Mattis: Rusia synon “ripërcaktim të kufijve” me forcë
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, e ka akuzuar Rusinë se synon “ripërcaktimin e kufijve ndërkombëtarë me forcë” dhe ka përsëritur se Uashingtoni “nuk do ta pranoj” aneksimin e Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, transmeton REL.
Mëtutje ai ka theksuar se “nuk ka dyshim se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Ukrainën”.
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, tha se ai në mënyrë aktive po e shqyrton mundësinë që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë armatim vdekjeprurës për Ukrainën, dhe do ta informoj presidentin, Donald Trump, për qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.
Sekretari Mattis tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për përpjekje diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës.
Prej prillit të vitit 2014, në luftimet ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, janë vrarë më tepër se 10 mijë vetë.