Shkup, Dimitrov-Koxias: është folur për metodën dhe modalitetet se si do të zgjidhet çështja e emrit (VIDEO)

Ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov në konferencën e përbashkët për gazetarët me homologun e tij grek Nikos Koxias tha se mes tjerash është folur për procesin, metodën dhe modalitetet se si do të zgjidhet çështja e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

“Biseduam dhe për atë se cilët janë interesat e të dyja palëve në këtë kontest, me qëllim që të ketë më shumë mirëkuptim për atë se si njëra palë apo tjetra e percepton problemin, dhe ishte një bisedë e rëndësishme dhe frytdhënëse. U morëm vesh të bëjmë takime më të shpeshta. Marrëdhëniet e mira me fqiun tonë jugor kanë rëndësi të veçantë për ne, bashkëpunimi i mirë ekonomik, lëvizja e madhe mes banorëve të shteteve tona, interesat e përbashkëta për stabilitet, siguri dhe prosperitet i të gjithë rajonit, janë këto vetëm disa gjëra që na lidhin.” tha Dimitrov.

LEXO: Osmani-Koxias: Me masat e besimit, me vullnet të mirë, proceset mund ti zhbllokojmë

Ai shpreson që Greqia ta njeh realitetin e ri në Maqedoni, dhe dëshirën siç tha “të sinqertë për miqësi”.

“Presim dhe shpresojmë se do të kemi mbështetje nga Greqia për euro-integrimet tona, dhe se do të sillemi si miq dhe nuk do të kemi tentim për mposhtje të njëri-tjetrit. Gjithashtu folëm për masat e rritjes së besimit ndërsa u nënshkruar edhe memorandum për bashkëpunim mes akademive diplomatike të Maqedonisë dhe Greqisë si dhe për rritjen e bashkëpunimit në raste të fatkeqësive elementare natyrore .” tha Dimitrov, njofton Portalb.mk.

Nga ana tjetër shefi i diplomacisë greke, Koxias tha se është i përkushtuar për ti zgjedhur problemin mes dy vendeve dhe se duhet të largohemi nga temat irredentiste.

“Më vjen mirë që pas një viti jam në po të njëjtin vend me qëllim të nxitjes së bashkëpunimit të mëtutjeshëm të fqiut tonë verior. Kemi folur për përmirësim të raporteve në fushën ekonomike, shkencore, arsimore, të sigurisë dhe mos ndërhyrjes në punët e brendshme të të dyja shteteve. Mospublikimi i lajmeve irredentiste nga pala greke kohëve të fundit është një dëshmi se Greqia edhe më tej ngelet e fokusuar në zhvillimin e marrëdhënieve të mira me Maqedoninë dhe për stabilitet të saj, sepse vetëm me një stabilitet të Maqedonisë dhe shteteve fqinje, Ballkani Perëndimor mund të integrohet ne NATO. Historia duhet të jetë shkollë dhe mësim për ardhmërinë më të mirë të një shteti. Nuk dua të kemi një luftë të katërt ballkanike, andaj duhet të largohemi nga temat irredentiste. Duhet të kuptojmë se me zgjidhjen e një problemi mund të lindin probleme tjera, prandaj jemi të gatshëm për zhvillim të këtij procesi deri në zgjidhje përfundimtare për të mirën e të dyja palëve.” tha Koxias,njofton Portalb.mk.

Sa i përket çështjes se Maqedonia edhe më tej nuk është pjesë e NATO-s edhe pse Greqia ishte pengesa më e madhe për shkak të mospranimit të simboleve dhe emrit të Maqedonisë, Koxias tha se “një vend a do të jetë pjesë e një shteti nuk varet nga ne, por nga përmbushja e kushteve të caktuara në Bukuresht. E njëjta çështje është edhe me Turqinë, e cila edhe pse ka çështje të pazgjidhura me ne, vetë vendos a do të jetë në BE a jo. Ne nuk vendosim për anëtarësimin e asnjë shteti”, tha ai.

Ndërkaq, Dimitrov duke u përgjigjur për planet e Qeverisë së Maqedonisë sa i përket aeroportit “Aleksandri i Madh” dhe simboleve tjera në Maqedoni për të cilat ndjehen të ofenduar pala greke, ai përmirësoi Koxiasin duke thënë se “historia duhet të na mësojë por nuk do të jetë burg për shtetet”.

