Prokuroria dhe MPB në kërkim të vrasësit të Dilaver Bojkut

Prokuroria Publike e Strugës, sot në mëngjes informoi se po punon intensivisht për gjetjen e vrasësit të Dilaver Bojkut, pronar i restorantit dhe plazhit “Akua blu” në Strugë, njofton Portalb.mk.

“Prokurori kujdestar i Prokurorisë Publike të Strugës, bashkë me ekipin e ekspertizës nga SPB Ohër – Stacioni Policor Strugë, dje kanë kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes ku u vra pronari i restorantit. Sipas informatave fillestare, vrasja ka ndodhur rreth orës 17:00 nga një person i panjohur në tarracën e restorantit “Akua blu” në Strugë. Në vendngjarje janë marrë mostra të shenjave dhe menjëherë janë dorëzuar për ekspertizë, ndërkaq me urdhër të prokurorit publik menjëherë trupi është dërguar në autopsi”, njofton Prokuroria duke shtuar se vazhdojnë hetimet për gjetjen e vrasësit.

LEXO:  Strugë, pas të shtënave me armë zjarri mbetet i vrarë Dilaver Bojku

Të njëjtën e thonë edhe nga MPB, në një deklaratë për Portalb.mk, zëdhënësja e MPB-së, Natalia Spirova thotë se hetimet për gjetjen e vrasësit vazhdojnë, ndërkaq shkrimet në media në lidhje me atë se a bëhet fjalë për gjakmarrje apo për ndonjë vrasës me pagesë, MPB thotë se janë “muhabete çarshie”.

“Hetimet për gjetjen e vrasësit vazhdojnë. Ende nuk ka informata konkrete. MPB ende nuk ka informata në lidhje me atë se kush mund të jetë kryerësi i vrasësit dhe për çfarë motive bëhet fjalë. Shkrimet në media janë “muhabete çarshie”, nëse do të ketë diçka konkrete do të njoftohet opinioni”, tha për Portalb.mk, Spirova.

Kush ishte Dilaver Bojku – Leku?

Dilaver Bojku, i njohur me nofkën Leku, personi ka lindur në vitin 1959 në Veleshtë të Strugës. Ai u be i njohur, në radhë të parë për policinë e Maqedonisë, e më vonë edhe për Interpolin dhe FBI-në amerikane, si dhe për publikun më të gjerë, për aktivitet e tij të shumta kriminale, në radhë të parë për prostitucion.

Si i ri, pas një qëndrimi në Zvicër, ku punoi në ndërtim, në vitet ’80 kthehet në Maqedoni. Atje hap klube nate, ku ofrohej nder te tjera prostitucion dhe drogë.

Deri ne vitin 2000, ai ka operuar në linjën Ballkan-Evropë, duke sjellë prostituta nga shtetet e ish-Jugosllavisë, Ukraina, Molldavia dhe duke çuar si klandestine në vendet e Bashkimit Evropian shqiptarë, kurdë, pakistanezë dhe afgane. Me punë operative dhe me bashkëpunim të FBI-së (dega Budapest) me policitë evropiane, Bojku identifikohet, grumbullohen dëshmi për punët kriminale dhe shpallet fletarrest ndërkombëtar.

Në shkurt të vitit 2003 arrestohet nga policia e Maqedonisë, me ç’rast në klubet e tij zbulohen dhjetra vajza që kanë qëndruar ilegalisht në vend. Gjykata e Strugës e dënon me 6 muaj burg për mbajtje të një femre pa dëshirën e saj, gjë që në opinion pritet me habi të madhe, për shkak të dënimit të butë që i është shqiptuar. Pas ankesës së prokurorisë dënimi i rritet në 3 vjet.

Më 20 qershor 2003, derisa transportohej nga burgu me siguri të ulët, i ik policisë. Marshallët amerikanë madje shpallin shpërblim prej 10.000 dollarë për atë që do të ndihmojë në zënien e Bojkut. Për arratisjen e tij nga burgu, kanë shkruar edhe mediat botërore, si The New York Times, Guardian etj.

Rreth dy javë pasi ik nga burgu i Strugës, arrestohet në Ulqin të Malit të Zi, prej nga kishte planifikuar të braktiset, fillimisht për Itali, e më pas për Brazil.

Sidoqoftë, Bojku kthehet në Maqedoni ku e vuan dënimin, ndërsa pas daljes nga burgu humb edhe nga fokusi i publikut dhe mediave dhe për të dihet se i është rrekur biznesit me hotelieri dhe turizëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button