Stuhia “Harvey”, Houston lufton me përmbytjet e paprecedenta (FOTO)

Houstoni po përballet me përmbytje të paprecedenta. Edhe pse nga uragan i kategorisë së katërt e humbi një pjesë të fuqisë, duke u shndërruar në stuhi tropikale, “Harvey” vazhdon të mundojë Teksasin, nga ku duket se për momentin nuk ka ndërmend të lëvizë, shkruan Top Channel.

Një nivel rekord prej 75 cm shi i ka kthyer rrugët e Houstonit në lumenj. Pesë janë viktimat e situatës së rënduar meteorologjike. Njerëzit e bllokuar në banesa janë ngjitur nëpër çati, nga ku janë evakuuar me helikopterë. Spitalet e zonës janë zbrazur, shumë shkolla e dy aeroportet kryesore janë mbyllur, e mijëra vetë vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike.

Rreth 2.000 vetë janë shpëtuar në dhe përreth qytetit të katërt më të populluar në Amerikë. “Harvey” u përplas mbi shtetin e Teksasit gjatë fundjavës, duke lëshuar erëra të forta e shi të rrëmbyer në qindra kilometra vijë bregdetare. Përmbytjet dhe tornadot që shoqëruan stuhinë vazhdojnë të përbëjnë rrezik për banorët.

Waneda Jolly është një prej vullnetarëve që kanë ndihmuar në evakuimin e mbi 100 personave të bllokuar nga uji. Por pavarësisht përpjekjeve të mundimshme, që vazhduan për orë të tëra, nuk janë nxjerrë dot të gjithë.

“Kemi rastin e një zonje me aftësi të kufizuara që nuk ka dalë dot. Ne praktikisht e dimë se ku është. Janë edhe disa shtëpi të rrethuara nga uji, ku ka ende njerëz brenda, por nuk jemi të sigurtë sesa janë me saktësi”, tha Waneda Jolly, vullnetare.

Gjithashtu ka raporte për mundësinë e të vderkurve në automjete të mbuluara nga uji, për të cilat autoritetet kanë nisur hetimet. Një grua hodhi “online” fotot e dy aligatorëve që kishin përfunduar në kopshtin e shtëpisë së saj. Sipas vlerësimeve, në disa zona kanë rënë deri 1 metër e gjysmë reshje, duke shkaktuar përmbytje të cilësuara “katastrofike”. Infrastruktura e shtetit është dëmtuar rëndë.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se, që nga e premtja në mbrëmje, të paktën 7 tornado kanë goditur qytetin e Houstonit. Në dy ditët e ardhshme pritet të bëhet vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga stuhia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button