Formimi i një partie të re e vetmja zgjidhje për Malësinë

 

Çdo gjeneratë duhet të ketë përfaqësuesin e vet, gjenerata ime më kishte mua, po gjenerate juaj kë do të ketë ? Këto ishin fjalët e Napoleon Bonaparte para se të vdiste. E kaluara politike shqiptare në Mal të Zi është analizuar dhe hulumtuar nga analistë, politikolog, publicistë etj, mirëpo edhe pse janë publikuar me qindra shkrime, reagime dhe këshilla, dekadën e fundit nuk ka asnjë ndryshim apo  përmirësim.  Një retrospektivë e shkurtër për partitë politike shqiptare në Mal të Zi është e mjaftueshme që të kuptohet shkallëzimi i tyre,  duke i çuar ato në 2.000 vota më pak në zgjedhjet parlamentare 2016 se në 2012.

Devijimi i politikës shqiptare në Mal të Zi filloi atëherë kur mbas formimit të Lidhjes demokratike në Mal të Zi 1990, u formuan edhe parti të tjera shqiptare.  Kjo bëri që elektorati të ndahet , derdhja e votave vetëm se rritej, në dëm të popullit shqiptarë, filluan përleshjet dhe debatet midis këtyre partive në vend që politika dhe qëllimi të ishte i njëjtë edhe pse në programin e tyre partiak dallimi është shumë i vogël, madje as nuk vërehet.  Mbas afro tri dekadave numri i partive shqiptare rritet mbi 10 dhe kështu  në parlamentin e Malit të Zi shqiptarët mbesin pa asnjë deputet. Në Malësi zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 bojkotohën 46.5 %, partitë shqiptare marrin shumë më pak vota se në zgjedhjet e vitit 2012. Besimi në partitë shqiptare, respektivisht në liderët e këtyre partive sot është në minimum ose është zhdukur. Tentativat që këto parti të dalin të bashkuara në zgjedhjet parlamentare, nga individë, intelektualë, shoqata të ndryshme nga këtu deri në SHBA, ishin të kota.  Anëtarësimi në këto parti çdo ditë është më i vogël, angazhimi i të rinjëve është tejet i dobët dhe aspak i dukshëm. Pothuajse këto parti dita ditës po braktisën.  Mos angazhimi i liderëve të partive shqiptare në rrjedha të duhura, bën që këto parti të dobësohen, mospërfillja dhe devijimi politik bëri që të rinjët nga këto treva të distancohen nga rrjedhat politike. Robërimi i këtyre partive nga liderët bëri që të rinjët të rrinë larg angazhimit politik. Papunësia në këto treva është dukshëm në rritje, emigrimi i të rinjëve po rritet, vendi po mbetet boshë, studentët shqiptarë të vetmen përkrahje e kanë nga bashkëvendasit tonë në mërgim.

Në fund të vitit 2015 unë zhvillova një anketë me disa të rinj nga vende të ndryshme në Malësi, e cila është publikuar nëpër portale dhe gazeta të ndryshme, ku rinia kërkon ndryshimin e lidershipit të këtyre partive. Të pakënaqur me angazhimin e liderëve të këtyre partive rinia shqiptare në Mal të Zi, sidomos në Malësi kërkon formimin e një partie të re, të udhëhequr nga rinia. Dëshira për një parti të tillë lind nga mungesa e angazhimit politiko-shoqërorë të liderëve shqiptarë. Kohëve të fundit, shumë individë të moshës së re, disa në media, të tjerët nëpër rrjete sociale,  e disa me shkrime dhe publikime kërkojnë dorëheqjen e liderëve të partive shqiptare dhe formimin e një partie të re, me angazhim maksimal për nevojat e shqiptarëve në Mal të Zi, e sidomos për Malësinë. Një ide e tillë çdo ditë e më shumë has në mbështetje nga vetë banorët dhe nga diaspora e cila është e lodhur me mospërfilljen politike të liderëve aktual. Është për të ardhur keq që për 25 vite partitë politike shqiptare nuk arritën të dakordohën se çfarë duan shqiptarët në Mal të Zi, edhe pse programi politik i tyre është i njëjtë.

Por, ajo që duhet të jetë e qartë për secilin banorë është se politika duhet të jetë çështje e secilit dhe nuk guxon t’u lihet vetëm profesionistëve, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë më të mirën për të ardhmen e këtij vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button