Djegia e deponisë së Tetovës: Lirohen mijëra substanca kimike që konsiderohen kancerogjene

Djegia e deponisë së Tetovës ngjalli reagime të shumta te qytetarët se “po mbyten nga ajri kancerogjen” duke kërkuar që “t’i lënë të marrin frymë”. Meqë dje me djegien e deponisë u panë edhe fluska të mëdha të cilat përshkuan rajonin e Pollogut kurse edhe më tej vazhdon të jetë ajri i ndotur, mjeku Liridon Disha për Portalb.mk vlerësoi se ajo pengoi paraqitjen e epidemive por mund të shkaktojë helmime dhe karcinoma në të ardhmën.

“Epidemitë zakonisht shkaktohen nga deponitë. Por, djegia e tyre i shkatërron bakteret dhe viruset të cilat mund të shkaktojnë infeksione të mundshme. Realisht djegia e deponive e stopon procesin e shpërthimit te epidemive, por e nis procesin e helmimit nga gazrat e ndryshëm qe lirohen nga djegia e saj.

LEXO: Me kontejnerë të rrëzuar para komune, tetovarët kërkuan dorëheqjen e Arifit

Image may contain: 1 personDisha shkon më tej, procesin e djegies së deponisë e sheh me pasoja afatgjata duke shkaktuar çrregullime pothuajse në të gjitha sistemet e organizmit të njeriut. Ai nuk përjashton edhe mundësinë e shkaktimit të karcinomave të cilat do të rezultonin me rritje të vdekshmërisë në rajonin e Pollogut.

“Djegia është proces i shkatërrimit apo zhbërjes së materieve të ndryshme përmes zjarrit. Gjatë këtij procesi lirohen shumë materie të dëmshme të cilat e ndotin ambientin dhe helmojnë boten bimore e shtazore. Efekti i ndotjes së ambientit mund të jetë afatshkurtër (siç ndodhi dje me zjarrvënien në deponinë e egër të Tetovës) dhe afatgjate si pasojë e grumbullimit të substancave të dëmshme të cilat më vone mund ta kontaminojnë ujin, ajrin dhe tokën. Gjatë djegies së mbeturinave (varësisht prej materieve që digjen) në ajër, ujë dhe tokë lirohen me mijëra substanca kimike, një përqindje e të cilave mund të konsiderohen edhe substanca kancerogjene. Efekti afatshkurtër shkaktohet javën e pare të shpërthimit të zjarreve dhe te njerëzit mund të paraqitet me simptoma të kokëdhimbjes, ngulfatjes, marramendjes, vjelljes, barkqitjeve etj. Efektet afatgjata të dëmshme të ndotjes së ambientit nuk mund të përcaktohen sepse ato lënë pasoja të shumta të pallogaritshme për shëndetin e njeriut. Shkaktojnë çrregullime në sistemin kardiovaskular, sistemin endokrin, sistemin respirator dhe në përgjithësi afektojnë çdo organ të organizmit të njeriut. Të gjitha këto çrregullime kulminojnë me paraqitjen e sëmundjeve malinje (karcinomave të ndryshme) të cilat janë të pashërueshme dhe për pasojë kane vdekjen e njeriut”, tha Disha.

LEXO: Kodi Penal parasheh burg për fajtorët e djegies së deponisë në Tetovë, ja çfarë thonë nga Prokuroria

Arianit Xhaferi, "Eco Guerilla"
Arianit Xhaferi, “Eco Guerilla”

Në lidhje me këtë nga organizata ekologjike “Eco Guerilla”, Arianit Xhaferi sërish kërkoi dënim të shkaktarëve të këtij dëmi, si për ata që mundësuan djegien e saj por edhe për ata që e shkaktuan atë.

