VETËM SHQIPEN S’KA KUSH E MBRON

Ecën vetura duke u tundur rrugëve të Kosovës ku çdo kënd, çdo gur e çdo dru flet shqip. Është një atmosferë e rëndë të cilën e ka lënë prapa vetes robëria, veçmas ajo serbe e shekullit të kaluar. Dhe, këtë e ka vështirë fjala ta përshkruajë, sepse ta përshkruash atë kohë, shekullin e mallkaur njëzet, edhe fjala e ka vështirë ta përshkruajë atë që e kanë përjetuar njerëzit.  Megjithatë  nuk ka gjë më të shenjtë se e vërteta dhe ajo medoemos duhet të thuhet. E nuk ka mjet tjetër përveç fjalës, sëpse gjuha shqipe është e shënuar këtu në brendinë e çdo guri, në rrënjët e çdo druri, në çdo fije bari, në ngjyrën e çdo luleje, në faqn e majën e çdo mali, në gurgullimën e çdo burimi, të çdo përroi, në valën e çdo lumi, në oxhakun e çdo shtëpie. Dhe, kur të tretet çdo gjë, do të mbetet gjuha shqipe në Kosovë përmes së cilës do të këndohet kënga për Mic Sokolin dhe do të dëgjohet vaji i motrës për Avdi Hysën ë vrarë në pabesi. Ajo ështe vegla më e mirë e më e qëndrueshme për mbrojtjen e dinjitetit kombëtar të shkelur mizorisht një shekull.

Ecën vetura duke u tundur duke lënë pas vetes fshatrat shqiptare, e bashkë me to edhe fytyrat e e molisura të fshatarëve shqiptarë. Duket i qartë pesimizmi që vjen nga pakënaqësia e këtyre viteve të  pavarësisë. Gjithë ajo shpresë se më në fund erdhi liria, mbeti me këmbë të thyera dhe u tërhoq në ëndrrat e intelektualëve që u rritën me porositë e rilindësve. Fshatarët shqiptarë, klasa punëtore dhe punonjësit e vyeshëm të arsimit, të shëndetësisë dhe të administratës – mbetën të harruar. Të gjitha frytet e pavarësimit i morën partitë, ndonjëra më shumë e tjetra më pak, por pa të nuk mbetën ato, po mbeti populli shqiptar duarthatë. Pasurinë, azgënllëkun, lirinë e pafund e shoqëruar me një ndjenjë “të popullit superior” i sheh vetëm në fshatrat e rralla të serbëve.

Vetura ndalet në këto fshatra për të parë ndryshimet e mëdha që janë bërë: rrugë të reja, shtëpi të reja, me të gjitha të mirat brenda pa pasur nevojë të dilet jashtë për të kryer punë, ashty siç i detyron nevoja fshatarët shqiptarë të shkojnë me kilometra për një dokument a për ndonjë punë krejtësisht të vogël administrative që nuk mbarohet në fshat.

Nëpër mure shihen pllakate të shkruara vetëm serbisht, gjuhë zyrtare është vetëm serbishtja dhe gjithandej valon vetëm flamuri serb i shoqëruar me fotografi të mëdha të kryeministrit serb. Këtu nuk e ndjen kalimtari Kosovën, sepse gjithandej gëlon një epikë mesjetare. Dhe, atëherë e sheh brendinë e pavarërisë së Kosovës në të cilën kisha serbe me një zot e di sa objekte fetare ka eksterritorialitet, që do të thotë se në Kosovë brenda, thellë brenda trupit të saj shtetëror është Serbia me çizme. Këtë e dëshmon edhe dygjuhësia që aplikohet në Kosovë, ku edhe në fshatin më të thellë shqiptar doemos praktikohet dygjuhësia, për ndryshim nga fshatrat serbe ku askush nuk jep pesë para për shqipen që e flasin mbi 95 për qind.

