Përse i shërbyen Bashës ministrat teknikë?

Tani kur ministrat teknikë shpallën se i kanë dhënë fund misionit të tyre të marrë me marrëveshjen e 18 majit është koha të bëhet një bilanc se përse shërbyen ata. Edhe vetë opozitarët në letrën e famshme me 10 pika të Fatmir Mediut e pranojnë se nga ana administrative eksperienca e tyre 3 mujore ishte një dështim. Sipas kreut republikan ata nuk penguan dot as vjedhjen e zgjedhjeve, ata trafikun e drogës dhe as abuzimet në administratë. Pra në këtë kuptim si personalitete që kishin marrë përsipër një detyrë shtetërore, ata nuk patën asnjë rezultat, shkruan Lapsi.al.

LEXO: Dorëhiqen ministrat teknik në Qeverinë “Rama”

Por edhe si personalitete njerëzore ata nuk u ngritën dot në lartësinë e një shembulli. Ata pranuan të trajtohen si qenie të kategorisë së dytë, duke hyrë në histori si ministrat që jo vetëm nuk figurojnë në një foto të përbashkët qeveri, por edhe më keq, si njerëz që për tre muaj nuk u ulën dot njëherë të vetme në tryezën ovale të qeverisë. Si për ti dhënë fund këtij rekordi të rrallë, ata nuk arritën dot të kenë një takim me kryeministrin e tyre dhe u trajtuan si vartës të maxhordomit të tij.

Kuptohet, që për këtë faji është kryekëput i Edi Ramës dhe i konceptit që ai ka për shtetin. Por çdo njeri me pak respekt për veten, që moralisht nuk pranon të bjerë në këtë nivel, do të kishte përplasur derën me kohë.  Por të tetë teknikët qëndruan edhe kur nuk kishin më asnjë punë duke vënë në pikëpyetje jo vetëm integritetin e tyre, por edhe të atij që i kishte zgjedhur.

Dhe këtu vijmë tek bilanci politik? Përse i shërbyen ata Lulzim Bashës ? A i ruajtën ata dot zgjedhjet? Për çfarë shërbeu marrëveshja okulte me Ramën?

Në kohën kur u bë qeveria e koalicionit, udhëheqësit e PD u treguan entuziastë. Jo vetëm ata folën për mundësinë e fitores po thoshin me entuziazëm se rikthimi në zyrat e shtetit kishte afruar me mijëra njerëz në selitë lokale të partisë. Ata i gëzoheshin faktit se opozita po shërbente jo si burim frymëzimi, por si zyrë punësimi. Dhe rezultatin e morën pas 45 ditësh.

Të rëndë, ndëshkues dhe të paprecedentë në historinë e PD-së.

Por megjithatë Lulzim Basha, i cili fillimisht tha se nuk ka zgjedhje me Ramën, pastaj garantoi që do të ketë garë të kontrolluar me të njëjtin kryeministër dhe në fund doli e tha pa pasur turp sikur nuk qe ai garantuesi i marrëveshjes se Rama e vodhi, nuk mbajti asnjë përgjegjësi. Ai u rizgjodh në krye të PD-së sikur asgjë mos kishte ndodhur, ashtu siç po largohen tani, ministrat që nuk shërbyen për asgjë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button