Bekteshi: 60 milionë denarë për turizmin vendor dhe qytetarët me të ardhura të ulëta

 Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot prezantoi masën më të re të qeverisë për subvencionimin e familjeve me të ardhura minimale, me vlerë prej 60 milionë denarë. Me këto mjete do t’u mundësohet pushim pesëditor në kapacitet hotelierike vendore, jashtë sezonit, familjeve që kanë të ardhura mujore deri në 22 mijë denarë.

“Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria, vetëm një javë pas kthimit të tarifës së lirë për energji elektrike, miratoi edhe një masë me të cilën punëtorëve me të ardhura mujore deri në 22,000 denarë u mundësojmë shfrytëzimin e pushimit vjetor jashtë sezonit, në qendrat turistike të Republikës së Maqedonisë, vetë ose me anëtarë të familjes së ngushtë në vlerë totale prej 15,000.00 denarë’ tha Bekteshi në pres konferencën që e zhvilloi në qeveri.

Me këtë masë, sipas Bekteshit, përveç punëtorëve, përfitojnë edhe qendrat turistike dhe hotelet, të cilët menjëherë pas përfundimit të sezonit të verës, punojnë me kapacitet minimal, dhe në këtë mënyrë u ndihmohet atyre në rritjen e numrit të pushuesve jashtë sezonit turistik.

“Pushimi do të organizohet në qendrat tona turistike jashtë vendbanimit ku jetojnë aplikuesit në periudhë qëndrimi jo më shumë se 5 ditë, ndërsa dhënia e vërtetimeve do të bëhet nga Ministria e Ekonomisë sipas parimit “I pari Aplikon, i pari shërbehesh”, tha Bekteshi.

Ministria e Ekonomisë në ditët në vijim do të shpallë dy thirrje publike: një për interesin e objekteve hoteliere që do të marrin vërtetimet nga Ministria e Ekonomisë dhe një thirrje tjetër për marrjen e një vërtetimi për organizimin e një pushimi.

Thirrjet publike do të publikohen në gazetat ditore dhe web-faqen e Ministrisë së Ekonomisë, ku do të mund të gjenden edhe informacione të tjera më të hollësishme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button