Kufijtë e degradimit të natyrës “preken” me art bashkëkohor

Ndërtesat e braktisura e të fundosura në zonat bregdetare në Tajvan i shërbejnë në njëfarë mënyre artistit nga ky vend, Yang Shun-Fa për t’i adresuar dilemat aktuale rreth ndryshimit klimatik.

Por ky rrëfim i tij, që shpaloset përmes serisë së fotografive, zuri vend në një shtëpi të vjetër të lënë pas dore në Prizren, në kuadër të ekspozitës së bienales ndërkombëtare të artit bashkëkohor “Autostrada Biennale”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përderisa lokacioni i prezantimit të veprës artistike buzë lumit në lagjen “Marash” të Prizrenit, është zgjedhur me shkas për të ngritur zërin për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore të qytetit të vjetër, edhe vetë seria e fotografive të artistit tajvanez flet për degradimin global të natyrës.

Seria e fotografive e titulluar “Bukuria e fundosur e Formosës” e Yang Shun-Fa është e prezantuar në shtëpinë e Nafis Llokvicës, objekti rezidencial më i vjetri në kompleksin e “Marashit”. Yang shpërfaq sesi zonat bregdetare në Yunlin, Chiayi dhe Tainan vuajnë më së shumti nga përmbytjet e tokës në Tajvan dhe sa herë që i ka vizituar këto vende, ai ka parë objekte zyrtare të përpunimit të kripës dhe bunkerë ushtarakë të zhytur në ujë.

Ekspozita ndërkombëtare “E ardhmja e kufijve”, në kuadër të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor “Autostrada Biennale”, që po mbahet në Prizren të hënën është hapur për publikun në të gjitha hapësirat e saja. Lidhja është jetësuar nga Kalaja e qytetit deri te Stacioni i Autobusëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button