Ostreni: UNITETI dhe RDK ngelen në Aleanca, LR-PDSH dëshiron të largohet

Pas kalimit me emër të LR-PDSH-së në Aleanca për Shqiptarët dhe reagimit të RDK-së se i njëjti emër nuk është pranueshëm nga ajo dhe UNITETI, Gëzim Ostreni për Portalb.mk edhe njëherë tha se emri Aleanca për Shqiptarët është koalicion dhe atë nuk mund ta përvetësojë askush.

Ostreni bëri të ditur se pjesë e koalicionit do të vazhdojnë të ngelen RDK dhe UNITETI, por LR-PDSH-ja dëshiron të largohet.

“Aleanca për Shqiptarët është marrëveshja jonë për zgjedhjet parlamentare dhe atë nuk ka të drejtë ta shfrytëzojë askush siç guxon të shfrytëzojë veprimet tona gjatë fushatës. Aleanca për Shqiptarët është koalicion dhe si mund të përvetësohet nga LR-PDSH-ja? Nga ajo që po ndodh së fundmi shihet se LR-PDSH dëshiron të largohet nga Aleanca, kurse UNITETI dhe RDK do të ngelen në koalicion”, tha Ostreni për Portalb.mk.

Se a pritet të kemi bashkëpunim në zgjedhje lokale ndërmjet partive të Aleancës për Shqiptarët, pavarësisht asaj se a largua LR-PDSH nga Aleanca, Ostreni thotë se kjo pritet të shihet më vonë.

“Aleanca ka qenë marrëveshje për zgjedhje parlamentare kurse për zgjedhje lokale do të shohim se çfarë do të ndodhë, a do të bashkëpunojmë apo jo ngelet të shihet më tutje”, tha Ostreni.

Ostreni edhe njëherë tha se nuk ka shpërbërje të Aleancës, por largim të LR-PDSH-së nga koalicioni.

Ndërkaq nga LR-DPSH-ja apo siç e quajtën veten, Aleanca për Shqiptarët, nuk deshën të komentojnë.

Ndryshe, edhe më herët në media ka pasur informata se po shpërbëhet koalicioni Aleanca për Shqiptarët, mirëpo të njëjtat janë demantuar vazhdimisht nga liderët e tre partive të koalicionit, Vesel Memedi i RDK-së, Gëzim Ostreni i UNITETI-t dhe Ziadin Sela i LR-PDSH-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button