Delawie, deputetëve: Gjeni zgjidhje, dilni në punë e mos u fjalosni kot!

Ambasadori amerikan ka kërkuar nga deputetët e legjislaturës së re që fuqitë e tyre t’i koncentrojnë në gjetjen e rrugëdaljes dhe zhbllokimit të situatës, e jo në fjalosjet mes vete.

Duke folur për situatën politike, në një intervistë ekskluzive në Info Magazine të Klan Kosovës, Greg Delawie tha se deputetët asnjëherë nuk duhet të harrojnë se u zgjodhën nga populli për të punuar për popullin.

“Vonesa i kushton Kosovës politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin ndërkombëtar. Më duhet t’ua përkujtoj deputetëve se janë zgjedhur për të punuar për popullin. Dhe, ata duhet të gjejnë kompromis. Deputetët nuk janë zgjedhur që të rrinë në Prishtinë dhe të fjalosen kot, apo të mos dalin fare në punë”, ka thënë ai. “Është thelbësore që Kuvendi të formohet, që Qeveria të formohet dhe këta zyrtarë të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet Kosova. Politikanët kosovarë duhet të marrin vendime të vështira dhe të rëndësishme, si dhe t’i marrin përgjegjësitë për ato vendime”.

Delawie ka refuzuar t’ia drejtojë gishtin një personi apo ndonjë grupi politik si fajtor për gjendjen politike, por tha se u takon deputetëve të ofrojnë zgjidhje dhe t’i formojnë institucionet sa më parë.

“U takon 120 deputetëve që të gjejnë mënyrën se si të bëjnë përparim dhe ta kuptojnë se interesi i vendit është në rend të parë. U takon atyre që të marrin vendime në të mirë të këtij vendi”, ka thënë ai, duke refuzuar për të komentuar politikat e kandidatit të VV-së për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, e as të subjektit të tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button