AÇTOSH është “Fiktive”

Dalja me komunikatë nga ana e  Armatës për Çlirimin e Trojeve të Okupuara Shqiptare (AÇTOSH), ka ngjallur hamendje dhe panik tek popullata e gjerë.  Kjo ‘armatë’ ka marrë përsipër sulmin ndaj një serbi paramilitarë në Kosovë  dhe sulmin ndaj  kazermës  në Tetovë por që më pas ato të njëjtit e përgënjeshtruan.

Analistët dhe subjektet politike kanë qasje me rezervë ndaj seriozitetit të kësaj organizate. Analisti Alajdin Demiri vlerëson se në një kohë të krizave siç është koha e tanishme  dhe tendosjes  së marëdhënieve ndëretnike, në mungesë të subjekteve reale dhe konkrete  të cilat mund të merren me zgjidhjen e problemeve të këtilla , paraqiten shumë organizma dhe mekanizma të  margjinalizuara.

Për zgjedhjen e situatës në Maqedoni duhen strukturat shtetërore të angazhohen dhe kapacitete reale, e jo kapacitete klandestine, thotë Demiri.

“Koha e tanishme është një kohë e cila prodhon shumë gjëra, natyrisht se tani është koha kur tendosen marrëdhëniet ndëretnike, në moment kur ka mungesë të kapaciteteve reale mund të paraqitem mekanizma të margjinalizuara. Puna është se këto organizata paraqiten kur situata është e brishtë, e tendosur dhe ofrojnë gjëra të cilët ata realisht nuk ti bëjnë dhe në vete ngërthejnë një strukturë fiktive e cila nuk ekziston dhe mund të jetë diskutabile, pasi që sot falë metodave të komunikimit mjafton një kompjuter dhe një internet dhe komunikata del në opinion. Ata në realitet nuk kanë fuqi dhe vetëm e shfrytëzojnë situatën e tendosur dhe që të nxisin edhe më tej”, shprehet Demiri.

Ai thotë se paraqitjet e këtilla i takojnë së kaluarës dhe nuk mund të funksionojnë në kohë të sotme.

”Maqedonia ka shumë problem, si në aspektin e brendshëm po ashtu edhe kontestin me Greqinë në aspektin e marrëdhënieve të jashtme dhe për kapërcimin e këtyre  situatave nevojiten struktura  reale jo kapacitete klandestine dhe ata më shumë ta destabilizojnë situatën. Shfrytëzojnë disa ëndrra që nuk kanë interproduksion”, thotë Demiri.

Partitë politike shqiptare thonë se prioritet i shqiptarëve është që problemet t’i zgjidhin me mjete paqësore.

Zëdhënësi i Bashkimi Demokratik per Integrim , Bujar Osamani  thotë se  në rajon egzistojnë grupe të cilat kanë interes për destabilizimin rajonal.

“Por interesi strategjik  shqiptar është integrimi paqësorë i rajonit në BE dhe në NATO, çdo agjendë tjetër  nga kjo është antishqiptare. Tani për tani nuk kemi informacione se a është fiktive  apo jo kjo organizatë” tha Osmani. 

Për Rilindjen Demokratike Kombëtare së nuk është aspak e qartë nëse këto janë lojëra interneti, lojë e shërbimeve sekrete të huaja apo diçka reale, ndërsa PDSH-ja nuk ka komentuar.

Ndërsa Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska ditë më parë tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë organizatë serioze.

Ndryshe e ashtuquajtura ‘Armata për Çlirimin e Trojeve të Okupuara Shqiptare’, paraqitet në formë komunikatash në një kohë kur situata politike në Maqedoni dhe Kosovë nuk është e qëndrueshme.

Akoma nuk dihet kush e ka themeluar ketë ‘organizatë’ e cila para një jave u dha ‘ultimatum’ serbëve ,maqedonasve dhe grekëve të lëshojnë tokat shqiptare.

/Portalb/ 

Lajme të ngjashme

Back to top button