Mejdan bajlozësh apo garë qytetarie

Shumë pak ditë na ndajnë nga gara për kryetarë të komunave, ose ndryshe thënë shumë shpejt do të fillojnë premtimet për komunat tona se si do të duken ato në katër vjeçarin e ardhshëm. Në ç’do vend të botës zgjedhjet janë mundësi për zgjidhje dhe jo zgjidhje me detyrim apo zgjidhje e determinuar dhe e kushtëzuar.

Pluralizmi politik dhe demokracia lejojnë që në garë të ketë shumë më shumë kandidat, me çka hapet rruga që të plasohen ide të ndryshme dhe njëkohësisht e ritë ofertën për cilësi dhe program pragmatik dhe të realizueshëm në mandatin e mundshëm që do të fitojnë. Ajo që do jetë më ndryshe se zgjedhjet e deritanishme është se qytetarët do të votojnë kandidatin i cili mundë ti materializoj kërkesat e qytetarëve dhe premtimet e dhëna e kurrqysh liderin dhe subjektin politik që nënkupton se manipulimi drejt qytetarit me emrin e liderit partiak dhe subjektit politik do jetë një fiasko nga se komunat udhëhiqen nga kryetarët e komunave me kapacitetet dhe aftësitë e tyre menaxhuese.

Gara për kryetarë komunash dhe listash këshilltarësh si duket do jetë më shumë një arenë bajlozësh se sa një garë qytetarie dhe vend ku do të plasohen ide dhe projekte konkrete nga kandidatët e mundshëm. Kalkulimi i koalicioneve para dhe pas zgjedhore më shumë më ngjanë në matematika biznesmenësh të cilët para së gjithash llogaritin fitimin e më pas formën e realizimit të një qëllimi.

Kjo lojë e pistë nuk krijojnë raport me qytetarin por vetëm se atë e trajton si numër dhe si një makinë e cila duhet të klikoj në të djathtë, në të majtë apo të qendrës së djathtë e të majtë. Duhet të mundësojmë një proces demokratik ku qytetari para së gjithash do të zgjidhte atë të cilin ai do të vlerësonte se meriton të menaxhoj komunën. Dëshira e qytetarëve do të ishte që kandidati të ofronte program, të ballafaqohej me kundërkandidatët në debat televiziv me argumente dhe kundër argumente si dhe të lidhte aleancë me qytetarin.

Po të isha një kandidat do t’ia zgjatja dorën qytetarit, do të lidhja kontratë me të, si dhe llogaridhënien do e bëja para qytetarit tim e jo para subjektit që do t’ më kandidonte. Këto zgjedhje që vinë po na shqetësojnë për faktin se ende pa filluar fushata parazgjedhore kanë filluar shpifjet nga më të ulëtat se kush është më patriot, atdhedashës, kush është më komandat dhe kush më besimtar apo fetar, kush sillet si turkofil e kush si gjoja është dikush, qasje shumë e ulet që se meriton votuesi shqiptarë.

Mbetem me shpresë që deri atë ditë të konkretizimit të kandidaturave të kemi situatë të qetë pa shpifje dhe pa nxitje të urrejtjes mes njëri tjetrit dhe të mundësohet që të kemi garë vlerash duke mos nënçmuar askënd, e po të njëjtën kohë të mos bëhen edhe koalicione pas perdeve siç jemi mësuar deri tani.

Le të jetë kjo garë me vlera qytetarie dhe të drejtë për të zgjedhur kush çfarë mendon dhe të mos shndërrohet në arenë bajlozësh dhe zgjedhje muskujsh!?

Ne meritojmë respekt, vota jonë është vullneti jonë !

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button