërmjet serbëve e shqiptarëve” janë shumë të rëndësishme edhe për Beogradin edhe për Prishtinën dhe se këto bisedime do të vazhdojnë.

“Shohim një mundësi të vogël për zgjidhjen e problemeve historike mes serbëve dhe shqiptarëve dhe këtë mundësi duhet ta shfrytëzojmë. Ia vlen ta provojmë për hir të së ardhmes”, shtoi Vuçiq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button