Përplasje për “përmendore” mes Zoran Damjanovskit dhe këshilltarëve të BDI-së në Kumanovë

Ende pa u shpallur kandidaturat zyrtare, anëtarë të caktuar të partive politike në Kumanovë kanë filluar me fushatë parazgjedhore për të “vendosur” përmendore me karakter etnik maqedonas dhe shqiptar. Pas paralajmërimit të autoriteteve lokale të Komunës së Kumanovës, se në qendër të Kumanovës nesër do të fillojë ndërtimi i “Parkut me memorialë” me përmendore të “Branitellave”, këshilltarët e BDI-së, sot kanë “kërcënuar” se nëse vendoset “një pllake përkujtimore kushtuar “Branitellave” në parkun e ri të qytetit, grupi i këshilltarëve të BDI si kundërpërgjigje do të vendosin një pllakë përkujtimore kushtuar dëshmorëve të UÇK-së të luftës së vitit 2001, njofton Portalb.mk.

“Kumanova do të fitojë park me pllaka përkujtimore për “Branitellat” që i kanë dhënë jetët e tyre për qytetin dhe Maqedoninë, i cili ndodhet mes pishinës së mbyllur dhe Sallës së Qytetit. E gjithë hapësira është e paraparë që të rregullohet në mënyrë hortikulturore, ndërkaq në të ardhmen do të ndodhen edhe disa pllaka përkujtimore të “Branitellave” maqedonas”, thonë autoritet lokale të Komunës.

Park-na-branitelite-Kumanovo-v0101
Foto nga projekti për parkun

Pas këtyre paralajmërimeve që u gjetën në shumë media maqedonase, sot kanë reaguar këshilltarët e BDI-së, duke thënë se si kundërpërgjigje ndaj kësaj do të vendosin edhe ata pllakë përkujtimore të dëshmorëve të UÇK-së.

“Ne, grupi këshilltarëve të BDI-së pranë këshillit të Kumanovës, njoftojmë opinion e gjerë se energjikisht dënojmë paralajmërimet e kreut të Kumanovës Damajnovski për vënien e një pllake përkujtimore kushtuar “Branitellave”, të plasuar në disa portale në vend. Ne si këshilltarë komunal as nuk jemi njoftuar e as konsultuar për një gjë të këtillë dhe as që është biseduar në ndonjë forum apo organ komunal. Dëshirojmë të theksojmë dhe ta njoftojmë opinionin se nëse realizohet një projekt i këtillë, atëherë ne si grup këshilltarësh të BDI-së si kundër përgjigje do të vejmë një pllakë përkujtimore kushtuar dëshmorëve të UÇK të rënë në luftën e viti 2001. Pllakën planifikojmë ta vëmë në parkun e qytetit afër stadiumit të qytetit”, thuhet në kumtesën e këshilltarëve të BDI-së në Komunën e Kumanovës.

Kryetar i Komunës së Kumanovës, Zoran DamjanovskiMegjithatë, kryetari Kumanovës, Zoran Damjanovski, sot në konferencë për shtyp ka “ulur gjakrat” duke sqaruar se parku do të ndërtohet në bashkëpunim me disa organizata joqeveritare, ndërkaq përmendoret eventuale që do të vendosen në park, do të votohen nga Këshilli Komunal me Bandeter, që nënkupton se pa votën e shqiptarëve nuk mund të vendosen të njëjtat.

“Interesi publik është për të gjithë dhe jo vetëm për një etni. Çdo përmendore vendoset në Këshill Komunal dhe votohet me Badenter. Propozime mund të vijnë nga organizatat e ndryshme, por në fund voton Këshilli”, deklaroi Damjanovski, duke u arsyetuar se gjatë tre mandateve sa ka qenë kryetar i Komunës së Kumanovës, ai ka punuar në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë etnike.

Derisa vazhdojnë përplasjet mes Damajnovskit dhe këshilltarëve të BDI-së në Komunë, prapa perdeve vazhdon kalkulimi për kandidatët eventual për zgjedhjet e ardhshme lokale të cilat pritet që të mbahen më 15 tetor të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

Për dallim nga BDI që ende nuk kumton asnjë informatë në lidhje me kandidatin që do të duhej të dalë në garën për Kumanovën, nga LSDM tanimë kanë dalë katër emra të cilët synojnë të jenë në krye të qytetit, prej të cilëve në fillim të shtatorit njërin duhet ta zgjedh kryesia e LSDM-së. Ndër kandidatët e LSDM-së janë, kryetari aktual i Komunës; Zoran Damjanovski, kryetari aktual i Këshillit të Komunës së Kumanovës; Aleksandar Arsiq, deputeti; Maksim Dimitrievski, kryetari i Organizatës Komunale të LSDM-së në Kumanovë; Martin Kostovski dhe drejtori aktual i Ndërmarrjes Publike të Kumanovës “Gjelbërim dhe Pastërti”, Sasho Petrushevski.

Ndryshe, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, më 8 gusht e miratoi kalendarin për aktivitetet zgjedhore, të cilat priten të mbahen më 15 tetor të këtij viti. Sipas afateve të miratuara, fushata zgjedhore fillon më 25 shtator. Partitë më së voni deri më 9 shtator duhet t’i dorëzojnë listat e kandidatëve ndërkaq inspektimi i listës zgjedhore do të zgjasë nga 21 gushti deri më 9 shtator. Raundi i dytë do të mbahet me 29 tetor. Nga KSHZ-ja thonë se përgatitjet për zgjedhjet lokale i kanë filluar nga janari dhe se punojnë për t’i eliminuar të gjitha mangësitë të cilat i nënvizoi bashkësia ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button