Takim Osmani – Roth: Gjermania, partner strategjik i Maqedonisë

Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës në Gjermani, u takua me Michael Roth, ministër Shtetëror për Europë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, transmeton MIA.
Në takim, Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë për integrimet evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e theksuar veçmas përmes iniciativës së “Procesit të Berlinit” por edhe për mbështetjen e drejtëpërdrejtë gjermane për Maqedoninë.
“Në këtë drejtim, po ua përcjellim iniciativën e Qeverisë sonë për vendosjen e partneritetit strategjik mes Republikës së Gjermanisë dhe Republikës së Maqedonisë, me çka mbështetja juaj do të merrte edhe përmbajte formale”, theksoi Osmani, duke shtuar se partneriteti strategjik do të ishte sidomos i rëndësishëm për përshpejtimin e proceseve integruese evropiane dhe euro- atlantike në Maqedoni.
Me këtë rast, Osmani paraqiti gjendjen e re politike në Republikën e Maqedonisë lidhur me përkushtimin e vendit ndaj reformave, por edhe për evitimin e të gjitha pengesave drejt integrimit euro-atlantik të vendit.
Osamni, ministrit Roth ia prezantoi edhe implementimin e Planit 3-6-9 dhe ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e plotë të të gjitha prioriteteve të nevojshme reformuese të marra për sipër nga Qeveria. Përpos zbatimit të reformave, Osmani theksoi edhe mbylljen e dy nga tri çështjet kyçe politike që ishin pengesë për integrimin tonë evropian: nënshkrimi i marrëveshjes së fqinjësisë së mire me Bullgarinë, për të cilën ka edhe vullnet politik që të ratifikohet në Kuvend; si dhe miratimi i propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e Qeverisë, i cili, po ashtu, pritet të votohet ne Kuvend.
“Duke hequr barrierat tjera në rrugën e integrimit tonë evropian dhe euro-atlantik, Maqedonia mbetet e ballafaquar me kontestin rreth emrit të vendit tone me Greqinë, për zgjidhjen e të cilit, si Qeveri por edhe si shtet na nevojitet ndihmë. Për këtë arsye haptas dua të kërkoj përfshirjen e Gjermanisë në zgjidhjen e kësaj çështje, si një ndër vendet anëtare më me ndikim në Bashkimin Evropian dhe NATO”, theksoi Osmani.
Ai shtoi se bëhet fjalë për një kontest të ekzagjeruar për arsye pranisë së gjatë dhe keqpërdorimit për politikë ditore, dhe që shkakton reagime të thella emocionuese tek të dy palët, që, si i tillë, vështirëson zgjidhjen e tij.
Takimi me ministrin për Evropë, Michael Roth është takim qendror i zëvendëskryeministrit Osmani, gjatë vizitës së tij në Berlin. Ai do takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit gjerman, si dhe me përfaqësues me ndikim në organizatat joqeveritare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button