Mediat greke: Re mbi marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë

Pothuajse të gjitha mediat greke lajmëruan për tërheqjen e personelit të Ambasadës serbe nga Shkupi, ndërsa pastaj edhe për deklaratat e politikanëve serb se diplomatët e tyre janë tërhequr për shkak të “veprimit zbulues dhe ofensiv kundër Serbisë”.

Botimi elektronik i “Katemerinit” sot në mëngjes transmeton lajm nga agjencitë botërore se Beogradi ka informacion se në sesionin e ardhshëm të UNESKO-s, Maqedonia do të propozojë që Kosova të bëhet anëtare e plotëfuqishme e organizatës. Gazeta gjithashtu e citon deklaratën e Vuçiqit ku shpreh bindje se “gjithçka do të bëhet më e qartë në dhjetë ditët e ardhshme”.

“Në të njëjtën kohë, në fillim të gushtit gazeta serbe “Veçernje novosti” pohonte se grupe të armatosura shqiptare planifikojnë provokime në kufirin Serbi-Maqedoni me qëllim të shkaktojnë konflikt ndërmjet dy vendeve”, përkujton gazeta, duke shtuar se Serbia e njohu Maqedoninë nën emrin kushtetues, derisa Shkupi e ka “dëshpëruar” Beogradin kur e njohu Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2008.

Edhe transmetuesi shtetëror ERT e transmeton deklaratën e Vuçiqit se për momentin ka shumë spekulime dhe se ata do të prononcohen në dhjetë ditët e ardhshme. Sipas presidentit serb, disa nga të punësuarit në Ambasadën në Shkup do të ndërrohen, thekson ERT.

Televizioni shtetëror grek thekson se disa media në Shkup vendimin e Beogradit e lidhin me informacionin se Maqedonia “bën presion për anëtarësim e Kosovës në UNESKO”.

“IJRM është njëra ndër 114 vendet, në mesin e të cilave edhe 23 anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat e kanë njohur Kosovën”, përkujton ERT.

Me titullin “‘Luftë’ ndërmjet Serbisë dhe Shkupit për anëtarësimin e Kosovës në UNESKO”, “Elefteros Tipos” shkruan se ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë ka shpërthyer krizë diplomatike serioze në bazë të informacioneve të Qeverisë serbe se Shkupi planifikon të votojë “për” në tentimin e ri të Kosovës të hyjë në UNESKO “edhe krahas premtimit nga ana e kryeministrit të ri Zoran Zaev se vendi i tij do të jetë neutral”.

“Në vitin 2015, gjatë Qeverisë së Gruevskit, Shkupi votoi për hyrjen e Kosovës në UNESKO, edhe atëherë shkaktoi reagim të fuqishëm nga ana e Serbisë. Kjo nuk është punë e vogël”, deklaroi dje kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, shkruan gazeta.

Sipas “Elefteros Tipos”, edhe Greqia indirekt është e përzier në konfliktin, “duke marrë parasysh që disa qarqe diplomatike shohin në qëndrimin e Shkupit si në ‘hakmarrje’ për pranimin e kryeministrit serb të Punëve të Jashtme Ivica Daçiq nga janari se vendi tij ka gabuar në vitin 1996 kur e ka njohur emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë”.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Athina, disa media greke e transmetojnë edhe qëndrimin se lidhur me votimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESKO, Qeveria e Maqedonisë do t’i ketë parasysh pozicionet e shumicës të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe se Shkupi zyrtar zhvillon marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet fqinje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button