“Qëndrimi jonë është që autoritetet përgjegjëse të gjejnë shkaktarët e zjarrit dhe t’i dënojnë ato sipas ligjit. Njësoj duhen dënuar edhe fajtorët, ata që kanë lejuar që kjo deponi të helmonte për vite e vite me radhë qytetarët e Tetovës. Nuk mund t’i lejohet askujt të jetë përmbi ligjin dhe të rrezikojë shëndetin e qytetarëve, të na i helmojë fëmijët dhe të kalojë pa u ndëshkuar, ashtu siç kërkon ligji në raste të këtilla”, tha Xhaferi

LEXO: “Eco Guerilla” rikthen protestat kundër ajrit të ndotur në Tetovë

Në lidhje me këtë nga Spitali i Tetovës për Portalb.mk bënë të ditur se edhe pse ka raste të shumta që janë paraqitur me simptome të vjelljes dhe barkqitjeve, sërish ata nuk janë si pasojë e ndotjes së ajrit, por nga virusi sezonal aktual në ditët e sotme.

“Në Spitalin e Tetovës kemi pasur paraqitje të rasteve me barkqitje të mëdha dhe të vjellura. Mirëpo nuk mund të vlerësoj se këto kanë ardhur si pasojë e djegies së deponisë së djeshme, pasi që ditëve të fundit ka qenë aktual virusi sezonal që shkakton këto simptome. Deri në mesditë nuk kam pasur pacient i cili është ankuar nga ngulfatjet dhe vështirësi në frymëmarrje si pasojë e ajrit të ndotur. Mirëpo, që të mund të vlerësohen pasojat nga ajri duhet të bëhen hulumtime statistikore e ato kërkojnë kohë”, tha mjekja kujdestare e Spitalit të Tetovës, Arta Bajraktari.

Deponia e tetovës, 19 gusht 2017
Deponia e tetovës, 19 gusht 2017

Duke mos dashur të komentojnë për atë se a mund të pritet ndonjë lloj epidemie pas djegies enorme të deponisë, pasi siç shprehen ata për këtë duhet hulumtim nga Ministria e Hapësirës, Ministria e Shëndetësisë apeloi për zgjidhje sa më të shpejtë të problemit.

“Ministria e Shëndetësisë me kujdes i ndjek ngjarjet në qytetin e Tetovës. Ne si Ministri apelojmë për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemit dhe me këtë t’u mundësohet ajër më i pastër qytetarëve të Tetovës”, thanë nga MSH-ja.

Ndërkaq Ratko Davidovski nga Qendra e Shëndetit Publik tha se “nuk kam mbetur gjë çfarë nuk kam thënë për këto dhjetë vjet, janë gjëra të njëjta prandaj nuk dua më as t’i diskutoj”.

Kujtojmë se në lidhje me deponinë e Tetovës, Davidovski së fundmi kishte thënë se “kjo situatë duhet të parandalohet, dhe kjo arrihet vetëm me dislokimin e deponisë’.

LEXO: “Eco Guerilla”: Gjeneza e deponisë së Tetovës është fshehja e së vërtetës

Përndryshe, zjarri i pasditës së djeshme nuk ishte i vetmi që u bë në deponinë e Tetovës, para mesnate deponia është rindezur sërish. Pasojat nga kjo janë parë edhe në orët e hershme të mëngjesit. Nga fotoja e shkrepur në ora 9 të mëngjesit shihet qartë se ndotja e ajrit vazhdon edhe më tej në Tetovë, ndërsa banorët sërish alarmojnë “se po mbyten nga ajri kancerogjen”.

Ndryshe, reagime të shumta pati për këtë, ndërkaq organizata joqeveritare ekologjike “Eco Guerilla” kërkoi dënim për të gjithë përgjegjësit e kësaj vepre, duke përfshirë edhe “autoritetet lokale të cilat me vite nuk arritën të largojnë këtë deponi”. Të njëjtën e kërkuan edhe nga Lëvizja BESA dhe LR-PDSH. Reagoi edhe Qeveria e Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button