Bashkëpunimi i Maqedonisë me Kosovën dhe Shqipërinë, do t’ua lehtësojë jetën qytetarëve

Në vazhdën e marrëveshjes Maqedoni-Bullgari u nxit edhe ideja e nevojës së arritjes së një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet Maqedonisë me Shqipërinë dhe Kosovës, për të cilën zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski, publicisti Azam Dauti dhe analisti politik Albert Musliu vlerësojnë se nuk është e nevojshme të realizohet, pasi që problemet të cilat u zgjidhën me marrëveshjen Maqedoni-Bullgari nuk kanë ekzistuar e as nuk ekzistojnë ndërmjet Maqedonisë dhe dy shteteve shqiptare, andaj në këtë raport është e nevojshme intensifikimi i marrëveshjeve në sfera të ndryshme për të mirën e qytetarëve, shkruan Portalb.mk.

“Marrëdhëniet bilaterale të Republikës së Maqedonisë me vendet fqinje, si Shqipëria dhe Kosova përfshijnë të gjitha aspektet e bashkëpunimit, fqinjësisë dhe miqësisë së mirë. Qytetarët e të tria vendeve udhëtojnë pa dokumente udhëtimit vetëm me letërnjoftim, kurse shkëmbimi i mallrave zhvillohet pa ndërprerje. Nuk ekzistojnë çështje të hapura me Kosovën dhe Shqipërinë, përkundrazi kemi bashkëpunim të shkëlqyer. Veçanërisht me Shqipërinë me të cilën është marrë vesh të kemi edhe seanca qeveritare të përbashkëta. Vlerësojmë se marrëdhëniet aktuale diplomatike janë të mjaftueshme si bazë për zhvillim më të mirë të marrëdhënieve në aspekt të politikës së jashtme, në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe vendosjen e perspektivave të reja bashkëpunuese. Qëllimi ynë është edhe qëllim i të gjitha shteteve fqinje ngaqë të gjithë synojmë një ardhmëri, si integrimet euro-atlantike”, tha për Portalb.mk, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski.

Azam DautiNë lidhje me këtë, publicisti Azam Dauti thotë se marrëveshja Maqedoni-Bullgari dallon nga marrëveshjet e zakonshme që u bënë nga Maqedonia, pasi siç shprehet ai, nëpërmjet saj është tentuar që historianëve t’ua lënë zgjidhjen e çështjeve të hapura prej shumë kohësh, që lidhen me çështjen e njohjes së gjuhës dhe kombit maqedonas.

“Maqedonia ka nënshkruar shumë marrëveshje dypalëshe me të gjitha shtete fqinjë, por ajo me Bullgarinë, dallon prej të tjerave, sepse këtu bëhet fjalë për çështjen e mospranimit të identitetit etnik maqedonas nga ana bullgare, e që me këtë tejkalohet ky problem, duke ia lënë historisë dhe historianëve të merren me të. Kësi lloj marrëveshje nuk ka nevojë të bëhet me Shqipërinë, sepse Shqipëria e njeh popullin dhe gjuhën maqedonase”, tha Dauti.

Albert MusliuNdërkaq analisti politik Alber Musliu thotë se Shqipëria ka metodologji më të veçantë kujdesi në raport me shqiptarët e Maqedonisë, andaj nuk është e nevojshme të nënshkruhet marrëveshje e llojit Maqedoni-Bullgari.

“Marrëveshje të ngjashme siç ishte  me Bullgarinë nuk e shoh të nevojshme të zhvillohet edhe me Shqipërinë sepse kjo e fundit ka metodologji të kujdesit shumë të qartë. Marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase janë shembull i marrëdhënieve të mira diplomatike. Nëse shqiptarët në Maqedoni anashkalohen, margjinalizohen, atëherë nuk ka marrëveshjeqë i rregullon marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Siç edhe kemi mundur ta vërejmë se në prioritetet reformuese të Maqedonisë, përskaj reformave në drejtësi qëndron edhe Marrëveshja e Ohrit dhe avancimi i të drejtave shqiptare në Maqedoni. Marrëveshja siç ishte me Bullgarinë nuk duhet ta ketë as me Kosovën sepse si me Shqipërinë por edhe me të, ajo s’ka interesa territoriale”, tha Musliu.

Në cilat sfera duhet të bashkëpunojë Maqedonia me Shqipërinë dhe Kosovën?

Dauti dhe Musliu vlerësuan se mes Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës duhet të intensifikohen marrëveshjet dypalëshe të cilat do ndjehen nga qytetarët e Maqedonisë.

“Për të avancuar raportet e ndërsjella shtetërore gjithmonë ka nevojë për Marrëveshje të reja dypalëshe me Shqipërinë, sepse edhe në marrëveshjet paraprake në fushën e arsimit, kulturës, sigurisë, diplomacisë, ekonomisë, ekologjisë, sociales etj., ekzistojnë elemente favorizuese bashkëpunimi. Megjithatë, do të ishte pozitive, që këto Marrëveshje për bashkëpunim të intensifikohen dhe qytetarët të fillojnë t’i ndjejnë edhe më shumë. Prandaj në këtë funksion ka nevojë të bëhet një Marrëveshje më gjithëpërfshirëse me Shqipërinë, duke inkorporuar dhe detajuar marrëveshjet paraprake të disa fushave më specifike, siç janë bashkëpunimi doganor, sigurisë, kulturës, arsimit dhe shkencës, mjedisit etj.

Në fushën e kulturës dhe bashkëpunimit doganor, Dauti parasheh qarkullimi të lirë të librave në mënyrë të padoganuar, e njëjta mund të iniciohet edhe në nivel rajonal.

Kufiri Maqedoni-Kosovë“Kjo do të ishte një simbolikë e madhe, për hapjen e kufijve ngjashëm me atë të Evropës dhe në frymën e kërkesave të këtyre shteteve për të hyrë në BE. Efektet e një Marrëveshje të modifikuar me Shqipërinë, duke i inkorporuar pjesë të ndryshme nga marrëveshjet paraprake për fusha të caktuara, me përcaktimin e qartë të gjërave në praktikë, do t’i afronte Maqedoninë dhe Shqipërinë më afër BE-së dhe më larg lindjes”, tha Dauti.

Sipas tij këto marrëveshje do të kontribuonin edhe në procesin eurointegrues të Maqedonisë dhe Ballkanit në përgjithësi.

Ndërkaq, Albert Musliu shprehu se “mes Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës ka nevojë për bashkëpunim, të cilat për interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Maqedoni do të duhej të intensifikohen në sferën e arsimit dhe kulturës”.

LEXO: Prishja e raporteve me Shqipërinë, vetëvrasje politike dhe ekonomike për Maqedoninë

Ndryshe, Maqedonia si pasojë e qeverisjes së kaluar ka prishur marrëdhëniet pothuajse me të gjitha shtete e Ballkanit Perëndimor, me Bullgarinë në luftën për krijimin e identitetit kombëtar, pastaj me Serbinë në çështjen e ndarjes së Kishës Ortodokse dhe më pas me Greqinë për sa i përket problemit me emrin, i cili problem ka qenë një ndër faktorët më të mëdhenj që Maqedonia ngeci në rrugën e integrimeve evropiane. Por, “dukshëm” mund të themi se Maqedonia marrëdhënie të mira deri më sot ka pasur vetëm me Shqipërinë dhe Kosovën (pasi që kjo e fundit u bë shtet), mirëpo, me ardhjen në skenë të Platformës Shqiptare, për përpilimin e së cilës VMRO-DPMNE e fajësonte kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Nikolla Gruevski i acaroi marrëdhëniet edhe me Shqipërinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button