Lidershipi kosovar shpreh ngushëllime për vdekjen e ish-kryeministrit kosovar Bajram Rexhepi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Rexhepi, pas vdekjes së parakohshme të ish kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi.

“Me dhembjen më të madhe e pranova lajmin për vdekjen e mikut tim, kolegut tim, Bajram Rexhepit, kryeministri i parë i Kosovës, burrështetas dhe politikan që ka prekur jetët e të gjithëve me urtinë e tij”, thuhet në telegramin e presidentit Thaçi.

Në këtë telegram thuhet se me guximin, maturinë dhe durimin e tij, Rexhepi ishte shembull për të gjithë. Më tej thuhet se afërsia dhe respekti i Rexhepit ishin shembull për të gjithë miqtë e tij.

Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka ngushëlluar Familjen Rexhepi, pas ndarjes së tij  nga jeta

“Me pikëllim të thellë mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe veprimtarit të dalluar Bajram Rexhepi. Ndjehemi thellësisht të prekur nga kjo humbje e madhe për Ju dhe për tërë Kosovën”, shprehet Mustafa duke shtuar se ish-kryeministri Rexhepi ishte një personalitet dhe veprimtar i shquar i cili dha kontribut të veçantë para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare.

“Bajram Rexhepi do të mbetet në historinë më të re të Kosovës, si kryeministri i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës, si dhe si kryetar i Mitrovicës, duke kontribuar në avancimin e agjendës shtetndërtuese të Kosovës”, thotë Mustafa duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së Rexhepit.

Një prej figurave që ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepit ishte edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i cili përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka thënë se Bajram Rexhepi një jetë të tërë ishte në shërbim të vendit.

“Sot, morëm lajmin e pikëllueshëm për vdekjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi. Bajram Rexhepi, ishte një veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Në ditët më të vështira dha kontribut të veçantë për vendin përmes profesionit tij si mjek, ku edhe shërbeu në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa, pas luftës kontributin e tij e dha si njeri me përgjegjësi politike. Bajrami Rexhepi, ndonëse në rrethana të ndryshme, megjithatë, një jetë të tërë ishte në shërbim të vendit. Në këto momente jo të lehta jemi bashkërisht me ju familja Rexhepi. Ngushëllime Juve dhe gjithë qytetarëve të vendit”, ka shkruar Sejdiu.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie ka ngushëlluar familjen Rexhepi dhe kolegët dhe bashkëpunëtorët e Rexhepit, të cilët për vite me radhë kanë punuar me të.

“Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e ish-kryeministrit Bajram Rexhepi, i cili ka punuar në emër të Kosovës për shumë vite”, shprehet Greg Delawie.

Ish- kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi ndërroi jetë sot në Turqi në moshën 63-vjeçare pas një sulmi në tru.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button