Kur i sheh të gjitha këto të kujtohet propaganda serbe e manifestuar nëpër media, tubime, fjalime politikanësh dhe del në shesh sa marrinë e duron letra dhe eteri dhe çfarë mund të bëjnë paragjykimet që i prodhojnë institucionet serbe kundër shqiptarëve.

Vazhdon vetura dhe ndalet në qytetin e parë. Edhe këtu bie në sy atmosfera e rëndë. Njerëzit ankohen për papunësi, ndërsa varfëria është bërë një dukuri e zakonshme. Atmosferën e rëndojnë ndërtime e ngrehinave të larta, pa kurrfarë shijeje. Duket se edhe pa leje ndërtimi. Në pyetjen se kush i bën këto ndërtesa çoroditëse, një qytetar i thjeshtë përgjigjët: Janë do të partisë…

Në këtë qytet të lashtë shumëkush as sot nuk di shqip, ndonëse mbiemrin e ka shqiptar. Gjithë ajo shumicë shqiptare këtu e pjesëtarët e minoriteteve nuk e dinë shqipen. Bisedoj me një njeri me përvojë në një kafene verore:

–  Pse ? – e pyes shumë njerëz nuk e dinë shqipen në këtë qytet, si dikur që këtu të gjithë e e kanë ditur serbishten? Mos, e pyes me shaka, ndoshta shqiptarët janë më inteligjentë dhe i mësojnë gjuhët.

Ai e kupton shakanë dhe ma kthen seriozisht:

–  Këtu njerëzit s’kanë nevojë ta mësojnë shqipen se të gjitha nevojat jetësore që lidhen me administratën e pushtetin i plotësojnë në gjuhën e tyre. Tjetër është puna e shqiptarëve. Shqiptarët,  – thotë ai, – kanë qenë të varur nga serbishtja sapo kanë dalë nga dera e shtëpisë, ngase administrata gjatë kohë ka qenë serbe e në gjuhën serbe, arsimi, po ashtu, hype në autobus – serbisht duhet të dish, në spital, në komunë, në cilin do qytet që të kesh punë, në doganë, në polici e ku ta di unë, se më mos të flasim për ushtri ose për specializime eventuale. Të gjitha këto njerëzit i realizojnë lehtë në gjuhët e tyre. Për serbishten interesohet dhe jep ndihma materiale me grusht Serbia, për turqishten – s’kursen fare Turqia. Vetëm për shqipen që është gjuhë e shumicës, s’çan kokë as qeveria, as komuna, askush. Beogradi bën çmos që t’i shkollojë e t’i specializojë kuadrot serbe, Turqia – për ata që deklarohen se janë turq.

Për ne shqiptarët, s’ka kush mërzitet. Institutet e gjuhës, të letërsisë e të historisë i udhëheqin kuadro partiake dhe ato janë angazhuar vetëm për t’i kryer detyrat që u jep partia.  Për gjuhë shqipe s’bëhet këtu punë. Përkundrazi, bëhen dëme. Këtu ka njerëz që mundohen të na e mbushin mendjen se s’jemi ne shqiptarë dhe se gjuha jonë nuk është shqipe. Jemi, na thonë kosovarë, dhe flasim kosovarishte. Edhe pak do të na thonë se jemi drenas dhe flasim drenishte. Por, jo vetëm këtu – shton bashkëbiseduesi im, – ëdhe në Shqipëri është e njëjta punë.

Vetëm shqipen s’ka kush e mbron, as këndej e as andej! Mbrojnë kisha që i kanë shpallë serbe, mbrojnë xhamia që i kanë shpallë osmane, ndërtojnë kisha e ndërtojnë xhami të reja pa nishane shqiptare, e mbrojnë serbishten, e mbrojnë turqishten. Vetëm gjuhën shqipe që është kështjella më e rëndësishme e këtyre anëve, vetëm këtë zonjë plakë, e kanë lënë të pambrojtur.

Përshëndetemi me këtë bashkëbisedues të kthjelltë dhe nisemi për në shtëpi, ku na pret diçka e ngjashme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button