fbpx

Karriera politike dhe profesionale e Bajram Rexhepit

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka vdekur sot në moshën 63-vjeçare.

Rexhepi prej disa muajsh po trajtohej në Turqi pas një sulmi në tru, raporton KTV. Fillimisht, ish-kryeministri ishte operuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por gjendja e tij mbetej e pandryshuar dhe me ndihmën e shtetit turk, Rexhepi ishte transferuar për trajtim atje.

Bajram Rexhepi lindi në Mitrovicë më 3 qershor 1954. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1979. Studimet pasuniversitare i përfundoi në Zagreb në vitin 1985.

Rexhepi punoi si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal të Mitrovicës deri në vitin 1990.

Gjatë luftës, Rexhepi i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shërbyer si mjek në zonën operative të Shalës. Pas luftës, Rexhepi shërbeu si kryetar i Komunës së Mitrovicës. Ka qenë nënkryetar i PDK-së dhe kryetar i degës në Mitrovicë.

Rexhepi ishte kryeministri i parë i Kosovës e në këtë pozitë qëndroi nga 4 marsi i vitit 2002 deri në dhjetorin e 2004-ës.

Ardhja e tij në krye të qeverisë ndodhi pas tre muaj bisedimesh dhe doli si emër konsensual. Më vonë ishte deputet i Kuvendit të Kosovës e më pas edhe ministër i Punëve të Brendshme.

Rexhepi u tërhoq nga partia e tij kur nuk i mori votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet. E kur më vonë radha i erdhi në nëntorin e 2016-ës që të ulet sërish në karrigen e deputetit, ai e kishte refuzuar këtë post, me arsyetimin se nuk do t’i kthehet kurrë jetës politike, kjo pasi paraprakisht kishte dhënë dorëheqje nga PDK-ja.

Ai pati një betejë të gjatë edhe me sëmundjen e kancerit, të cilës i kishte mbijetuar.

Bajram Rexhepi ka lënë pas gruan dhe vajzën e tij.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close