Kosovë, përfundon afati i aplikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale

Është përmbyllur mbrëmë në mesnatë afati për aplikim i subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale 2017, të cilat do mbahen në 38 komunat e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi përmbylljen e afatit për aplikim për çertifikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, që do të mbahen në 22 tetor.

Gjatë një periudhe dy mujore, prej 22 qershorit deri në 22 gusht, kanë aplikuar gjithsej 91 subjekte politike: 35 parti politike, 1 koalicion, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur për kryetarë komunash apo për këshilltarë të kuvendeve komunale.

Kosova këtë vit ka mbajtur edhe zgjedhjet e parakohshme parlamantare në 11 qershor, ndërsa për nesër është thirrur vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, e nisur në 3 gusht dhe me disa vijime që u bënë të pamundura nga mosardhja e deputetëve të koalicionit parazgjedhor fitues të zgjedhjeve, i cili është i vetmi që ka të drejtën e propozimit të kryeparlamentarit sipas një vendimi të para tre viteve të Gjykatës Kushtetuese.

Në Kuvendin e Kosovës, PDK-AAK-Nisma ka 39 mandate, Lëvizja Vetëvendosje 32 dhe LDK-AKR-Alternativa 29, nuk i kanë dhënë numra të mjaftueshëm koalicionit fitues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, as nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re.

Në votimet në konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë, si dhe në vendimmarrje të tjera parlamentare, pjesë e rëndësishme e procesit janë edhe 20 deputetët e komuniteve pakicë. Komuniteti serb ka 10 vendet e garantuara, 9 të Listës Serbe dhe 1 të Partisë së Pavarur Liberale, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.

Koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, që do ishin të dytat brenda vitit 2107, madje sipas disa analistëve do mund të mbaheshin edhe në një ditë me zgjedhjet lokale në 22 tetor

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button