Dëshira për perfeksion, ja cili operacioni plastik më i kërkuar nga shqiptarët

Klinikat e kirurgjisë plastike pothuajse kanë dyfishuar të ardhurat gjatë vitit 2016 në raport me 2015-n. Vitin e kaluar, pesë prej tyre qarkulluan mbi 2 milionë dollarë, me zgjerim vjetor në total prej 80%. Rritja e kërkesës në treg për shërbime të kësaj natyre ka nxitur edhe shtimin e numrit të bizneseve në këtë sektor.

Si po kthehet kompleksi shqiptar i hundës në një biznes milionash, ndërsa po rritet kredia konsumatore për ndërhyrje plastike.

Problem mbetet i lartë informaliteti dhe risku i salloneve të paspecializuar që kryejnë procedura të vogla

Të gjithëve na ka qëlluar të përballemi me “sfidën” e një fotoje të përsosur. Kërkojmë këndin më të mirë, ndriçimin më të mirë, dhe sigurisht kemi një profil të fytyrës që na duket se del gjithmonë më bukur se tjetra. Pas 1 milion tentativave ia dalim të zgjedhim një. Edhe pse kemi bërë më të mirën, sërish gjejmë gjëra për të korrigjuar, por disa zgjedhin ta lënë këtë vetëm me mendime dhe të kërkojnë ndihmë tek aplikacionet e telefonit apo filtrat, të tjerë kërkojnë ndihmën e një kirurgu plastik.

Në Tiranë, sot oferta është e bollshme për nga numri i klinikave dhe spitaleve që i ofrojnë këto ndërhyrje. Kjo nis nga spitali shtetëror, në këtë rast Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza” deri te spitalet private, klinikat më të vogla të orientuara vetëm tek ndërhyrjet plastike e në fund te disa sallone që, në mënyrë formale apo informale, bëjnë korrigjime sidomos te fryrja e buzëve.

Pavarësisht kësaj oferte duket se numri i këtyre klinikave vazhdon të rritet dita-ditës si kërpudhat pas shiut, e nxitur nga kërkesa e lartë. Shumica e tyre operojnë si persona fizikë, duke u regjistruar në emrin e mjekut kyç që kryen edhe ndërhyrjet.

Të dhënat e përpunuara nga Monitor, bazuar në bilancet zyrtare të deklaruara nga klinikat kryesore estetike tregojnë për një rritje të ndjeshme të të ardhurave të tyre përgjatë 2016-s. Xhiro e 5 klinikave kryesore rezulton të jetë rritur me rreth 80% me bazë vjetore.

Klinikat e kirurgjisë estetike u shfaqën me një marketing agresiv në vitet 2013-2015, që duket se ka funksionuar. Për nga vetë natyra mesdhetare, shqiptarët kanë përgjithësisht një hundë të madhe dhe kjo ka nxitur biznesin e plastikës së hundës në Shqipëri.

Operatorët e tregut pohojnë se vendin e parë për llojin e ndërhyrjeve e mbajnë ato në hundë, të paktën 50% e ndërhyrjeve kanë të bëjnë me të. Në Qendrën Spitalore Universitare, sipas burimeve zyrtare, çdo ditë kryejnë një ndërhyrje të paktën 10 pacientë që duan të operojnë hundën ose veshët. Zyrtarisht, në këtë spital, kjo ndërhyrje klasifikohet për nevoja shëndetësore dhe jo si rregullim estetik. Arsyeja që nënshkruhet është ajo e pranisë së mishit të huaj apo devijimit kockor, që pengon pacientin të jetojë normalisht.

Ndërhyrjet kryhen për pacientët deri në 18 vjeç dhe ofrohen falas, por kjo nuk e përjashton edhe grupin e të rriturve që mund të marrin shërbimin me një çmim më të lirë, që është dukshëm më i ulët sesa në një klinikë private. Për shembull, për një ndërhyrje në hundë, operacioni vlerësohet të jetë në 1.2 milionë lekë, kurse në privat fillon nga 1500 euro. Nga ana tjetër, ndërhyrja në vesh është një procedurë jo dhe aq e thjeshtë, por luhatet sërish në të njëjtat nivele.

Google, në Shqipëri kërkohet më shumë për hundën se për zemrën
Motorët e kërkimit në Google janë të aftë të gjenerojnë të dhëna mbi atë çka qytetarët në secilin vend të botës kërkojnë më shumë. Në Shqipëri nëse klikon me fjalën “operacione” më poshtë të renditen edhe kërkimet më të shpeshta që janë bërë nga shqiptarët, që konkretisht janë operacionet e hundës, operacionet plastike, më pas operacionet plastike të hundës dhe së fundi operacionet e zemrës.

Kjo deri diku vërteton edhe faktin që operacionet e hundës janë edhe më popullorët që kryhen nga klinikat e kirurgjisë estetike. Ndërkohë që nëse në Google kërkon me të njëjtën fjalë në anglisht “operation” del që rezultatet të mos kenë asnjë lidhje me ato shqiptare. Konkretisht nga “operation” vijnë më poshtë “operacion buzëqeshja, operacion shëndeti, menaxher operacional (përkufizim për një profesionist në pozita menaxheriale me përvojë më shumë se 10-vjeçare).

Edhe me kredi
Ndërhyhet kirurgjikale estetike, ashtu sikurse ka ndodhur edhe me shumë trende të tjera, janë parë me skepticizëm nga ana e shoqërisë. Dikur ato ishin monopol i VIP-ave apo pasanikëve, ndërsa sot mundësia që ofrohet në treg e bën të aksesueshëm këtë edhe për shtresën e mesme. Gjithçka është më e thjeshtë, sepse çdo person i interesuar për një ndërhyrje ka mundësi të informohet nga interneti, televizioni apo rrjetet sociale mbi risqet, ndërkohë që pjesa e dytë dhe më e rëndësishme është ajo e opsioneve të pagesës, ku pagesa me këste është më e preferuara.

“Ne kemi kontrata me bankat dhe shoh që shumë vajza të reja janë të punësuara, preferojnë që të marrin një kredi, kuptohet kryesisht është pjesa e hundës që është një kredi e vogël 1500 euro dhe nuk ua rëndon atyre gjendjen ekonomike. Vajzat e reja kryesisht preferojnë të marrin kredi, kurse pjesa tjetër më e rritur paguajnë ‘cash’”, – shprehet Lida Hoxha, Drejtore Ekzekutive në Klinikën DermoLife.

Nga ana tjetër, ka një rritje të presionit për perfeksion, që imponohet nga imazhi që shohim çdo ditë në reklama, rrjete sociale. Kjo është padyshim një tjetër shtysë për të kryer një ndërhyrje përtej asaj kryesore që është të ndihesh mirë me veten. Madje aktivizimi në rrjetet sociale ka bërë që shqiptarët të nisin të zhvendosin edhe kërkesën për ndërhyrje, nga më tipikja që është rimodelimi i hundës të kalojmë deri tek rimodelimi i vitheve, diçka që para disa vitesh as nuk konceptohej.

“Rrjetet sociale, siç e thonë edhe psikologët, po ndikojnë gjithmonë e më shumë në jetën tonë. Më tepër se sa “presion” për rimodelimin e vitheve, është dëshira për t’u dukur më bukur. Pa dyshim që duke u ndikuar edhe nga “trendet” e Instagram-it vihet re rritje e kërkesës për rimodelimin e vitheve”, – shprehet Skerdilajd Faria, Drejtor i Përgjithshëm i Klinikës KEIT./Monitor

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button