Impresione gjermane

Hans Liten është njëri ndër personazhet më interesante historike për të cilin flitet shumë pak dhe i cili nuk është shumë i njohur edhe përkrah veprës së tij të madhe. Juristi i afrë gjerman i cili në rolin e avokatit ftoi Hitlerin të jetë dëshmitar në njërin prej rasteve ku ai mbronte kryesisht personat e margjinalizuar në kohën e krijimit të Rajhut të tretë, majtistët e protestuesit dhe kundërshtarët e regjimit nazist. Në kohën kur Hitleri me siguri të plotë i ngjiste shkallët e pushteti absolut, ky jurist i qetë dhe i heshtur ngriste një pas një aktakuza kundër personave më të rendësishëm të kohës, kundër vetë kreut të Rajhut. Sigurisht, në një shtet ku drejtësia penale kishte marë tatëpjetën dhe kriza morale lidhur me zbatimin e parimeve esenciale juridike ishte në ritje, asnjë prokuror dhe asnjë gjykatës nuk e shihte të arsyeshme e as që kishte guximin ta ftojë si të akuzuar diktatorin e ri të vendit. Frika ia kishte mbyllur sytë drejtësisë e cila fundosej dita ditës, pasojat e të cilës fundosje askush ende nuk i mirte me mend. Çdo ngjajshmëri me atë që ne e quajmë drejtësi në shtetin tonë është e rastësishme, ndërsa si që e dimë, çdo rastësi është e qëllimshme.

Hans Litenit gjykata nuk i pranoi asnjë akuzë e as padi private të drejtuar në mënyrë direkte kundër Hitlerit ose bashkëpunëtorëve të tij. Por kjo nuk e demoralizoi avokatin i cili duhet të jetë hero i secilit jurist që dëshiron vërtet të punojë për realizimin e drejtësisë. Ai nuk u dorëzua, por përmes metodave dhe mjeteve juridike, arriti në shumë raste të demaskojë regjimin nazist dhe punën e fshehtë por tejet të rrezikshme të diktatorit kriminel. Si avokat që ishte, gjatë mbrojtjes së klientëve të tij që nuk i mbronte askush tjetër, e të cilët në të shumtën e rasteve nuk kishin para për të paguar shërbimet e avokaturës, Hans Liten shfrytëzoi mekanizmin e dëshmitarit për të ftuar Hitlerin në gjykatore, për ta ulur në bankë dhe për ta marë në pyetje me orë të tëra. Ai nuk arriti ta ulë Hitlerin në bankën e të akuzuarit, por pyetjet që ia drejtoi si dëshmitar në rastet që ai trajtonte, e djersitën fort mire diktatorin, e bënë të ndihet shumë në siklet. Marja në pyetje me orë të tëra bënte që Hitleri të bjerë në kundërshtim me deklaratat e veta, dhe në këtë mënyrë dilte në pah qëllimi i vërtetë i partisë që Hitleri udhëhiqte, qëllime që në vitet 1920 ende nuk ishin tërësisht të njohura.

Hans Liten e vuri në siklet aq të madh Adolf Hitlerin, sa që ky i fundit, sapo përforcoi pushtetin e tij, e vendosi Litenin as më pak e as më shumë por në kampin famëkeq të përqëndrimit Dakau, ku Liten vuajti vite me rradhë deri në vdekjen e tij në vitin 1938, kur sapo kishte mbushur 34 vjet.

Figura e Litenit është shembull i rezistencës njerëzore dhe intelektuale ndaj një regjimi totalitar nacist. Vetëmohimi idealist i tij është diçka që shumë pak avokatë dhe jurist e bëjnë. Promovimi i pakusht i parimeve bazore juridike, ndjekja pa komprmis e tyre, kishte çmim të lartë.

A ia vlente? Sigurisht që po. Për këtë dëshmon pamja e sotme e Berlinit dhe e Gjermanisë, një shtet i suksesshëm, motori i Evropës dhe super-fuqi botërore, dy herë e rënuar dhe po aq herë e rindërtuar. Pa njerëz si Liten, një rindërtim i tillë së pari shpirtëror, e pastaj edhe fizik do të ishte thjeshtë i pamundur. Sepse është lufta e pakompromis dhe sakrifikuese për drejtësi ajo që e dallon një shtet serioz nga një improvizim i pushtetit, është ajo që e bën një vend të vefshëm për të jetuar dhe për tu dashur nga të gjithë qytetarët e atij vendi.

Por mbi të gjitha, është dashuria e pakompromis ndaj profesionit të kërkimit të drejtësisë, ajo që i çon punët përpara. Esenca është në kërkimin e drejtësisë brenda vehtes, dhe tek mosfshehja pas arsyetimeve të cilat nuk mungojnë asnjëherë.

Drejtësia është esenca e një shteti. Pa të gjithçka është improvizim dhe farsë. Pa të çdo lloj zhvillimi është i pamunur. Pa të nuk vjen ndriçimi, por zhytja në erësirë. Pa të civilizimi i mirëfilltë është i paimagjinueshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button