“Dua të përmirësoj Koxiasin sa i përket historisë, historia është mësim por nuk duhet të jetë burg. Synimi ynë është të afrohemi drejt NATO-s dhe BE e jo të merremi me individë të para dy mijë vjetëve. Sa i përket përmendoreve, nuk kemi ende një plan konkret, pasi që ende nuk kemi ardhur në atë nivel të diskutimit”, tha Dimitrov.

Kocijas dhe Dimitrov do të takohen në Talin në takimin e Ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate.

**************************************************************************

08 – 00 Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë Nikos Koxias sot do të qëndrojë për një vizitë njëditore në Shkup, takim ky i cili pritet të jetë mjaft pozitiv dhe një hap më afër zgjidhjes së problemeve të dy shteteve fqinje.

Ish ambasadori Alajdin Demiri për Portalb.mk këtë vizitë e vlerëson si pozitive dhe thotë se në këtë takim do të bisedohet për gjëra më relaksuese dhe se ka shpresa për zgjidhjen e çështjes së emrit në të ardhmen e shpejtë.

“Vizita e ministrit të jashtëm grek Koxias në Maqedoni është vizita e parë e një ministri të jashtëm për një kohë të gjatë. Gjithsesi kjo vizitë është shpresëdhënëse, gjithsesi që kjo vizitë do të hap tema por jo edhe ti mbyll. Tema dominonte gjithsesi do të jetë e emrit, mirëpo nuk besoj që nesër do të jetë në tavolin emri, do të jenë tema tjera relaksuese por shpresojmë që në një të ardhme të shpejtë të zgjidhet kjo çështje e emrit”, tha Demiri për Portalb.mk

Megjithatë ai shtoi se zgjidhja e çështjes së emrit nuk do të jetë e lehë dhe se barra kryesore e saj do t’i ngelet Maqedonisë.

“Zgjidhja do të jetë e vështirë dhe e rëndë dhe nuk e di se si do të bëhet kjo, por gjithsesi qe Greqia ka disa vija të kuqe nga të cilat nuk do të heq dorë, kështu që megjithatë barra kryesore për zgjidhjen e emrit do ti ngelet Maqedonisë”, shtoi Demiri.

Gjithashtu ish ambasadori Nano Ruzhin thotë për Portalb.mk se kjo vizitë tregon sukses dhe asocon për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe kjo situatë duhet të vazhdojë edhe më tutje.

“Mund të thuhet se ky është një sukses i ri diplomatik i qeverisë së Zaevit si dhe ministrit të jashtëm Dimitrov ngase pas një kohë të gjatë kemi vizitë nga një shtet anëtar në BE dhe NATO, me të cilin shtet fatkeqësisht kemi probleme të pa zgjidhura qe shpesh herë trajtohen si mungesë e marrëdhënies së mirë fqinjësore, për shkak të të cilave Maqedonia nuk fitoi thirrje për anëtarësim në NATO në 2008 në Bukuresht. Kjo tregon sukses dhe asocon për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe kjo situatë duhet të vazhdojë edhe më tutje”, tha Ruzhin.

Ai shtoi se do të bisedohet për çështjen e emrit dhe do të jepen opsione.

“Qeveria e Zaevit po tregon që ka një strategji ndryshe sa i përket marrëdhënieve me fqinjët dhe eurointegrimit te vendit. Kjo vizitë është pozitive sidomos tani pas nënshkrimit të marrëveshjes me Bullgarinë, zgjidhjes së ngatërresave me Serbinë dhe vazhdimin e fqinjësisë së mirë me Kosovën dhe Shqipërinë, pasi Zaev edhe vizitoi këtë të fundit. Edhe pse nuk do të flitet para opinionit, besoj se do të bisedohet për çështjen e emrit dhe do të jepen opsione dhe mendimi im është që së pari Maqedonia do të kërkojë që çështja e emrit të zgjidhet më tutje, pas anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, dhe pas kësaj do të flitet për zgjidhjen e çështjen e emrit. Kjo është pozitive si për Maqedoninë ashtu edhe për vendet fqinje”, shtoi Ruzhin.

Ndryshe, funksionarët në Maqedoni shprehen optimist lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit, me ç’rast zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani tha në një intervistë të dhënë për gazetën greke “Efimerida” se Shkupi edhe Athina kohët e fundit po japin sinjale të qarta se ndryshojnë pat-pozicionin e deritashëm politik, ndërkaq në kuadër të konferencës “Maqedonia drejt anëtarësimit të plotë në NATO”, Dimitrov theksoi se Greqia si anëtare mund të luajë roj të rëndësishëm në shtytje të tërë rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button