Sheshi “Skënderbej” në Tiranë, gërshetues i artit shqiptar

Më 23 shtator, Tirana do të mirëpresë shumë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Mali të Zi dhe diasporës, si dhe shumë turistë të huaj, përcjell Portalb.mk.

Sheshi “Skënderbej” do të jetë arena më e madhe muzikore për të gjithë artdashësit e muzikës shqiptare dhe klasike.

Violinisti shqiptar me famë botërore, Shkëlzen Doli, ideator dhe udhëheqës artistik i projektit “Shkëlzen Doli – Albanian Soul”, sjell një shfaqje artistike gjigante që pritet të kthehet në një traditë të përvitshme në Tiranë, por edhe në qytete brenda e jashtë Shqipërisë.

Bazë e kësaj shfaqjeje, që do të jetë në formën e një galaje madhështore, do të jetë muzika shqiptare, por në program do të ketë edhe pjesë të zgjedhura nga muzika klasike botërore.

Shkëlzen Doli, prej disa vitesh në koncertet kudo në botë që ai zhvillon, ka përfshirë në programin artistik pjesë muzikore shqiptare, duke bërë promovimin më të madh të muzikës autoktone shqiptare kudo në botë.

Skenografia e shfaqjes do të jetë gjigante dhe patjetër do të ketë simbolike autoktone. Është zgjedhur të përshtatet Apolonina e Fierit . Top Channel do të bëjë realizimin televiziv të kësaj shfaqjeje, si dhe do të jetë partner mediatik.

Ky eveniment artistik, përveç Shqipërisë do të transmetohet nga një numër televizionesh në Europë, Azi dhe SHBA. Biletat e kësaj shfaqjeje mund t’i gjeni “online”, si dhe së shpejti në sportele në Tiranë, Prishtinë, Gjakovë e Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button