1.3 milionë euro arkëtime të ekipit të Tiranës çmendin skuadrat e Superiores

Ëndrrat e një nate vere i sjellin Tiranës 740 mijë euro fitim vetëm nga shitja e lojtarëve, por 1.3 milionë euro të ardhura në total nga shtatori 2016 deri në gusht 2017. Skuadra e Tiranës që pa nisur mirë sezoni i ri ka arkëtuar 740 mijë euro, por duke përfshirë edhe paratë e Europës, dhe arkëtimet nga sezoni i shkuar bardheblutë kanë arritur të grumbullojnë plot 1.3 milionë euro në 365 ditë. Zëri më i madh “i fitimeve” është shitja e lojtarëve dhe pjesëmarrja në Europë. Mbi 260 mijë euro ka arritur të fitojë skuadra bardheblu, në daljen evropiane, pas plot pesë vitesh mungesë. Një shifër që zinte “pjesën e luanit” në financat bardheblu, deri pak javë më parë, pak para se të nisnin shitjet e lojtarëve. Një arritje e jashtëzakonshme për skuadrën që ka rënë në Kategorinë e Parë.

Dhe këtu nuk futen bonuse të ndryshme si fitimi i Kupës apo e drejta televizive. Një vit i artë për Tiranën, pasi në llogaritjet që janë bërë kohë më parë vetëm në vitin e fundit, atë të greminës, ku ndodhi gjithçka, prej borxheve pa fund, rënies nga kategoria, bllokimit të merkatos dhe llogarive, Tirana në aspektin financiar ka njohur kulmin në erën Halili. Janë plot 400 milionë lekë të vjetër arkëtime të Tiranës, duke mos llogaritur këtu përfitimet me marrëveshje, apo klering, që e bëjnë skuadrën bardheblu një nga ekipet më fitimprurëse për momentin.

Shkurt, në sezonin e zisë Tirana arriti të mos zhytej edhe më tej. Por doli mbi sipërfaqe edhe arriti të prodhojë para. Po ku kanë dalë plus bardheblutë në një sezon, i cili nga ana sportive ishte për të vënë “duart në kokë”?

Edhe pse ishte “vit i zi” me tifozët, dhe ata munguan për 12 ndeshje në stadium, Tirana për gjatë gjithë sezonit ka grumbulluar 100 milionë lekë nga biletat. Një shumë që mund të ishte edhe më e madhe, gjithmonë nëse tifozëria do të kishte qenë e pranishme në “Selman Stërmasi”. Sponsorët dhe reklamat kanë sjellë në arkat e Tiranës 100 milionë lekë. 91 milionë lekë është shuma e fituar nga e drejta televizive këtë sezon, ndërkohë që 60 milionë ka sjellë përfitim stadiumi i dhënë me qira tek Partizani. Po kështu stadiumi ka larë edhe investimin që kishte bërë FSHF-ja.

Kupa dhe “Fair Play” kanë sjellë 65 milionë lekë. Të gjitha bashkë dhe pa paratë e së drejtës TV të Europës dhe ndonjë bishti tjetër bëjnë mbi 400 milionë lekë të vjetër fitim, ose 300 mijë euro. Shitja e lojtarëve kryesorë dhe sidomos e Mervejlit, patjetër që do të rriste “shëndetin” e financave, por doli edhe më mirë. Nga shitja e Mervejlit, Akuasë dhe Elvi Berishës janë grumbulluar 740 mijë euro dhe në këto kushte parashikohet të mbulohet buxheti i gjithë rrogave për Tiranën e Kategorisë së Parë. Shkurt 740 mijë euro nga shitja e lojtarëve, 260 mijë euro nga Europa dhe mbi 300 mijë euro të ardhura të tjera, bëjnë Tiranën ekipin e dytë më të suksesshëm përsa i përket anës financiare. “Fatkeqësisht”, korçarët me kalimin në fazën në grupe mbeten sërish të parë edhe tek paratë. / Sport Ekspres

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button